e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha humbet shumicen ne Parlament

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha humbet shumicen ne Parlament
Mazhoranca humbet numrat duke u “thërrmuar” në sallën e Kuvendit. Shumica parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, nuk mund të quhet më e tillë që prej ditës së djeshme, pasi ka rënë nën nivelin e pragut që mban në këmbë qeverinë “Berisha”. Demokratët pësuan rrjedhje vote nga aleati i tyre bashkëqeverisës, Lëvizja Socialiste për Integrim. Deputeti i Durrësit, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, Lefter Koka, ka abstenuar gjatë votimit të raportit drejtuar Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja.

Konkretisht: Parlamenti votoi me 70 vota pro për dërgimin e mandatit të deputetit Beqja në Gjykatën Kushtetuese, 67 prej tyre votuan kundër dhe 2 abstenuan, ndërkohë që një prej deputetëve nuk mori pjesë në votim si pasojë e problemeve në sistemin elektronik. Një fakt shtesë, që e ndërthurur në aritmetikën e mazhorancës, i shton një minus përpara, duke ulur sërish fuqinë specifike për të qeverisur. Alarmi i mazhorancës për rrjedhjen e numrave në Kuvend u bë fakt dje gjatë votimit në sallën e Parlamentit.

Votimi në Kuvend tregoi se u prish edhe fabula e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi të thënë dje në sallën e Parlamentit se “dikush në këtë sallë t’u japë fund ëndrrave për ndryshime numrash në Kuvend”. Për herë të parë, opozita ka marrë pjesë në votim për dy çështje: mandatin e deputetit Ilir Beqja dhe votimin për ngritjen e komitetit shtetëror që do të vendosë për ndërtimin e Parlamentit të ri te Qendra Kombëtare e Kulturës. Në seancën e djeshme ishin të pranishëm të gjithë deputetët, ndërkohë që problemet gjatë votimit nuk kanë munguar sërish. Opozita ka kontestuar ashpër dy votimet e fundit. Kryeministri Berisha është ndier i shqetësuar në sallë gjatë momentit të votimit, ku nuk i ka shkëputur sytë nga tabela elektronike që tregonte se ‘mazhoranca’ kishte vetëm 70 vota. Për koincidencë, përpara fillimit të votimit, Kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli ishin duke folur në të njëjtën kohë në telefon.

 Por me sa duket edhe kjo telefonatë nuk i ka zgjidhur problemet e të djathtëve me numrat realë. Menjëherë pasi Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, deklaron se janë 70 vota pro, 67 kundër, 2 abstenim dhe një nuk merr pjesë në votim, socialistët janë ngritur në këmbë duke i kërkuar Kryeministrit dorëheqjen. “Jep dorëheqjen, nuk ke shumicën. As 71 vota nuk i ke”, tha deputeti Erion Braçe duke iu drejtuar Kryeministrit. Kryeministri ngrihet për t’u larguar nga Kuvendi, por kryeparlamentarja Topalli dhe bodigardët e rikthejnë sërish për të votuar edhe pikën e fundit të rendit të ditës, kompleksin e ri parlamentar. Ky çast i votimit ka ngritur pikëpyetjet e mëdha nga kampi opozitar, pasi në këtë pikë, sipas pretendimit të opozitës, mazhoranca ka humbur edhe votën e Ilir Metës. Deputetët e opozitës, e kanë quajtur të manipuluar votimin, pasi nuk kanë funksionuar butonat e tre deputetëve të saj, Valentina Leskaj, Fatmir Toçi dhe Agim leka.

Votimi në Parlament

Kuvendi çon mandatin e deputetit Ilir Beqja në Gjykatë Kushtetuese. Raporti i hartuar në këshillin për rregulloren, mandatet dhe imunitetet mori 70 vota për t’u dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, 67 vota kundër dhe 2 abstenim, ndërsa një deputet nuk mori pjesë në votim për shkak të problemeve me elektronikën në sallën e Kuvendit. 67 deputetët e grupit parlamentar të PD-së votuan në unison kundër deputetit Ilir Beqja. Votës së demokratëve iu bashkua edhe deputeti republikan, Fatmir Mediu, zv/kryeministri Ilir Meta dhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Kampi i djathtë në bashkëpunim me aleatët arriti të mbledhë vetëm 70 vota.

Ndërsa votës kundër dorëzimit të mandatit të Ilir Beqjes në Kushtetuese iu bashkuan edhe deputetët Shpëtim Idrizi, Paulin Sterkaj dhe Dritan Prifti. Socialistët ishin të gjithë të pranishëm në sallë së bashku me aleatin e tyre të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Kampi i majtë arriti të mbledhë 67 vota kundër dorëzimit të mandatit të deputetit Beqja në Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që një votë e socialistëve nuk është llogaritur nga tabela elektronike e Kuvendit, të cilën e ka cilësuar si mospjesëmarrje në votim. Bëhet fjalë për votën e deputetit socialist, Fatmir Toçi, i cili ka votuar kundër dorëzimit të raportit në Gjykatë Kushtetuese.

Votimi i fundit për kompleksin parlamentar ka ngritur edhe dyshimin më të madh nga kampi socialist. Lefter Koka dhe Nasip Naço kanë abstenuar gjatë votimit. Vota e Ilir Metës është shfaqur jeshile në tabelën elektronike në Parlament, por përpara fillimit të seancës, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u ka deklaruar deputetëve të LSI-së se vota e tij do të jetë abstenim për kompleksin e ri parlamentar. Deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri, abstenoi për këtë vendim të Kuvendit, ndërsa deputeti Shpëtim Idrizi votoi në të njëjtën mënyrë si opozita. Rezultati i Kryetares së Kuvendit, për ngritjen e kompleksit parlamentar ishte 71 vota pro, 64 kundër, 2 abstenim dhe një nuk mori pjesë në votim. Por gjithçka u përcoll me dyshim nga socialistët, pasi llogaritë shifrore flasin ndryshe.