Bashkia vendos sot për aksionet e Çërragës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Aksionet e Gentian Çërragës në klubin e futbollit të Elbasanit pritet të diskutohen ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në mënyrë që 8.69% që ai zotëron të kalojnë në pronësi të Bashkisë Elbasan.
Edhe pse ditën e sotme nuk është në rend dite për t'u diskutuar blerja e aksioneve nga ky institucion, burime të "Panorama Sport" pranë bashkisë pohojnë se do të hidhet për diskutim kjo çështje dhe më pas do të shqyrtohet mundësia për t'u hedhur edhe në votim.
Mësohet se këshilltarëve nuk ia kanë bërë të ditur zyrtarisht këtë çështje, për shkak se plani për mbledhjen e sotme është bërë përpara se të zhvilloheshin takimet midis aksionerëve dhe për më tepër para se Çërraga të nxirrte zyrtarisht në shitje aksionet e tij në klubin e futbollit.
Mbetet për t'u parë në mbledhjen e sotme sesi do të vijojnë diskutimet rreth kësaj çështjeje, duke qenë se futbolli është një temë e nxehtë në Elbasan dhe për më tepër që ndjeshmëria është e madhe. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve dhe bashkia blen zyrtarisht aksionet e Çërragës, atëherë ky institucion do të zotërojë 54.04%, çka nënkupton edhe maxhorancën.
Situata
Prej disa vitesh, ekipi i Elbasanit është në një krizë financiare, çka ka sjellë edhe rezultate të dobëta të kësaj skuadre. Ky është viti që ka arritur kulmin në këtë pikë, pasi verdheblutë rrezikojnë edhe qëndrimin në Kategorinë e Parë.
Për këtë arsye, tre aksionerët Laze, Sejdini dhe Çërraga kanë kryer takime të shpeshta midis tyre për të gjetur zgjidhjen e daljes nga kriza financiare dhe për më tepër për të bërë të mundur shpëtimin e skuadrës nga rënia një kategori më poshtë.
Lojtarët kanë pasur probleme me pagesat, por kanë marrë garancinë nga klubi se do të likuidohen të gjithë në bazë të kontratës, ndaj edhe janë duke vijuar normalisht përgatitjet gjatë kësaj periudhe. Në Elbasan shpresojnë se me lëvrimin e parave do të vijnë edhe rezultatet pozitive, të cilat do t'i mundësojnë skuadrës edhe qëndrimin në kategori.
Përgatiti: VLADIMIR MEMA