e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Barazimi zbeh disi festen e Kosoves

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Barazimi zbeh disi festen e Kosoves

Miqësorja e parë zyrtare, e konsideruar si historike, ka përfunduar pa gola për Kosovën. Kombëtarja e drejtuar nga Bunjaku ka dominuar në të gjitha drejtimet, ka krijuar volum të madh loje e raste, por është ndalur në finalizim. Kjo sa për meritë të mbrojtjes haitiane, reparti më solid i miqve, por edhe për mefshtësi të lojtarëve ofensivë vendës. Pengesë për zhvillimin sa më normal të kësaj ndeshjeje është bërë edhe terreni i stadiumit të Mitrovicës, ku u luajt ndaj Haitit, i cili me kalimin e minutave u rëndua më shumë. Festa e madhe e rreth 18 mijë tifozëve, të pranishëm në shkallët e stadiumit, i mbushur plot e përplot, nuk u sinkronizua dot me një fitore të lojtarëve në fushë. Megjithatë, me rëndësi historike për kosovarët është se nisi një rrugë e gjatë, ende e pazyrtarizuar nën organizimin e UEFA-s dhe FIFA-s, por kjo gjë pritet të vijë së bashku me anëtarësimin në OKB të shtetit më të ri në Europës. Kujtojmë se skuadra e drejtuar nga Albert Bunjaki ende nuk mund të përfaqësohet me të gjitha të drejtat në arenën ndërkombëtare dhe nuk mundet të marrë pjesë as në kompeticionet zyrtare, por gjithsesi ky mbetet një hap i rëndësishëm dhe pritet të nxisë edhe më shumë anëtarësimin në FIFA dhe UEFA.

KOSOVA-HAITI 0-0

Kosova: Ujkani, Përdedaj, Nushi, Sadiku (Rexhepi 65′), Pepa, Rashkaj, A.Gashi (L.Krasniqi 72′), Alushi, Hasani (Kastrati 86′), A.Bunjaku (Toski 72′), Azemi (Bytyqi 57′) . Trajner: A.Bunjaku

Pritje fenomenale e tifozëve për lojtarët e të dyja kombëtarëve. Të gjitha brohorasin “Kosova, Kosova”. Para fillimit të ndeshjes, futbollistët i kanë përshëndetur presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Ekipi kombëtar i Kosovës dhe Haitit kanë dalë në fushë ndërkaq. Loja ka nisur nga mesfusha prej ekipit të kombëtares së Kosovës. Fishekzjarrë me ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës kanë përcjellë fillimin e kësaj miqësoreje. Megjithatë, Kosova në këtë ndeshje paraqitet pa simbole shtetërore dhe pa himn, ndërsa “fusnota” është e pranishme menjëherë pas emrit “Kosovo”. Minutat e para po zhvillohen më së shumti në mesfushë, ndërkohë që lojtarët e të dyja skuadrave duhet të ambientohen me terrenin e rrëshqitshëm, nga shirat e rëna e që vijojnë të bjenë, ndërkaq.


Në minutën e dytë kishte një ndërprerje të lojës pas një ndërhyrjeje të parregullt të Rraskajt, por mbrojtja e Kosovës u tregua e kujdesshme. Më tej Kosova ndërmerr një kundërsulm, por sulmuesi Bunjaku rrëshqet dhe këtu përfundon aksioni. Troket minuta e 12-të, Kosova shumë afër shënimit të golit të parë. Shpëtim Hasani godet, por ndal portieri haitian, Zephirin. Kalojnë 30 minutat e para, por rastet në portat respektive janë të pakta. Ngulmon Kosova, por është e paqartë, repartet nuk koordinohen si duhet, ndërsa Haiti luan më shumë në gjysmëfushën e vet, duke tentuar të dalë në kundërsulm dhe ta zërë në befasi kundërshtarin.


Rritet disi loja e kosovarëve pas gjysmës së parë të miqësores, teksa ishin dy herë pranë shënimit të golit të parë, por mundësitë nuk i shfrytëzuan si dihet, sidomos Bunjaku dhe Azemi. Edhe Alushi në minutën e 36-të, pas asistit të Bunjakut, gabon duke goditur me paskatësi, edhe pse në pozicion të favorshëm. Pesë minuta ntga fundi i pjesës së parë, një mundësi ideale edhe për Ilir Azemin, që i vetëm me portën kundërshtare vonon, gjuan, por topi devijohet nga kapiteni mik. Mbyllet pjesa e parë pa gola, me disa mundësi të mira të Kosovës, por që gaboi në finalizim.


Edhe pjesa e dytë nis në ofenisvë për kosovarët. Loret Sadiku shfaq siguri të madhe në mbrojtje, ndërsa nuk ngurron të adresojë pasime të gjata drejt sulmuesve. Kujtojmë se ky fraksion loje ka nisur me tri zëvendësime për Haitin, ndërsa Kosova asnjë. Kosova viojon dominimin me raste dhe me lojë. Disa herë sulmuesit kosovarë ishin afër golit, por në momentin final u devijohet goditja në këndore. Mjaft të saktë në prapavijë haitianët. Duke parë se dicka calon te sulmi, trajneri Bunjaku bën zëvendësimin e parë në këtë repart. Del Ilir Azemi, bashkëlojtar i Mavrajt, dhe hidhet në fushë 17-vjecari Zymer Bytyqi. Nuk vonon shumë dhe trajneri kosovar nxjerr nga loja mbrojtësin Loret Sadiku për Rexhepin, ndërkohë që terreni i fushës është rënduar së tepërmi. Topi ngec në lucë në pjesën e mesit të fushës. Drithërima në portën e Haitit. Faton Toski ekzekuton nga goditja e dënimit në minutën e 17-të, topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të kuadratit mik. Minutat e mëpastajme nuk sollën ndonjë gjë të re, teksa goli nuk doli në dritë. Ky ishte ndoshta “pengu” i madh i kësaj miqësoreje historike, por edhe i 18 mijë tifozëve në stadiumin “Adem Jashari”.

Kritikat për Bunjakun Afrim Tovërlani e Bylbyl Sokoli vlerësojnë se mosftuarja e lojtarit më të mirë të Kosovës në pesë vjetët e fundit, Mentor Zhdrella, është goxha gabim i seleksionuesit Albert Bunjaki. Ata, bazuar në moshën e re të të ftuarve dhe klubet prej nga vijnë, thonë se është dashur të ftoheshin disa lojtarë nga kampionati i Kosovës e disa nga ai i Shqipërisë, ku luajnë një numër i madh i kosovarëve. Në listën e Bunjakit është edhe një 16-vjeçar dhe dy 17- vjeçarë. Vetë Bunjaki është justifikuar, duke thënë se forma fizike e lojtarëve të Superligës nuk është e mirë, por kjo ka ashpërsuar akoma më shumë tonet e ekspertëve vendës.

Delegacion i FSHF-së në Mitrovicë


Shqipëria e futbollit është zyrtarisht pjesëmarrëse, nëpërmjet një delegacioni të nivelit të lartë, në miqësoren 5 marsit mes Kosovës dhe Haitit. Me ftesë të Federatës së Kosovës, delegacioni shqiptar i kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, janë në Mitrovicë, ku po zhvillohet edhe ndeshja e parë ndërkombëtare zyrtare e Kosovës.

Ujkanit i “mbyllin” gojën


Portieri i skuadrës së Palermos, Samir Ujkani, nuk ka dashur të fliste për median kosovare. Ai tha se nuk mund të flasë, duke qenë se një gjë të tillë ia kishte sugjeruar trajneri Albert Bunjaki. “Nuk mund të flas për asgjë. Më vjen keq, por kështu na ka thënë trajneri Albert Bunjaki. Flasim pas ndeshjes”, – ka thënë Ujkani. 25-vjeçari ka vendosur të mos luajë më për Shqipërinë, por për Kosovën. Ai me kombëtaren e Shqipërisë ka zhvilluar 19 paraqitje, ndërkohë që u largua nga grupi kuqezi vetëm me një mesazh telefonik dërguar trajnerit De Biazi. “Kam vendosur të mos vij më në Kombëtare. Paçi fat!”, – ishte mesazhi i lojtarit.

Kandidati për president i FIFA-s, në Kosovë


Kandidati për president i FIFA-s, Jerome Champagne, ka mbërritur të martën në Kosovë dhe e ka përcjellë nga afër miqësoren e parë historike të shtetit më të ri të Europës, luajtur ndaj Haitit. Ai ishte ftuar nga Federata e Futbollit të Kosovës për këtë event pikant dhe që shënon nisjen e një ruge të re. Champagne të martën vizitoi edhe ekipin përfaqësues kosovar, ndërsa po mbante stërvitjen e fundit në Obilic, por nuk u prononcua për mediat. Champagne është këshilltar i FFK-së në procesin e kësaj të fundit drejt ndërkombëtarizimit. Më parë ishte këshilltar edhe i presidentit aktual të FIFA-s, Sep Blater, ndërkohë që më 2015 pritet të jetë kundërkandidat i tij për kreun e qeverisë botërore të futbollit.

Rreth 110 media përcjellin Kosova-Haiti


Sipas organizatorëve të miqësores Kosovë-Haiti, kanë qenë mbi 100 gazetarë, mbi 40 kameramanë dhe mbi 60 fotoreporterë të pranishëm në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, pa llogaritur këtu edhe pjesëtarët e kompanive televizive që kanë bërë transmetimin direkt të ndeshjes. Sipas organizatorëve, përpos mediave vendëse dhe nga rajoni, të akredituar ka patur edhe nga Norvegjia, Suedia, Finlanda, Brazili, Franca, Gjermania, Serbia e të tjerë.