Basha: Serbia me vrau xhaxhane, do hakmerrem ne fushe me Shqiperine
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Migjen Basha, bën të ditur se xhaxhai i tij është vrarë nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. 27-vjeçari, i cili aktivizohet me Torinon në Itali, thotë se do të kërkojë nga trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, që patjetër të aktivizohet në ndeshjet Shqipëri–Serbi dhe anasjelltas, për të dhënë maksimumin për të gjithë të vrarët në Kosovë. Një ndër shtyllat e Kombëtares së Shqipërisë ka nisur të mendojë shumë shpejt për ndeshjet që do të zhvillojë Shqipëria me Serbinë, në kundër të kualifikimeve për Kampionatin Europian, “Francë 2016”. Mesfushori nga Suhareka e Kosovës, i cili aktivizohet me Torinon në Serinë A, ka shumë arsye që të luftojë me mish e me shpirt në ndeshjet ndaj serbëve. “Do të kërkoj nga De Biazi që të më ftojë patjetër në ndeshjet me Serbinë. Xhaxhain tim e ka vrarë ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë. Në një farë mënyre dua hakmarrje për të vrarët në Kosovë. Nuk e di a do ta përfundoj këtë ndeshje, por do të jap gjithçka nga vetja vetëm për të fituar”, – ka thënë Migjen Basha, gjatë një interviste për gazetën kosovare “Sport Plus”.
“Mund t’ia dalim”
Përpos Serbisë, Shqipëria do të ketë punë edhe me Portugalinë, Danimarkën dhe Armeninë. Migjeni vlerëson se grupi nuk është aspak i lehtë. “Grupi është shumë i vështirë. E kemi analizuar dhe nuk është lehtë që të përballesh me ato skuadra që na kanë rënë në short”, deklaroi 27-vjeçari, të cilit nuk i janë shuar shpresat për ta ‘vizituar’ Francën. “Nëse nuk bëjmë gabime të vogla, mund t’ia dalim. Motivimi është shumë i madh, normalisht se vjen nga tifozët”, vlerësoi Basha. Italiani de Biazi qëkur ka marrë ‘timonin’ e Kombëtares, ka aktivizuar shumë lojtarë të rinj. “Pak a shumë është bërë grupi që do të luajë në eliminatoret e ardhshme. Trajneri na ka thënë se besoj në këtë grup”, theksoi mesfushori. Te Kombëtarja kuq e zi në vitet e fundit janë aktivizuar dhjetëra lojtarë nga Kosova. Ndryshe, Basha gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për grupmoshat e reja të Përfaqësueses së Zvicrës.
Apel tifozëve
Këtë vit ka “çelur” edhe një përfaqësuese tjetër shqiptare, ajo e Kosovës. Në këtë mënyrë, edhe tifozët shqiptarë kanë nisur që të ndahen në dysh sa i përket përkrahjes së Shqipërisë apo Kosovës. Migjeni ka një porosi për ta. “Emocionin më të madh në karrierën time e kam pasur në ndeshjen Shqipëri – Norvegji (1:1). Kam luajtur në shumë stadiume të botës, po si atë ditë nuk kam parë askund. Kam pasur të ftuar edhe disa miq nga Italia, të cilët gjatë ditës më thanë se a jeni çmendur, dhe pse po festoni para kohe. Apeloj tifozët që të qëndrojnë së bashku në përkrahje të Shqipërisë”, – deklaroi ai.
Ujkani dhe Sadiku
Portieri Samir Ujkani dhe mbrojtësi Loret Sadiku, më 5 mars të këtij viti nuk u paraqitën për Shqipërinë në ndeshjen me Maltën, mirëpo zgjedhën që të luajnë në miqësoren Kosova – Haiti. “Largimin e Ujkanit dhe Sadikut nuk dua ta komentoj, pasi gjithsecili i di punët e veta”, – theksoi Basha.
Vëllezërit
Mesfushori Migjen Basha nuk ka ndërmend që të largohet nga Shqipëria për Përfaqësuesen e Kosovës. “Unë nuk do të largohem nga Shqipëria. Kjo është definitive. Nga Kosova nuk kemi marrë ftesë. Nuk kam ndërmend të largohem edhe nëse më vjen ndonjë ftesë. Derisa të pranohet Kosova në FIFA e UEFA, ndoshta plakem dhe sigurisht që do të dalin talente të reja. Njësoj do të veprojë edhe vëllai im Vullneti (aktivizohet me Sionin)”, zbuloi titullari i Kombëtares shqiptare.