e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha e Rama, shtrengim duarsh ne diten e Nene Terezes

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha e Rama, shtrengim duarsh ne diten e Nene Terezes
Paqja politike PD-PS nuk finalizohet as në ditën e lumturimit të Nënë Terezës. Presidenti Bamir Topi ka ‘bashkuar’ në zonën e Liqenit artificial dy rivalët politikë, kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama të cilët u mjaftuan vetëm me një shtrëngim duarsh. E gjithë ceremonia e cila kishte në qendër të vëmendjes lumturimin e Nënë Terezës, nuk solli asnjë paqe mes dy rivalëve, përveçse një shtrëngimi të ftohtë duarsh Berisha-Rama. Destinacioni i pikëtakimit të përbashkët ku dy liderët, njëri nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca i dhanë dorën njeri-tjetrit, ishte zona e Liqenit artificial në Tiranë.

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, njëkohësisht kryebashkiaku Edi Rama, ndodheshin për të përuruar “Rrugën e mijëvjeçarit të Paqes” në zonën e liqenit, ku ndodhen edhe 28 pllaka me emrat e presidentëve të botës. Në të njëjtën kohë, qëndron edhe rastësia ku dy rivalët politikë, Berisha-Rama, ia kanë dhënë dorën njëri-tjetrit pikërisht në vendin për të cilin kanë lëshuar akuza reciproke në distancë për njëri-tjetrin. Por edhe pse munguan batutat, politika dhe krerët e lartë të vendit ishin bashkë pas shumë kohësh distance dhe akuzash politike.

Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS-së, njëkohësisht edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës ishin bashkë në ditën e lumturimit të Nënë Terezës dhe inaugurimit të udhës së paqes, në zonën e Liqenit artificial. Në këtë zonë është ndërtuar Rruga e Mijëvjeçarit për Paqen, një nismë kjo e kryetarit të shtetit në bashkëpunim me Unionin për Paqen dhe Bashkinë e Tiranës, në nderim të kujtimit të Nënë Terezës, me rastin e 100-vjetorit të lindjes dhe përvjetorit të shtatë të lumturimit të saj. Për ndërtimin e “Rrugës së Mijëvjeçarit për Paqen” te Liqeni Artificial i Tiranës do të vendosen pllaka që mbajnë të gdhendur emrat e shumë presidentëve nga mbarë bota, si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën në botë.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik, Kryetari i Unionit të Paqes, Xhanfranko Kosta, anëtarë të qeverisë, misionaret ose të quajtura ndryshe motrat e Urdhrit të Nënë Terezës dhe drejtues të bashkësive fetare. “Jemi këtu për t’i hapur udhë një projekti nën kujdesin e Presidentit të Republikës, të cilin Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me pelegrinët e paqes, është e privilegjuar për ta çuar përpara”, tha Rama. Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës i ngarkoi politikës barrën e ruajtjes së paqes që mësohet nga feja dhe shkolla. “Paqja sociale ruhet e konsolidohet.

Dhe kjo është detyra themelore e një shteti demokratik dhe institucioneve të tij. Duhet të jetë gjithashtu objektiv parësor i politikës, si fuqi lëndore e demokracisë. Për ta ruajtur e për ta përsosur atë më tej, në përputhje me standardet europiane, duhet angazhim i thellë i të gjithëve. Në këtë ditë, ky përvjetor, ne bijve, vëllezërve dhe motrave të një gjaku me Nënë Terezën, na flet shumë, sepse ne kemi jo vetëm nevojë, por edhe detyrë morale ta ndiejmë më thellë zërin e saj, doktrinën e saj në shërbim të humanizmit, paqes, mirësisë e progresit shoqëror.

Në këtë ditë, të gjithë ne shprehim besimin dhe urimin që Nënë Tereza të shpallet shenjtore sa më shpejt”, tha Topi. Projekti “Udha e Paqes” u iniciua nga Bashkia e Tiranës dhe fondacioni “Rruga e Paqes”. Presidenti Topi në mbyllje të fjalës së vet shprehu besimin dhe urimin që Nënë Tereza të shpallet shenjtore sa më shpejt dhe që kujtimi i saj dhe roli i popullit që e lindi dhe e rriti të jenë të përjetshëm.