e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Benitez komenton Realin, Zidan: Sot thyej tabunë

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Benitez komenton Realin, Zidan: Sot thyej tabunë

Për herë të parë pas shkarkimit të tij nga Reali, Rafa Benitez do të rikthehet të flasë për ishskuadrën e tij. Mediat spanjolle janë të sigurta se Benitez do të jetë i ftuar në "BT Sports" për ndeshjen e sotme mes Romës dhe Realit.

benitez
Të gjithë po presin me kuriozitet analizën që Benitez do të bëjë mbi ish-ekipin e tij dhe faktin nëse do të pranojë që aktualisht nën drejtimin e Zidanit skuadra është duke bërë më mirë dhe lojtarët ndihen më të qetë.

Bashkë me Benitezin në studio do të jenë edhe Ouen, Ferdinand dhe Stiv Mekmanaman. Benitez u shkarkua në 4 janar të këtij viti, pas rezultateve të dobëta dhe për faktin se disa senatorë nuk e donin më si trajner të Realit.

Ndërkohë, Zidan ka folur përpara sfidës me Romën dhe e ka pranuar faktin se verdhekuqtë janë një ekip i vështirë për t'u mundur. Francezi shpreson që Reali të thyejë tabunë në tokën italiane.

Tabuja italiane

"Shpresoj ta thyej këtë tabu. Është një sfidë që do të zgjasë 180 minuta dhe nesër (sot) do të luajmë vetëm të parën. Duhet ta nisim ndeshjen shumë fort sepse e dimë që Roma mund të na bëjë presion të vazhdueshëm. Kemi punuar shumë dhe dua rezultat pozitiv. Roma është një ekip i fortë dhe këtë e ka treguar në javët e fundit të kampionatit, por edhe ne jemi duke kaluar një moment shumë pozitiv dhe duhet ta shfrytëzojmë në maksimum".

Toti

"Ai ka bërë një karrierë shumë të rëndësishme, por nuk jam unë ai që duhet të them nëse duhet ta lërë futbollin, apo të vazhdojë ende. Është gjithmonë kënaqësi kur e shoh në fushën e lojës një lojtar si ai".

Champions

"E dimë të gjithë çfarë do të thotë ky kompeticion për Realin. Jemi shumë mirë fizikisht dhe përpara se të mendojmë për objektiva të tjerë, duhet të kalojmë turin".

Marselo

Është shumë mirë dhe do të luajë, por nuk e di nëse do të jetë në formë optimale. Në një turne të tillë duhet të jesh gjithmonë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm. Gabimet kushtojnë shtrenjtë dhe neve na duhet të shënojmë për të qenë më të qetë në ndeshjen e kthimit. Lojtarët janë përgatitur maksimalisht dhe, nëse i bëjnë mirë detyrat në fushën e lojës, mendoj se do të kthehemi në shtëpi me një rezultat pozitiv".

Lojtar-trajner

"Presioni është i madh në të dy rastet. I shoh lojtarët shumë të përqendruar dhe kur janë kështu, edhe unë jam më i qetë. Ne duam thjesht të fitojmë dhe të kualifikohemi në raundin tjetër. Jemi shumë të përqendruar për ndeshjen e nesërme dhe e kemi marrë shumë seriozisht Romën. E dimë që ky kompeticion është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të luftojmë deri në fund".

Përgatiti: GENTJAN ALINANI