e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Berisha con Brisbein ne finale duke mundur ekipin e ardhshem

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Berisha con Brisbein ne finale duke mundur ekipin e ardhshem

Çdo dyshim rreth përkushtimit të Besart Berishës ka marrë fund dje, kur sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e fitores 1-0 të Brisbein Roar ndaj Melburn Viktorit, duke dekretuar finalen e tretë në katër sezonet e fundit për ekipin e tij. Në mediat australiane ishte spekuluar se Berisha mund të mos impenjohej maksimalisht në gjysmëfinalen ndaj ekipit me të cilin ka firmosur për dy vitet e ardhshme. Por futbollisti shqiptar tregoi qartësisht se do të mbetej një lojtar i Brisbein deri në ditën e fundit të kontratës së tij, kur në minutën e 58, ai bëri një sprint prej 35 metrash, duke iu shmangur ndërhyrjes së një mbrojtësi dhe më pas duke dërguar topin pas krahëve të portierit të Melburnit. Berisha, i cili do të paguhet 1.5 milionë dollarë në dy vitet e ardhshme nga Melburn Viktori, vendosi të respektonte ekipin e tij të ardhshëm, duke mos e festuar në mënyrë të dukshme golin. Por, gjithsesi, festën e zhvilluan në shkallët e stadiumit më shumë se 28 mijë tifozë të Brisbein, të cilët kënduan në kor emrin e tij deri në përfundimin e ndeshjes, që dekretoi praninë në finalen e kampionatit të kësaj skuadre.

“Kemi një skuadër të fortë në këtë vit, por deri tani nuk është se kemi fituar aq shumë. Është e vërtetë, kemi fituar trofeun e sezonit të rregullt, por tani duam finalen e madhe. Kemi një skuadër të mirë dhe jam i bindur se do t’ia dalim”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar, që më pas ka komentuar edhe golin e tij të veçantë ndaj ekipit që do të përfaqësojë në dy vitet e ardhshme. “Sigurisht që ishte një ndjesi mjaft e çuditshme, por unë kam një punë për të çuar deri në fund. I jam gjithmonë besnik klubit tim dhe jap gjithmonë më të mirën për të. Sigurisht që nuk ishte një situatë e lehtë për mua, por mendoj se kjo është puna ime. Nuk do ta kem mbaruar atë deri në sekondën e fundit të kontratës me klubin”, tha Berisha.