e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bardhi: Pas play off-it, prisni surpriza nga Farka Volej

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bardhi: Pas play off-it, prisni surpriza nga Farka Volej

Fitore e pastër dhe e merituar për Farka Volej në derbin me Tiranën në fundjavë që rigjen veten në "play off".
farka volejNë një intervistë për "Panorama Sport", "regjisori" i kësaj skuadre simpatike, Dritan Bardhi u shpreh se euforia është lënë pas krahëve.

Mes të tjerash, Bardhi theksoi se ky kampionat është më i rivalizuar se ai i një viti më parë. Gjithashtu, ai përmendi edhe një fakt se, përpos ofertave që patën lojtarët, ata s'e tradhtuan ekipin.

Dy fitore radhazi të arritura brenda javës, fillimisht me Teutën dhe më pas ndaj Tiranës. Kthesë e rëndësishme e ekipit...

Po, e vërtetë është. Besoj se i kemi merituar të dyja fitoret. Po shoh që skuadra po e rimerr veten pas asaj periudhe të keqe që kaloi. Megjithëse të humbësh me Vllazninë apo Studentin është normale për vetë kapacitetet që kanë. Pa dyshim që objektivi ynë mbetet kualifikimi në katërshe.

Keni mposhtur dy skuadra kandidate për titullin...

Kemi edhe fazën e tretë për të luajtur, ndaj të mos nxitohemi. E rëndësishme është që të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk ka mbaruar asgjë akoma. Ndoshta u vetëkënaqëm disi nga ai start pozitiv i kampionatit, por shpresojmë të rikuperojmë gradualisht.

Farka Volej pati një luhatje, mos vallë një mungesë përqendrimi?

Në fakt, pati një lloj euforie pas disa fitoreve radhazi si ajo në Shkodër apo pas triumfit tonë në turneun mbarëkombëtar kur realisht bëmë një përfaqësim dinjitoz dhe treguam nivel e bëmë mjaft ndeshje të bukura. E tashmja tregon që këtë situatë e kemi lënë pas dhe uroj të ruajmë këtë ritëm deri në fund.

Marrë shkas nga përmbysjet e shpeshta në renditje, mund të themi që ky kampionat është më i bukur se ai i një viti më parë?

Po, realisht. Në garë janë pesë skuadra në lojë, pjesë e së cilës është me meritë edhe Farka Volej. Konkurrenca është e madhe dhe kjo është e bukura e këtij kampionati. Por parashikoj se edhe më emocionues do të bëhet në vazhdim. Do të ketë edhe surpriza. Ju konfirmoj që vitin tjetër surpriza do të keni edhe nga Farka Volej. Për mua është kënaqësi e dyfishtë që drejtoj një ekip të tillë. Të gjithë janë nga Farka, plus edhe presidenti. Jo vetëm kaq, por ne kemi edhe ekipe zinxhirë me perspektivë. Edhe te skuadra e të rinjve pritshmëritë janë për një rritje. Ka mjaft kandidatë të denjë edhe për ekipin e të rriturve.

Mund të themi që "play off"-i është përfundimisht i realizueshëm si objektiv?

Jo, është herët. Duhet ta pranojmë që kundërshtarët tanë kanë mjaft përvojë. Për më tepër që kemi për të luajtur edhe një fazë tjetër.

Asnjë lojtar i larguar nga Farka Volej. Është kjo strategjia juaj apo?

Realisht kërkesat për disa prej lojtarëve tanë nuk kanë munguar. Por, ne kemi bërë një pakt në grup për të mos u larguar. Jemi një familje, e kemi nisur bashkë nga zeroja dhe ja ku jemi për momentin. Ne nuk rrimë dot pa njëri-tjetrin, e kemi shumë të vështirë të largohemi nga ky ekip. Nuk e tradhtojmë njëri-tjetrin.

Një mundësi e mirë promovimi i lojtarëve tuaj është edhe kombëtarja.

Dy nga lojtarët tanë Qepa dhe Koçi janë grumbulluar edhe më herët, por pritshmëritë e mia janë për të qenë sërish pjesë e kombëtares. Rasti i Koçit është i rrallë, 2.02 metra. Është një talent.

Kush ju ka surprizuar nga skuadra këtë edicion?

Tek të rriturit jam në pritshmëritë e mia, kurse me të rinjtë më duhet të përmend një tjetër talent si Leonard Doda, 1.92 m dhe i datëlindjes 2000.

Përgatiti: OLGERT SERANI