e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Barcelona kalon nga duart e Tito te 'Tata'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barcelona kalon nga duart e Tito te 'Tata'

Barcelona duket se ka zgjedhur argjentinasin Gerardo Martino, i njohur si “Tata”, për të marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të Tito Vilanovas. Ndonëse nuk ka asgjë zyrtare, mediat argjentinase dhe ato spanjolle kanë raportuar se drejtori sportiv, Andoni Zubiozarreta, si dhe drejtori i futbollit, Raul Sanllehi, pritet të takohen me trajnerin argjentinas, i “sponsorizuar” nga Lionel Mesi.

Mesi ka një opinion mjaft pozitiv për Martinon dhe këtë nuk e ka fshehur në intervistën e dhënë rreth një muaj më parë për mediat argjentinase. “Mua më pëlqen shumë Tata Martino, është një trajner i madh dhe këtë e tregoi në kampionat me Njuells”, ishin fjalët e Mesit vetëm një muaj më parë në faqet e gazetës “Ole”, e cila ka publikuar përsëri të njëjtën intervistë, duke theksuar se opinioni i argjentinasit ishte marrë parasysh nga drejtuesit katalanas.

Sigurisht, Barcelona nuk është mjaftuar vetëm me rekomandimin e Mesit, pasi Zubizarreta gjatë dy ditëve të fundit ka komunikuar me persona që e njohin shumë mirë atë, si “mësuesi” i tij, Marcelo Bielsa, apo Horge Valdano, të cilët kanë folur me superlativa. Ata i kanë kujtuar drejtuesit të katalanasve se Tata ishte një trajner që favorizonte lojën e bukur dhe mund të bënte mrekulli me lojtarët që kishte në dispozicion. Këtë fakt e konfirmon më së miri periudha e tij e suksesshme te skuadra ku ka pasur në dispozicion alternativa cilësore, si te Paraguai në Botërorin 2010, si dhe me Njuells në kampionatin e kaluar në Argjentinë. Kjo është arsyeja kryesore pse ai ishte kërkuar me ngulm gjatë verës nga Real Sociedad dhe Malaga, pa harruar këtu Real Madridin, që e kishte parë atë si “Plani C” nëse dështonte transferimi i Ançelotit.

Diskutimet me argjentinasin kanë filluar që të shtunën, por kontakti i drejtpërdrejtë mes palëve do të bëhet sot, me shpresën se gjatë dy ditëve të ardhshme të jepet lajmi i emërimit të trajnerit të ri. Martino pritet të ruajë të njëjtin stil loje të katalanasve, pasi ai është një adhurues i filozofisë së lojës së trajnerëve si Guardiola e Bielsa, nga të cilët deklaron shpesh se ka mësuar shumë dhe i merr si shembull në punën e tij.

“Admiroj Bielsan, Pelegrinin e Guardiolën. Stili i Pep është ai që më pëlqen më shumë. Unë identifikohem me futbollin që praktikon Barcelona. Respekti për lojën e bukur, të sulmosh me të gjitha forcat, mbajtja e topit, trekëndëshat. Pasimi është baza e futbollit”, ishte deklarata e bërë nga Martino në qershorin e këtij viti. Duket se këto fjalë kanë qenë një garanci më shumë për drejtuesit e Barcelonës, të ndërgjegjshëm se kjo mënyrë loje është ajo me të cilën janë mësuar tifozët katalanas dhe asgjë tjetër nuk do të cilësohej si e pranueshme në “Kamp Nou”.

Martino

Argjentinasi u bë i njohur pasi çoi Paraguain në çerekfinalet e Botërorit 2010 dhe më pas fitoi titullin kampion në Argjentinë me klubin e Njuells Old Bois