e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Bajern a Dortmund fitojne Championsin'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Bajern a Dortmund fitojne Championsin'
Që prej 11 vitesh, Otmar Hicfeld respekton ritualin para Krishtlindjeve, duke bërë ski në Sankt Anton të Austrisë, në lartësinë 1500 metra. Së bashku me ishasistentët e tij, Mikael Henke dhe Mikael Maier, trajneri i Zvicrës ka mirëpritur reporterin e “Bild” për të dhënë një intervistë, ndoshta të fundit për këtë vit.

Nga alpet e Austrisë, trajneri legjendar Otmar Hicfeld bën një përmbledhje të gjithë fazës së parë, jep mendimin e tij mbi fituesin e mundshëm të Bundesligës, Champions-it, si dhe parashikon se Grojter Fyrthi dhe Augsburgu janë dy skuadrat, të cilat mund të rrëzohen në Bundesligën 2. Sipas tij, ato mund të kenë një shans shpëtimi vetëm nëse bëjnë merkato të fuqishme në janar. Ndërsa, për sa i përket karrierës së tij, lë të nënkuptohet se Botërori 2014 është stacioni i fundit të tij si trajner. Ai nuk planifikon asnjë rikthim në Bundesligë.

Z.Hicfeld, e keni kthyer në traditë të bërit ski në Austri para Krishtlindjeve. Si ndiheni?

Si skiator të mirë e mban veten Mikael Maier (ishmenaxheri i Dortmundit në kohën e Hicfeldit). Këtu ndihem shumë mirë, pasi klima, atmosfera këtu, por edhe ky lloj sporti të heq çdo stres. Më pëlqen jashtë mase.

OK, skiatori më i mirë është Maier, po klubi më i mirë i Bundesligës, cili është?

Pa diskutim që Bajerni i Mynihut. Nuk ka në Europë organikë më të mirë, më të fortë dhe më të zgjeruar se rekordmenët. Manxukiç dhe Pizarro tani po përshtaten, ndërsa i kanë dhënë tipare të ndryshme ofensivës. Nga ana tjetër, Dante i ka dhënë stabilitet mbrojtjes, kurse 40- milionëshi Martinez u ka dhënë ndikime të veçanta dy mesfushorëve të tjerë, gjithashtu edhe Shaqiri.

Cilit?

Gustavo është bërë më vigjilent, ndërsa ka shtuar dukshëm ambiciet dhe shpirtin luftarak. Pra, është përmirësuar. Gjithashtu edhe Shvajnshtaiger ka përfituar. Duke pasur konkurrencë të fortë ai ndihet më i motivuar.

Gara për titull duket se është paravendosur…

Ky diskutim është mbyllur që kur Bajerni arriti ta tregonte sërish vazhdimësinë në tre kampionatet pjesëmarrëse. Mbajti konstant diferencën me rivalët në Bundesligë, duke përfituar nga gabimet e të tjerëve dhe njëkohësisht vendosi vetë fatin për në 1/ 8-at e Champions-it dhe 1/4-at e Kupës së Gjermanisë. Pra, këtë lodhje të trefishtë arriti ta përballonte vetëm Bajerni. Ndërsa Dortmundi ka lënë shumë pikë në shtëpi dhe u kujtua me vonesë për ta tjetërsuar ecurinë. Gjithashtu, duke u bazuar edhe te zhgënjimi i vjetshëm, Bajerni i Mynihut në mos nuk është shpallur “de juro”, “de facto” është kampion i Gjermanisë.

Fituat Champions-in 1997 me verdhezinjtë së bashku me menaxherin Maier. Po këtë sezon, cila skuadër e fiton Ligën e Kampioneve? Mos ndoshta erdhi momenti i skuadrave gjermane?

Konkurrenca është e fortë, por besoj shumë si te Dortmundi dhe Bajerni. Mendoj se ka shumë të bëjë shorti. Mirëpo fakt është që Bundesliga gjermane është më e fortë se kurrë më parë.

Mendoni se Frankfurti, Mainci dhe Fraiburgu mund të bëhen pjesë e Champions- it të ardhshëm?

Për mua është garë e hapur dhe Frankfurtin e shoh më afër këtij objektivi. Pas Bajernit dhe Dortmundit, besoj se dy të tjerat do të jenë Shalke dhe Leverkuseni pa dyshim.

Cila skuadër mendoni se do të rrëzohet në Bundesligën 2?

Nuk besoj se ka për të ndryshuar shumë kjo diferencë e fazës së parë. Augsburgu dhe Grojter Fyrthi do të rrëzohen direkt, nëse nuk bëjnë përforcime të mira në merkaton e janarit. Keni punuar gjatë dhe keni fituar gjithçka në Bundesligë.

Planifikoni që të riktheheni një ditë?

Nuk besoj. Jam në kontratë me Zvicrën deri në 2014-ën dhe dua të jap maksimumin në Brazil 2014. Ky është qëllimi më i madh dhe jo angazhimi i përditshëm si trajner klubesh.