'Bekim' kuqezi ne Aveiro, Shqiperia shokon Portugaline
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E pabesueshme, por e vërtetë. Shqipëria triumfon në Aveiro kundër Portugalisë së mbushur me yje, por që i mungoi “Topi i Artë”, Kristiano Ronaldo. Bekim Bala nuk i ka lënë gjë mangut yllit të Realit të Madridit me atë gol të mrekullueshëm që realizoi në minutën e 53-të, që lumturoi shqiptarët kudo ku janë, anembanë botës. Një skuadër që vuri zemrën në fushën e lojës, duke superuar sulme të pafundme të skuadrës së Bentos, e cila nuk arriti të mposhtë Etrit Berishën, një “qershi mbi tortë” në këtë sfidë hapëse të fushatës kualifikuese për “Euro 2016”. Kuqezinjtë e De Biazit marrin tri pikët e para në Grupin I, duke qenë në të njëjtën “gjatësi vale” me Danimarkën, e cila përmbysi në fushën e vet Armeninë.
Kujtojmë se De Biazi kishte mungesa të rëndësishme nga pjesa e titullarëve të edicionit të shkuar kualifikues, si Meha, Migjen Basha, Edgar Çani dhe Armando Sadiku, por ka operuar me elementë të tjerë, të gatshëm për të kontribuar me fanellën e kombëtares. Veç të tjerëve, edhe të rikthyer pas disa kohësh (Kukeli), ndaj Portugalisë figuronte dhe një lojtar debutues: Taulant Xhaka. Koeficienti i vështirësisë ishte i madh për tanët, mjafton të kemi parasysh vetëm një fakt: Në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, Portugalia është në vendin e 11-të me 1152 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 70-të, me 437 pikë. Në favorin tonë ishte vetëm mungesa e “Topit të Artë” në fuqi, Kristiano Ronaldo, i cili ka probleme lëndimi dhe nuk i është bashkuar luzitanëve për këtë eliminatore startuese në Grupin I.
Pjesa e parë Ndeshja nis me ngulmim të natyrshëm të Portugalisë, por mesfusha kuqezi është mjaft e ngjeshur. Tanët luajnë afër njëri-tjetrit dhe duan ta mbajnë sa më larg kundërshtarin. Një ndërhyrje e Roshit ndaj Koentraos detyron gjyqtarin kryesor francez të nxjerrë shumë shpejt kartonin e verdhë, që në minutën e tretë. Më pas vjen goditja e dënimit, ekzekutuar nga Nani, që gjen të papërgatitur mbrojtjen tonë. Ndërhyrja e portierit Berisha është shpëtimtare. Duket qartë presioni mbi kuqezinjtë, sepse gabojnë në pasimin e parë, duke ua dhuruar luzitanëve shumë shpejt. Kukeli është rikthyer pas një viti e gjysmë në kombëtare, nërsa Taulant Xhaka e ka për herë të parë me Shqipërinë, ndaj emocionet te këta dy lojtarë janë evidente.
Udhëzimet e De Biazit janë për mbulim një për një në mesfushë. Portugezët nuk janë shumë fleksibël në sulm, ndaj lehtësohet disi puna e tanëve për t’i markuar në qendër. Daljet nga krahët e vendësve sa vijnë e bëhen me shqetësuese për prapavijën e Shqipërisë, që mbetet e tërhequr thellë, shumë pranë portierit Berisha.
Në minutën e 13-të i dhurojmë një asist Luis Nanit, që ka krejt hapësirën e duhur të shënojë, por godet keq para portierit tonë kuqezi. Gabim i Kukelit, që ka vështirësi ta nxjerrë topin përpara. Ai ka marrë rolin e Migjen Bashës, i dëmtuar, që mungon.
Goditja e parë nga këndi për tanët vjen në minutën e 20-të. Kjo është edhe dalja e parë e plotë në fazën ofensive të tanëve, që janë të detyruar të përveshin mëngët përballë furisë së sulmeve të njëpasnjëshme të luzitanëve. Fatmirësisht, portugezët gabojnë në finalizim. Edhe Abrashi merr karton të verdhë në minutën e 22-të, i dyti për tanët, cka dëshmon për duelet e forta në mesfushë. Ajo që bie në sy ka të bëjë me vendosje jot ë mirë të kuqezinjve në goditjet standard të kundërshtarit, i cili tenton me të gjitha mënyrat për ta zhbllokuar rezultatin. Megjithatë, Berisha është në gadishmëri. Bekim Bala, sulmuesi i vetëm i Shqipërisë, mbetet i izoluar në prapavijën portugeze, ku ka mbulimin nga afër të Pepes.
Në minutën e 30-të, Roshi fut një passim diagonal rrafsh me tokën, por portieri luzitan ndërhyn shpejt, para se Bala të krijojë ndonjë rrezik. Shqipëria mendon më së shumti si të mos pësojë, ndaj shihet pak në zonën kundërshtare. Megjithatë, me kalimin e minutave arrin t’i kundërvihet më mirë skuadrës vendëse, që nuk rresht së sulmuari në të gjitha drejtimet.
Edhe Taulant Xhaka merr karton të verdhë në minutën e 34-t, kohë kur Kukeli ndodhej jashtë dhe po mjekohej, pasi pësoi një dëmtim në dyluftim me kundërshtarin dhe krijoi makth te De Biazi e kuqezinjtë e tjerë, sepse ka kaluar dy operacione të njëpasnjëshme. Sidoqoftë, mesfushorët tanë duhet të kenë shumë kujdes tashmë, sepse e kanë nga një të verdhë dhe rrezikojnë ta lënë kombëtaren tonë në inferioritet numerik.
Pjesa e parë mbyllet me disa raste të rrezikshme në portën e Berishës. E vetmja mundësi e tanëve për të dalë nga gjysmëfusha e vet është topi i gjatë, por pa asnjë adresim të saktë. Bala nuk ka cfarë të bëjë, sepse është krejt i vetëm në fazën ofensive. Gjithsesi, ajo më e rëndësishmja është se 45 minutat e para i mbyllim pa pësuar, madje me Roshin mund të kishim rrezikuar në limit. I vetmi rast për tanët në pjesën e parë.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis pa zëvendësim te tanët, ndërsa Paulo Bento bën një ndryshim në sulm. Eshtë e pritshme ofensiva e luzitanëve, që kanë në mbështetje të tyre edhe shumë tifozë, ndërsa ata kuqezinj janë të paktë në numër, diku te 100 vetë. Vetëm tri minuta kalojnë dhe Roshi sjell drithërima në portën portugeze, me krosimin tokazi nga e djathta. Bala zhytet për ta devijuar topin në rrjetën kundërshtare, por nuk është në kohë.
Minuta e 53-të është drithëruese për shqiptarët. Odise Roshi merr bukur krahun e djathtë dhe kroson në zonën luzitane, ku Bekim Bala godet fluturimthi, gati me kurriz nga porta vendëse, duke shënuar. Shokohet Portugalia, që ka shpërdoruar pa fund, ndërsa ndëshkohet në të paktat mundësi të krijuara nga kuqezinjtë.
Reagimi luzitan është imponues, e sposton lojën në gjsyëmfushën tonë, por aty ndesh një barrikadë të pakalueshme me Canën, Mavrajn e të tjerë. Luis Nani merr përsipër të bëjë liderin, godet nga distanca, por topi s’u bindet plotësisht këmbëve të tij. Tensioni rritet në maksimum te vendësit, cka i jep disi frymëmarrje e qetësi skuadrës sonë, e cila mbahet stoikisht në fushën e blertë, edhe pse thellësisht në qasje defensive.
Reagimi luzitan është imponues, e sposton lojën në gjsyëmfushën tonë, por aty ndesh një barrikadë të pakalueshme me Canën, Mavrajn e të tjerë. Luis Nani merr përsipër të bëjë liderin, godet nga distanca, por topi s’u bindet plotësisht këmbëve të tij. Tensioni rritet në maksimum te vendësit, cka i jep disi frymëmarrje e qetësi skuadrës sonë, e cila mbahet stoikisht në fushën e blertë, edhe pse thellësisht në qasje defensive. Në minutën e 75-të hidhet në lojë edhe Andi Lila. Ka vështirësi Lenjani, ndaj trajneri De Biazi vendos t’i besojë pjekurisë së kavajasit të PAS janinës. Janë minuta ankthi për kuqezinjtë, sepse loja zhvillohet tërësisht në zonën e Berishës. Rastet janë të shumta për luzitanët, por qetësia dhe kthejlltësia në finalizim shkon në favorin e Shqipërisë. Jemi me fat në ato mundësi të Luis Nanit, që humb raste tepër të favorshme.
Dhjetë minuta e fundit aktivizohet edhe Cikalleshi. Kavajasi zëvendëson “kokë për kokë” heroin e kësaj ndeshjeje, Bekim Bala, që shënoi atë supergol dhe u dha kuqezinjve tanë një fitore të artë e historike në Aveiro. Pas barazimit 0-0 në Braga, Shqipëria i bën goditjen e radhës skuadrës së Kristiano Ronaldos, që mungoi kësaj here, duke e mundur në shtëpi dhe bërë një start të mrekullueshëm fushatës eliminatore “Euro 2016”. Tri pikët e para, që japin moral të lartë për vazhdimësinë e garës.
NOTAT
Etrit Berisha – 7 I sigurt në vendosje dhe me reflekse të shkëlqyera, por heziton në daljet kur topi vjen nga lart, duke nxjerrë blof në dy raste mbrojtësit e tij. Megjithatë, një siguri e padiskutueshme në kuadratin kuqezi.
Elseid Hysaj – 7 Ndeshje e shkëlqyer e mbrojtësit të Empolit. Shkodrani luan në fushë a thua se ka 20 vite karrierë mbi supe. I sigurt, i saktë dhe i fortë fizikisht. Ndoshta është i kursyer në daljet për të ndihmuar Roshin, por me shumë siguri ka qenë ndonjë udhëzim i De Biazit për të mos e kaluar mesfushën.
Cana – 7.5 Një mbrëmje luanësh për kapitenin. Largon topa me kokë, me këmbë, luan disi pisët, organizon ofsajtet. Është ai lideri i mbrojtjes dhe me një përqendrim të tillë, Shqipëria mund të besojë. Një ndër ndeshjet më të mira të viteve të fundit.
Mavraj – 7 Qetësia mban emrin e tij. I del vetëm një herë situata jashtë kontrollit, kur Agolli gaboi në largimin e topit dhe më pas Nani i ikën dy herë qendërmbrojtësit. Më pas shndërrohet në mur. I fortë dhe i pakalueshëm në luftën në ajër.
Agolli – 6 Mungojnë inkursionet e tij, mungojnë edhe krosimet nga e majta dhe ndonjë gjuajtje e hidhur. Por Agolli ofron qetësi, zgjuarsi dhe eksperiencë. Vuan me një “monstër” si Nani, por nuk e humbi kurrë duelin me të. Ndeshje shumë pozitive.
Lenjani – 6 Shumë mirë në fazën sulmuese dhe në guximin që ka, por në disa raste me kohë vonesë. Nuk lidhet si duhet me Agollin dhe në pjesën e dytë bie fizikisht. Megjithatë, një lojtar i fituar. Nuk është e lehtë të luash në vend të një “xhongleri” që quhet Valdet Rama.
Xhaka – 6.5 Debutim ëndrrash për mbrojtësin që dje luajti si shkatërrues. Rrezikshmërisht i ashpër dhe i duhen disa minuta të hyjë në lojë, por me një fizik të admirueshëm. Ndoshta pozicioni nuk ishte ideali, por sakrifikoi pa masë duke vrapuar sa për tre.
Kukeli – 6 Ndeshje shumë e mirë kur mendon se mungoi për afro 1 vit e gjysmë dhe është operuar dy herë në dy vitet e fundit. Përpiqet të ofrojë qetësi dhe ndonjë vertikalizim, por ai nuk është Skela. Ia del të mbrojë mirë, por vuan në ndërtim, sepse rrethohet nga lojtarë që vetëm rrëmbejnë topin dhe më pas “ia ngecin” vetëm atij.
Abrashi – 6.5 Vrapon aq shumë sa të jep përshtypjen sikur ka 7 mushkëri. Shqipëria duket se ka gjetur “Gatuzon” e saj. Gjendet në çdo cep të fushës dhe, megjithëse vuan shtatlartësinë e rivalëve në mesfushë, për asnjë moment nuk dorëzohet. Duhet të përmirësohet në menaxhimin e topit.
Roshi – 8 Ndoshta ndeshja më e mirë me Shqipërinë. Kalon disa herë njëfarë Koentrao në anët e tij, shërben asistin e golit, por mbi të gjitha mbron si kurrë më parë. I jashtëzakonshëm në galopime, por po kaq edhe në dyluftime. Nëse vazhdon kështu, mund të bëhet lider.
Balaj 9 Me një gjysmë topi për gol realizon një kryevepër. Gol i “zakonshëm” për markën shkodrane, pasi ngjason disi me atë të Salihit kundër Norvegjisë. Lufton shumë atje para me një “kasap” si Pepe, por është thuajse tërë kohën në hije. Por mjafton një gol alla Ibra në minutën e 53-të për të vulosur një fitore historike. Fituam një ndeshje të madhe dhe një sulmues të madh.
Lila (pa votë) Hyn atëherë kur duhet dhe ai di si luftohet. Bën sa mundet për të mbrojtur një ndeshje që nuk duhet humbur kurrsesi dhe ia del mirë.
Cikalleshi (pa votë) Zëvendëson Balën dhe përpiqet të bëjë sa mundet në pak minuta ku e di shumë mirë se duhet vetëm të vrapojë dhe të ushtrojë presion si një mesfushor shkatërrues. Nuk stonon.
Kaçe (pa votë) I jep freski dhe rrit intensitetin në mesfushë, por e ka të vështirë që edhe të mbrojë, edhe të ndërtojë njëkohësisht. Hyn atëherë kur Portugalia ushtron presion me të gjitha forcat dhe ai arrin të rrëmbejë disa topa. Gjithsesi, jo në formën e tij më të mirë.
De Biazi 8 Dy fitoret më të mëdha jashtë fushës në historinë e saj Shqipëria i ka marrë pikërisht nën drejtimin e tij. Bëhet fjalë për triumfin kundër Norvegjisë dhe atë të djeshmin ndaj Portugalisë. Rastësi? Nuk duket kështu… Mjafton të kujtosh se mungonin Rama, Basha dhe Meha… Salihi me Lilën nuk janë në formë. Merr guximin dhe luan me Balajn titullar dhe vendos Xhakën debutues në formacion… Guxim i çmendur, por edhe maniak taktike. Ka shansin të bëhet i shenjtë në Shqipëri. Hapin e parë e hodhi...