Bajern-Real, vjen ora e se vertetes per gjigantet e futbollit europian
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Historia - Në 10 ndeshjet e luajtura në Mynih mes dy skuadrave, Bajerni ka fituar nëntë prej tyre, ndërsa një sfidë ka përfunduar në barazim
Liga e Kampioneve do të mësojë sot emrin e finalistit të parë të këtij edicioni të saj, skuadrës që padyshim do të mbajë edhe petkun e favoritit në finalen e Lisbonës. Përballë vihen Bajern Mynihu dhe Real Madridi, dy gjigantët e futbollit europian, ndër më të suksesshmit në arenën ndërkombëtare, me emra që garantojnë emocione e spektakël në ndeshjen e sotme në “Allianz Arena”.
Spanjollët vijnë në këtë sfidë me avantazhin e një goli të vetëm të shënuar në ndeshjen e parë në fushën e tyre. Ishte Karim Benzema ai që gjeti rrugën e rrjetës në atë sfidë, duke afruar më shumë finalen, e cila u ka shpëtuar madrilenëve nga duart në tri sezonet e fundit radhazi. Ançeloti këtë radhë do të hedhë në fushë që nga minuta e parë dyshen Ronaldo-Beil, të cilët bënë stafetë në ndeshjen e parë, për shkak të problemeve shëndetësore. Të dy lojtarët do të mundohen të shfrytëzojnë shpejtësinë dhe teknikën e tyre për të goditur në kundërsulm sa herë që t’u jepet mundësia, në një ndeshje që pritet të flasë thuajse tërësisht për ekipin vendas për sa i përket kontrollit të topit.
Bavarezët e drejtuar nga Guardiola e kanë parë veten si rrallëherë në këtë sezon në një pozicion shumë të vështirë, atë të jofavoritit. Kjo ka shtyrë drejtuesit dhe lojtarët e skuadrës që të kërkojnë edhe ndihmën e tifozëve për të mposhtur Realin. Premtimi i Rumeniges për “ferrin në Mynih” është ndjekur nga ai i Roben për “një stadium në flakë”, që tregon qartësisht se si po përjetohet te skuadra gjermane pragndeshja e kësaj sfide që ka vënë në dyshim dominimin e fituesve në fuqi në Europë.
Sfida do të dhurojë shumë duele interesante që do të vendosin edhe fatet e saj. Riberi duhet të provojë të thyejë murin e ndërtuar para tij nga Karvahal dhe Ramos, të cilët e detyruan atë të zhvillonte një nga ndeshjet më të dobëta të këtij sezoni një javë më parë. Po ashtu, Shvajnshtajger duhet të tregojë se e meriton një vend në elitën e mesfushorëve në Europë, duke triumfuar përballë dyshes Modriç-Alonso, të cilët mbyllën çdo hapësirë për të, ndërsa ulën kësisoj edhe rrezikshmërinë e manovrës së bavarezëve. Por po aq interesante do të jenë edhe duelet e shpejtësisë: Ronaldo kundër Lahm dhe Beil kundër Alaba. Një driblim apo një sprint i dy madrilenëve mund të rezultojë fatal për fatet e ndeshjes, pasi një gol në fushën kundërshtare nga ana e spanjollëve do të detyronte skuadrën gjermane të shënonte 3 të tillë për të shkuar në finalen e Ligës së Kampioneve për vitin e tretë radhazi.
Kontrolli i topit i Guardiolës apo kundërzbritjet e shpejta të Ançelotit? Beteja në pankina është po aq e bukur, me dy takticienët që vihen përsëri përballë njëri-tjetrit në këtë sfidë, e cila nuk ka marrë rastësisht emërtimin “finalja para finales”. Kushdo që fiton, është një hap më afër një trofeu që padyshim do të jetë historik.
Bajern Mynih
Trajneri spanjoll është i bindur se futbolli i tij me shumë pasime do të triumfojë përsëri
Guardiola: Në Madrid mendojnë se janë në finale
Pep Guardiola ka ironizuar me mediat spanjolle në konferencën e tij të fundit për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampioneve mes Bajern Mynihut dhe Real Madridit. “Kam lexuar në mediat madrilene se ata janë në finalen e Ligës së Kampioneve, ndërsa ne jo, pasi jemi mundur 1-0. Jo vetëm janë në finale, por edhe e kanë fituar atë! Ne nuk jemi në lartësinë e tyre”, ishte komenti ironik i trajnerit spanjoll të bavarezëve. Më pas, Guardiola ka shpjeguar se pse do të insistojë që skuadra të vazhdojë të luajë me taktikën e mbajtjes së gjatë të topit, edhe pse ajo nuk solli rezultate në sfidën e parë mes dy ekipeve. “Unë adhuroj mbajtjen e topit, pasi kështu krijohen më shumë raste dhe pësohen më pak kundërsulme. Nuk më pëlqejnë statistikat, nuk besoj tek ato, por në Madrid ekzekutuam më shumë goditje këndi, gjuajtëm më shumë, kishim më shumë kontakt me topin, edhe pse rezultati nuk na dha të drejtë. Është e vërtetë që duhet të jemi më efektivë. Nuk më pëlqen ta mbaj topin gjatë gjithë ndeshjes e të krijoj vetëm dy raste. Të gjithë bëhen futbollistë, pasi u pëlqen të luajnë me top dhe kjo është ajo tek e cila unë besoj”, ishin fjalët e teknikut që ka hedhur poshtë idenë se Real Madridi do të “parkonte autobusin” për të siguruar një rezultat në “Allianz Arena”. “Duke njohur mentalitetin e trajnerit të tyre, e di që do të dalin para dhe do të kërkojnë të shënojnë. Nuk besoj se do të qëndrojnë në mbrojtje për 90 minuta. Ndoshta do të jemi ne që do të tërhiqemi pak dhe t’i befasojmë në kundërsulme, pasi edhe ne kemi lojtarë shumë të shpejtë. Si të mbrohesh ndaj Realit? Lojtarët e tyre të shpejtë nuk mund t’i ndalësh as me mbrojtësit më të shpejtë në botë. Po u le kontrollin e topit, ata fitojnë shumë faulle dhe në goditje standarde, Ronaldo e Beil, janë të rrezikshëm, ndaj do të na duhet të kemi kujdes gjithsesi”.