e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Barcelona dhe Real Madrid, eshte momenti i se vertetes

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barcelona dhe Real Madrid, eshte momenti i se vertetes
Është java e “El Clasico”-s së dyfishtë. Barcelona dhe Real Madridi do të ndeshen dy herë, e para në “Kamp Nou” sot në mbrëmje. Një sfidë e dyfishtë që vlen shumë, ndoshta një sezon i tërë dhe mbi të gjitha, për të ardhmen e dy klubeve. Nga njëra anë, katalanasit në rënie, disa flasin për “krizë” pas humbjes befasuese kundër Milanit dhe vështirësive ndaj Seviljes, nga ana tjetër Reali, që vetëm në sfidat direkte kundër rivalëve historikë gjen stimujt e vetëm në nivel kombëtar. Fitimi i Kupës së Mbretit dhe një fitore në kampionat do të shpëtonin në fakt vitin problematik të Zhoze Murinjos dhe do të mbyllnin, në mënyrë pozitive, eksperiencën e “Special One” në Madrid.

Problemet e Barçës – Të ardhur nga një humbje e shëmtuar në “San Siro” kundër Milanit, katalanasit kërkojnë një revansh konkret pikërisht ndaj Realit të Madridit. Kjo sfidë mund të shpëtojë ose të fundosë djemtë e dyshes Vilanova-Roura. Barçës i mungon vërtet një “plan B” dhe vështirë që katalanasit të gjejnë rrugëzgjidhje pikërisht kundër Realit. Makina e Barçës e ka të vështirë të imponojë lojën e saj dhe qarkullimi i topit, gjithnjë mbi 70%, por me zero gjuajtje në portë, po i ndërlikon jo pak gjërat. Në bazën e kësaj mungese absolute të konkretizimit janë disa faktorë: Lojtarët nuk lëvizin në fushë, mungon qartësia dhe gjuajtjet nga jashtë zonës. Nuk mund të jetë zgjidhje gjithnjë Mesi dhe kjo Barcelonë ka filluar, ndoshta ta kuptojë. Përvoja e David Vijas mund të luajë rol deciziv. Është interesant fakti që katalanasit i përqendrojnë në të djathtë, pikërisht në krahun më të dobët, të gjitha iniciativat ofensive. Me një Dani Alvesh i cili duket në minimumin e tij historik. Edhe ndaj Seviljes u vërejt kjo gjë. Pikërisht Iniesta dhe Montoja janë gjendur të bllokuar për shumë minuta. Në disa raste, Iniesta ngrinte duart në shenjë të qartë shqetësimi. Gjëra që nuk janë parë kurrë te Barcelona. Për të komplikuar gjërat shërben çështja e re “Método3” me spiunazhin e mundshëm të disa lojtarëve. Mes të cilëve Zherad Pike. Të gjitha këto, vetëm fitoret mund t’i ridimensionojë.

Real i varur nga CR7 – Në pesë ditë, Reali mund të zgjidhë një sezon të tërë. Problemi i tyre është se janë të varur nga Kristiano Ronaldo. Por në krahasim me Barçën, Reali është skuadër më “e keqe” dhe e aftë të shfrytëzojë rastet. Në sulm Benzema e Higuain ofrojnë disa qartësi më shumë. Atyre u shtohen paraqitjet e mira të Kaka, që për karakteristikat që ka, mund të luajë një rol të rëndësishëm. Barça ka demonstruar në shumë raste se vuan pozicionin dhe lëvizjet e lojtarëve si braziliani. Gjuajtjet nga distanca duket se do të luajnë rol vendimtar për Realin. Jo rastësisht, ata janë stërvitur këto ditë për ta përmirësuar këtë art. Ankth ka për rikuperimin e Varane në mbrojtje.

Mesi Vs. Ronaldo – Ky është dueli i 18 mes tyre, ndaj sytë janë fokusuar te dy yjet. Ronaldo po kalon një moment më të mirë se argjentinasi. “El Clasico”, dihet, është një ndeshje më vete dhe çdo statistikë e saj vlen. Pas një 2012 për rekord, Mesi po jeton një periudhë rënie dhe Ronaldo mund shtojë llogarinë e golave në sfidat direkte Barça-Real, tani në favor të Mesit me një gol të vetëm (11 kundër 10 të portugezit). Ndërsa 2013 i buzëqesh CR7-ës, që mes La Ligas, Kombëtares, Kupës dhe Champions League ka futur në kasafortë 15 gola, një më shumë se Mesi. Dritat janë mbi Mesin dhe Kristiano Ronaldon. Reali e Barcelona, në udhëkryq. Mes të gjithë derbeve të Spanjës, ky duket vërtet mes më të rëndësishmëve…

Formacionet e mundshme

Barcelona - Victor Valdes, Alvesh, Pike, Pujol, Zhordi Alba, Xavi, Buskets, Fabregas, Pedro, Mesi, Iniesta

Real Madrid - Diego Lopez, Arbeloa, Pepe, Ramos, Koentrao, Khedira, Alonso, Di Maria, Ëzil, Ronaldo, Benzema

Real Madrid
Murinjo sfidon Barçën: Nga ata ka vetëm për të mësuar…

Për surprizë, Zhoze Murinjo shfaqet në konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës. “Nuk e kam vendosur se kush do të luajë: zakonisht e di dhe nuk jua them, sot nuk e di. Këto janë ndeshje që të gjithë duan të luajnë, për këtë jemi këtu. Barcelona? Një skuadër e madhe nuk jeton nga momentet”, u shpreh Murinjo, i cili më pas ironizoi mbi ankesat e Zhordi Rouras për gjyqtarin Undiano Majenko: “Unë preferoj të kujtoj leksionin e sportivitetit, që kemi marrë nga Barça në të kaluarën, mendimi i tyre vetëm për futboll, të mosfolurit për gjyqtarët, mosushtrimi presion ndaj gjyqtarit në fushë, mossimulimi për të ndëshkuar gjyqtarin, mendimi i tyre vetëm për të luajtur, gjëra që ndër të tjera janë të mira”.

Barcelona
Roura kundër gjyqtarit: Me të, rezultatet më të këqija

Barcelona nuk po kalon momentet e saj më të mira, por gjithsesi nuk ka shumë kohë, pasi sot i duhet të përballet me Realin e Madridit. Ndihmësi i Tito Vilanovës, Zhordi Roura, ka reaguar para “El Clasico”-s. Dhe menjëherë ka vënë nën presion gjyqtarin Undiano Majenko: “Me të kemi pasur gjithnjë statistikat më të këqija, të gjithë ne e kujtojmë se si u drejtua finalja e kupës 2011, në të cilin u lejua gjithçka”. Më pas Roura analizon sfidën delikate: Do të jetë një ndeshje shumë e komplikuar, por skuadra është shumë e përqendruar. Ne jemi një ekip që gjithmonë luan në sulm, gjithnjë në kërkim të fitores. I respektojmë të gjithë, por nuk kemi frikë askënd. Jemi optimistë. Mesi? Natyrisht që të gjithë mund të përmirësohen, si unë dhe si të gjithë ju. Të diskutosh për Mesin, më duket se nuk është vendi”.