Bëmë gabime foshnjarake, por do të kualifikohemi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pavarësisht barazimit 2-2, i cili është një rezultat pozitiv për ndeshjen e kthimit, trajneri i Mançester Sitit është shfaqur i revoltuar në fundin e ndeshjes për gabimet që ka bërë skuadra e tij.
Numri një i "qytetarëve" thotë se skuadra bëri disa gabime amatore, që në këtë raund të Ligës së Kampioneve janë të patolerueshme.
"Bëmë disa gabime që nuk duhet t'i kishim bërë. Golin e parë ua dhuruam kundërshtarëve, ndërsa në të dytin mendoj se loja duhet të ndalej për një pozicion jashtë loje", tha Pelegrini. Ai analizoi ndeshjen që bëri Siti dhe theksoi se ekipi luftoi që nga minuta e parë për ta fituar sfidën.
"Pavarësisht gabimeve, ekipi tregoi karakter në shumicën e lojës dhe luftoi për ta fituar ndeshjen që nga minuta e parë", shtoi më tej numri një i Sitit. Trajneri kilian është i sigurt se kualifikimi është i hapur, por beson se me këtë rezultat ekipi i tij është i favorizuar.
"Beteja mbetet e hapur dhe kemi 90 minuta të tjera për të luajtur, por mendoj se kemi marrë një rezultat pozitiv. Duhet të kualifikohemi për në gjysmëfinale", shtoi Pelegrini.
Gjatë fjalës së tij ai i thuri elozhe portierit Hart, duke thënë se penalltia që i priti Ibrës ishte vërtet fantastike. "Hart bëri një pritje të shkëlqyer dhe jam i lumtur që u rikthye sërish në fushën e lojës. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e ardhshme, sepse na presin 90 minuta shumë të vështira", përfundoi trajneri i Sitit