e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Bajern Juve 4-2/ Notat për lojtarët dhe trajnerët

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajern  Juve 4-2/ Notat për lojtarët dhe trajnerët

BAJERN MYNIH bajern juveNojer 6,5 - Një mrekulli ndaj Kuadrados i mohoi golin e 0-3 Juventusit në pjesën e parë. Do të kishte qenë goli i nokautit. I sigurt në goditjen e Lihshtainerit në shtesën e parë dhe i kujdesshëm në fund.

LAHM 6,5 - Kuadrado e gjunjëzon në golin e parë. Ishte në kohëvonesë dhe nuk ka faj të madh. Për pjesën e mbetur tregoi qëndrueshmërinë e zakonshme psikologjike dhe taktike. Mes pjesës së dytë dhe shtesave nuk gabon një top të vetëm.

KIMISH 4,5 - Pak i trembur në vendosje. Duket që nuk ndihet komod në rolin e mbrojtësit. Vuan për një orë, por pastaj provon të orientohet. Megjithatë, është përshtypja se sa herë sulmohet në shpejtësi gjendet në vështirësi. I shëmtuar bërryli ndaj Moratës që nuk u pa nga Erikson.

BENATIA 5 - Morata lëviz lart në fushë dhe ai nuk është në kondicion. I ngadaltë dhe shpesh jashtë pozicioni. Negativ dhe zëvendësohet në pushim

(Nga 46´ BERNAT 6,5 - Në të majtë luan me grintë gjatë pjesës së dytë. Riaktivizon Riberinë dhe pastron korsinë duke i shtuar energji pozitive lojës së Bajernit).

ALABA 5 - I tmerrshëm në pjesën e parë. Humbet Lihshtainerin në golin e parë dhe bën gafa të vazhdueshme. Pastaj i vidhet edhe topi që sjell golin e dytë në kundërsulm. Edhe në pjesën e dytë i mungon qartësia.

ALONSO 5 - I zgjedhur nga Guardiola për të thyer nisjen e italianëve: mision i dështuar. I ngadaltë në qarkullimin e topit dhe i papërshtatshëm në këtë rol.

(Nga 60´ Koman 8 - Fantastik. I jep impakt pozitiv ndeshjes. Fillimisht rikuperon topin dhe e shërben për Duglas Kostën për krosimin që sjell golin e Levës. Pastaj shërben krosimin nga i cili ndëshkon Myler. Në fund e mbyll me kryeveprën që vulos kualifikimin e Bajernit. Çfarë pengu i "Zonjës" për ish-juventinin).

RIBERI 6 - Zëvendësuesi i Robenit. Keq në pjesën e parë. Rritet në të dytën i spostuar në të majtë për të hyrë nga e djathta derisa merr notën e mjaftueshme (Nga 101´ TIAGO 6,5 - Hyn dhe shënon golin e fitores, ai që shmang penalltitë. Çfarë doni më tepër?).

MYLER 6,5 - I vetmi i rrezikshëm i Bajernit në pjesën e parë. Shikohet pak në fushë, ka raste të rralla, por në momentin e duhur nuk gabon. E tija goditja e golit të 2-2, i cili e dërgoi ndeshjen në shtesë.

Vidal 7 - Vuan të gjejë pozicionin në pjesën e parë. Pastaj merr komandën e mesfushës. Një luftëtar, i cili ngre në këmbë të gjithë "Allianz Arena"-n me ndërhyrjet e tij.

KOSTA 7 - Tenton shpesh qendrën në pjesën e parë për të shkarkuar të majtën. Në pjesën e dytë spostohet në të majtë. I vetmi i Bajernit që u duk gjatë gjithë 120 minutave. Asisti për Levandovskin është sublim. Një nga më të mirët mes bavarezëve.

LEVANDOVSKI 6,5 - Shumë nervoz. Bonuçi dhe Barzalji i marrin frymën. Por, në të vetmin rast të mirë që ka, topin e dërgon brenda. 7 ndeshje radhazi në shtëpi (në Champions) që nuk i mungon goli.

Trajneri GUARDIOLA 5,5 - Nuk e lexon mirë ndeshjen në pjesën e parë. Një tmerr i vërtetë. Por godet me të gjitha ndërrimet dhe vlerësohet edhe nga fati në minutën e 91-të. Por dje nuk ishte absolutisht ai strategu që jemi mësuar të njohim.

JUVENTUS

BUFON 6 - Reflekse të shkëlqyera ndaj Mylerit në pjesën e parë, por nuk mund të bëjë dot asgjë në golin e Levandovskit, Mylerit dhe dy golat e kohës shtesë. I sigurt në dalje dhe transmeton qetësi. Asnjë mrekulli "alla Bufon". Mbrëmje e trishtë, pavarësisht rekordit të ndeshjeve në Champions të një lojtari të Juventusit (90).

LIHTSHTAINER 6 - Protagonist në golin e parë të italianëve. Luan me kujdes ndaj Riberisë për një orë dhe, kur mundet, ndihmon edhe Kuadradon. Nuk lexon lëvizjen e Mylerit te goli i barazimit, por nuk ishte e lehtë. Në tërësi bën provë të mirë.

BARZALJI 6,5 - Perfekt deri në shtesë. Brilant, i sigurt, atletikisht shkëlqeu. Spastron gjithçka me shpejtësi. Por, në minutën e 91-të, nuk kupton largimin e Mylerit në shtyllën e dytë. Sa keq, sepse do të kishte marrë një notë më të lartë.

BONUÇI 5,5 - Nuk është Bonuçi i zakonshëm. I rëndë gabimi te goli i Levandovskit: e humbet dhe polaku shënon me kokë golin e 1-2. Jep sa mundet, por e kemi parë të bëjë paraqitje më të mira se kjo. Edhe te goli i 3- 2 i Tiagos nuk del siç duhet.

EVRA 5 - Mbyllje njëra pas tjetrës. Harron ndeshjen e Torinos dhe luan një takim taktikisht perfekt deri në minutën e 90-të. Por, më pas, vjen gabimi i pafalshëm në dalje në rastin e golit të barazimit. Ai top i minutës së fundit duhet të kishte shkuar në tribunë.

KUADRADO 7,5 - I ftohtë te goli. Në atë pozicion e kemi parë shpesh të godasë me të parën. Por ai ruan një qetësi olimpike, dorëzon një mbrojtës që quhet Lahm dhe kalon Nojerin. Prova e tij është fantastike: i zoti në sulm dhe krijon superioritet numerik. Por i vjen shpesh në ndihmë edhe të Lihshtainerit.

(Nga 89´ PEREIRA 4 - Në mënyrë të pashpjegueshme nervoz. Kërkon të verdhin gjatë gjithë shtesës së parë dhe e gjen. Humbet çdo top që prek dhe nuk mbyll hapësirën te goli i Tiagos. Një zëvendësim i tmerrshëm).

KHEDIRA 7 - Top i jashtëzakonshëm për Lihshtainerit nga e cili lind goli i parë. Presing i vazhdueshëm dhe i aftë të rrëmbejë dhe luajë topin e parë. Sakrifikohet dhe shuhet. I drejtë zëvendësimi.

(Nga 68´ STURARO 5 - I tmerrshëm ndikimi në ndeshje, gabon topa dhe shpërdoron në kundërsulm. Në ndeshjen e parë ishte një hero, në ndeshjen e kthimit thjesht Sturaro).

HERNANES 6 - Nuk luan shumë topa, por ruan pozicionin aty në mesfushë për të penguar linjat e pasimit të ofensivës bavareze. I çmuar, sepse është inteligjent. Të prisje më tepër ishte e tepërt.

POGBA 7 - Goli i parë këtë sezon në Champions, i dyti në karrierë. Luan shumë lart në fushë, gati pranë Moratës. Dhe, sa herë e prek topin, është një kënaqësi. 70 minuta të rëndësishme, pastaj bie fizikisht. Nuk është një monstër, por mbetet një lojtar i madh.

ALEKS SANDRO 6,5 - Ka personalitet për të shitur. Mbrojtës i majtë, por kur gjen hapësirën sulmon. Në gjendje fizike monstruoze. Shtyn përpara, mbron, shtyn përpara dhe mbron përsëri. Një makineri. Por, në fund, paguan freskinë e Komanit dhe nga krahu i tij vjen goli i Bajernit.

MORATA 7,5 - Alegri e kishte thënë se është në një formë të shkëlqyer. Aksioni i golit të dytë të Juventusit është i një superklasi të pastër. E pret mbrojtjen e Bajernit sikur të ishte një dishezë e lirë dhe me saktësi dhuron asistin për Kuadradon. Edhe në pjesën e dytë është i çmendur: sa herë niset, mbrojtja e Bajernit nuk e ndal dot. Njeriu i këtij turneu është gjithmonë ai: 5 gola dhe 2 asiste në 9 ndeshje me eliminim direkt në Champions me "Zonjën".

(Nga 72´ MANXUKIÇ 5,5 - Nuk është në ditën më të mirë, por provon ta mbrojë topin për t'i dhënë frymëmarrje ekipit të zbresë. Në gjendjen më të mirë fizike do të kishte qenë shumë i dobishëm).

Trajneri ALEGRI 7 - Përgatit një ndeshje në mënyrë fantastike. Juve e pjesës së parë është një spektakël. Ndonjë dyshim në ndërrime, duke qenë se Morata gufonte ende dhe Pereira nuk e ndihmoi dot skuadrën. Pa Kielinin, Markizion dhe Dibalën, iu afrua dy minuta larg një rezultati epik.