e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Basha pret kampionin e botes ne tai e kik

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Basha pret kampionin e botes ne tai e kik
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim të veçantë, kampionin e botës në tai e kik – boks, Ismail Keta. Ne nje njoftim per mediat, bashkia ben me dije se Basha ka shprehur vlerësimet e tij, për arritjet e kampionit Keta, të cilat ashtu siç u shpreh ai, “bëjnë krenar çdo shqiptar”. Më datë 1 dhjetor, Ismail Keta  u shpall kampion i botës, duke mundur hungarezin Jozef  Diklaund.

Kampioni i botës tha se arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit, janë vlerësuar nga personalitete të larta botërore, të sportit dhe jo vetëm, të cilët kanë vizituar bashkë me të Shqipërinë. Ismail Keta solli në vëmendje, si një nga momentet më të bukura për të, telefonatën e Kryeministrit Sali Berisha, menjëherë pas shpalljes kampion bote.

Në takim, ai  shoqërohej nga vëllai i tij, Gjeto Keta, edhe ai një boksier i njohur në arenën botërore si dhe prefekti i Dibrës Genc Sharku. Nisur nga  eksperienca shumë pozitive në Gjermani, në drejtim të akademisë së hapur prej tij, “Deutchland Kick Box”, Ismail Keta ka hapur edhe në Tiranë akademinë e tai e kik – boksit.

Basha u shpreh i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme nga Bashkia për këtë akademi, për rritjen dhe zgjerimin e saj. Sipas Kryebashkiakut, Bashkia synon të orientojë sa më shumë të rinjtë drejt sportit, si mënyra më e mirë e të jetuarit shëndetshëm. Në këtë takim u diskutua edhe për domosdoshmërinë e krijimit të një federate efektive për këtë sport, pasi talentet në Shqipëri janë të shumtë.

Ismail Keta ka fituar titullin, kampion i Gjermanisë, nënkampion dhe kampion bote.