Avni Ponari, për herë të tretë në krye të federatës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Avni Ponari është rizgjedhur si kreu i Federatës Shqiptare të Basketbollit në një mandat të tretë. Këtë herë Korça ka qenë streha e kësaj asambleje që për më tepër përkonte edhe me vitin jubilar të 70-vjetorit të kësaj federate.
Ashtu sikundër ishte lajmëruar, asambleja i nisi punimet në orën 10:00 të ditës së djeshme ku njëri pas tjetrit në hotel "Koçibelli" në Korçë u mblodhën të gjithë pjesëmarrësit e 31 shoqatave të basketbollit, ku 18 prej tyre u regjistruan dje për herë të parë.
Pasi u bë prezantimi i gjithë procesit se si do të zhvillohej dhe u lexua edhe një herë rregullorja e përgjithshme e zgjedhësve për 52 pjesëmarrësit nga 31 shoqatat e basketbollit që do të merrnin pjesë në votim gjithçka filloi normalisht.
Saktësisht në këtë asamble ishin të pranishëm 52 pjesëmarrës, që kishin dalë nga 31 shoqatat e pranishme, teksa do të votonin në dy fletë votimi për të zgjedhur me anë të sistemit "një anëtar një votë" presidentin e Federatës së Basketbollit ku garonin përballë njëri-tjetrit Avni Ponari dhe Arben Fagu.
Ndërsa kjo ishte një prej fletëve të votimit, në fletën tjetër ishte lista e plotë e kandidatëve për anëtarët e Komitetit Drejtues. Fleta e dytë e votimit, ajo e kandidatëve, kishte plot 20 kandidatë dhe një votues duhet të zgjidhte jo më shumë se gjashtë prej tyre.
Gjithçka me detaje u bë e ditur në pjesën e parë të punimeve të kësaj asambleje, ku më pas, rreth orës 11:00, nisi edhe votimi fillimisht për kreun e federatës dhe më pas për komitetin drejtues.
Votimi Pasi përfundoi i plotë procesi i votimit, komisioni i asamblesë filloi menjëherë numërimin e votave, atje ku fillimisht u nis nga votimi për presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Pasi u numëruan të gjitha fletët e votimit, nga 52 votuesit u shpall edhe fituesi, Avni Ponari, i cili rifitoi kështu mandatin e tretë si President i FSHB-së, duke siguruar 35 vota, ndërsa Arben Fagu arriti të marrë 17.
Në këtë pikë, komisioni doli në konkluzion duke shpallur Ponarin mes duartrokitjeve president të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Pas disa minutash pushimi, procesi i numërimit filloi me votat e hedhura në kuti për drejtues.
Kanë qenë 20 kandidatë për 6 vende. Kutia e numërimit për anëtarët e kryesisë ka filluar të numërohet pas asaj për presidentin, ndërkohë që rreth orës 13:00, pra pas tri orësh asambleje zgjedhore, janë shpallur edhe fituesit ku sigurisht pjesa më e madhe e tyre dhe kryesisht ata që mendonin se do të fitonin ishin prezentë në sallë edhe gjatë numërimit.
Nga 20 kandidatë, duhet theksuar se vetëm 2 kanë qenë femra dhe 18 meshkuj, ndërkohë që nga dy femra vetëm njëra ka arritur të sigurojë votat për të qenë në kryesi.
Në përfundim, listën e kryesisë e udhëheq Ilir Taflaj që mori plot 35 vota dhe menjëherë pas tij vjen Edera Alibegaj me 31 vota. Sekretari i FSHB-së, Korab Llazani, është renditur i treti me 30 vota, së bashku me Vasil Shakën dhe pas tyre Jarani dhe Mema.
Në fakt, këta ishin gjashtëshja fituese e kryesisë së ardhshme, por Llazani tërhiqet, pasi do të mbajë sërish postin e sekretarit të përgjithshëm dhe në këtë mënyrë i shtati në listë,
Edmond Biçoku, me 18 vota mbyll kryesinë e re. Ra në sy gjatë numërimit të votave për anëtarë të kryesisë që dy kandidatë, respektivisht Lorenc Kukaviqi dhe Viron Sauli, nuk morën asnjë votë nga të mandatuarit.
LLAZI SARO