e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Avni Ponari: Hodhëm themelet, po ndërtojmë një basketboll të ri

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Avni Ponari: Hodhëm themelet, po ndërtojmë një basketboll të ri

avni-ponari-lsaAvni Ponari është i bindur se nëse do të zgjidhet sërish president i Federatës Shqiptare të Basketbollit, ky sport do të marrë një hov cilësor. Ai lë të kuptohet se rivali i tij së bashku me grupin që po e mbështet duan ta kthejnë basketin në gjendjen e tetë viteve më parë, kur sipas tij situata ishte dramatike

Z.Ponari, po afrojnë zgjedhjet për president të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Ju keni 8 vite në krye të kësaj federate, si do t'i përmblidhnit këto 8 vite punë si president i FSHB-së?

Përpara se të flas për punën time 8-vjeçare si president i FSHB-së, dëshiroj të theksoj se nëse në zgjedhjet e ardhshme fitoj unë, kjo do të thotë se do të fitojë basketbolli shqiptar. Por, nëse nuk zgjidhem sërish si president i këtij sporti, do të shpëtoj unë. Se përse, do t'jua them në vijim të kësaj interviste.

Kjo periudhë 8-vjeçare e mandatit tim si president i FSHB-së ka qenë natyrisht shumë e vështirë, me shumë problematika nga më të ndryshmet, të cilat fillojnë nga grupimet me shoqatat, klubet, trajnerët, arbitrat dhe gjithçka tjetër. Është e rëndësishme që të flasësh për të shkuarën, por jo duke kujtuar vetëm pjesët negative të saj, pasi nuk ndreq gjë nëse e kujton si të tillë. E rëndësishme është që të kujtosh hapat që janë ndërmarrë, të mësosh nga eksperiencat e kaluara dhe të ndërtosh një program për të ardhmen, duke ecur me një vizion të qartë përpara.

Kur e morëm federatën, gjendja e saj financiare ishte shumë e keqe, ishte lënë debitore me mbi 60 milionë lekë, që atëherë përbënin 1/3 e fondit grant për vitin 2005 dhe disa procese gjyqësore në ngarkim. Sekretari i asaj kohe ka rezultuar me abuzime financiare nga më të ndryshmet, duke krijuar raporte shumë negative në marrëdhënie me klubet, me trajnerët, me arbitrat dhe ishte ndërtuar një skemë pothuajse mashtrimi. Pra, pothuaj asgjë nuk funksiononte në FSHB. Unë gjeta një federatë të shkatërruar, të fundosur ekonomikisht, por edhe cilësisht. E megjithatë, unë nisa ta rindërtoj nga e para dhe besoj se në pjesën më të madhe ia kam dalë.

Miratimi nga Parlamenti i Shqipërisë i "Ligjit për Sportin" bëri që gjithçka të fillojë nga aty. Duhej të ndërtohej struktura sportive në bazë të ligjit dhe kjo kërkonte shumë punë, sepse nuk ishte e lehtë që të bëhej. Dhe çfarë bëmë ne?

Filluam me hapin e parë, që ishte përshtatja e ligjit për sportin, për riorganizimin e federatës. Kjo ishte njëra anë. Nga ana tjetër, duhej me çdo kusht të përshtateshin shoqatat me federatën, pra të krijoheshin edhe shoqatat dhe ato t'i përshtateshin strukturës që kërkonte ligji për federatën. Nuk ishte aspak punë e lehtë. Reagimi i shoqatave nuk ishte i vogël, por megjithatë u krijuan. Falë kësaj iniciative, por edhe bindjeje të fortë nga ana ime, u krijuan 32 shoqata, të cilat sot operojnë në këtë grupim, ku pronarë janë vetë shoqatat dhe disa nga këto mbështeten nga bashkitë, ndërsa disa të tjera janë plotësisht private. Pra, në thelb, u ndërtua struktura organizative shoqatë-federatë-kryesi-president. Sot ka me mijëra sportistë: të rinj, të vegjël, të të gjitha moshave dhe kategorive që luajnë basketboll dhe garojnë si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë

Z.Ponari, të gjithë e dimë, besoj edhe ju jeni i vetëdijshëm se niveli i basketbollit tonë nuk është në nivelin e basketbollit në rajon. Cilat janë arsyet, përse ky nivel jo i mirë i basketbollit shqiptar?

Natyrisht që unë jam koshient që basketbolli shqiptar nuk është në nivelin e atij rajonal, ashtu sikundër jam i vetëdijshëm që edhe përgjatë historisë së basketbollit shqiptar ky sport nuk ka qenë asnjëherë në nivelin e duhur. Por besoj se askush nuk mund të mohojë punën e bërë përgjatë këtyre viteve, vite në të cilat ne jemi rritur shumë dhe basketbolli ynë ka kaluar në një fazë tjetër më të përparuar e cilësor, në krahasim nga çfarë ishte 8 vite më parë.

Ka shumë arsye për këtë situatë. Arsyeja e parë është themeli i basketbollit. Themeli i basketbollit fillon te moshat e reja, fillon te grupimet, fillon te shoqatat, fillon te trajnerët, fillon te mësuesit në shkolla, fillon te dëshira e fëmijëve për të luajtur basketboll, fillon te prindërit se sa ata janë të interesuar të shtyjnë fëmijët e tyre që të shkëputen nga televizioni dhe kompjuteri dhe të shkojnë në terrene sportive, fillon edhe te terrenet sportive, se sa të tillë kemi ne në Shqipëri dhe se sa prej tyre janë në dispozicion të basketbollit etj. Ne nuk mund të mbyllim sytë përpara faktit se në vendin tonë janë shumë pak terrene sportive, të cilat nuk plotësojnë as minimumin e mundshëm në krahasim me vendet fqinje dhe të rajonit. Kjo është edhe një nga arsyet e kësaj prapambetjeje apo të qëndrimit në këtë nivel të basketbollit.

Nga ana tjetër, sot ka një interesim të madh për basketbollin. Federata ka qëndruar afër basketbollistëve, kryesia gjithashtu, aktivitete po zhvillohen çdo ditë e më shumë dhe ajo që duhet theksuar është se është rritur niveli i përfaqësimit në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Deri para dy vitesh, ne nuk kishim konkurrentë midis 14-vjeçarëve dhe 16-vjeçarëve, të cilët zhvillojnë aktivitet gjithëvjetor të organizuar. Te 16-vjeçarët ne sot kemi një konkurrim të denjë midis tyre, pa përmendur këtu të gjitha moshat e tjera, 18, 20 apo ekipet e tjera.

Pra, basketbolli ka pasur mjaft evoluim si sasior, por mbi të gjitha cilësor, gjithsesi kjo nuk do të thotë se nuk ka më punë për të bërë. Natyrisht që ka shumë punë për të bërë, të përmirësojmë cilësinë e skuadrave tona, në mënyrë që të marrim edhe rezultatet që presim. Por sporti për nga vetë natyra është gjithmonë në zhvillim, ndaj edhe ne po investojmë shumë mund, kohë, përvojë në menaxhim dhe drejtim, po përpiqemi të gjejmë fonde me çdo kusht, qoftë edhe duke investuar nga vetja apo nga bizneset që unë drejtoj, në mënyrë që basketbolli shqiptar të na përfaqësojë denjësisht në evenimentet europiane dhe të kthehet prej andej me fitore.

Z. President, më lejoni t'ju referohem me këtë titull pasi ju e mbani aktualisht atë, si është pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare? Ka pasur një kritikë për një nga vitet që Shqipëria nuk mori pjesë në aktivitetet ndërkombëtare, konkretisht për vitin 2013.

Ka një të vërtetë në këtë histori. Në fillimet e Presidencës sime, u përpoqa me të gjitha mënyrat dhe të gjitha format që ne të ishim pjesëmarrës në lojërat, në kualifikimet europiane, dhe fakt është që morëm pjesë. Trajnerëve shqiptarë, me dëshirën time të madhe për t'i aktivizuar, u krijova të gjitha mundësitë, madje edhe këta që sot kërkojnë që të jem në krye të federatës kanë qenë njerëz, të cilëve unë u kam ofruar të gjitha mundësitë, çfarë ata kanë kërkuar për t'u paraqitur në mënyrë dinjitoze në aktivitetet ndërkombëtare. Por rezultatet e tyre kanë qenë shumë të dobëta.

Atëherë, përballë situatës ku pjesëmarrja në 2013-ën kishte jo vetëm shpenzime marramendëse, por ajo që ishte më e rëndësishmja dhe duhet analizuar gjatë ishte se shanset për kualifikim sipas formulës së "Eurobasket 2013" ishin pothuajse zero për të dalë nga grupi prej 24 ekipesh (ku vetëm njëri kualifikohej për të marrë pjesë në 'Eurobasket 2013'). Por ne nuk e ndaluam punën aty, menduam të ndjekim strategji tjetër dhe e filluam punën me pjesëmarrjen me ekipet e moshave, për të arritur aty ku jemi sot, me 7 ekipe kombëtare dhe një rritje cilësore të këtyre ekipeve. Në këto grupime ne përdorëm të gjitha metodat e mundshme, duke bërë faza selektive në Itali e në qytete, si edhe ftesa lojtarëve që luajnë jashtë. Thërritëm lojtarët dhe gjithkënd që kishte mundësi të kontribuonte. Pjesëmarrja masive në nivel sportistësh kërkonte edhe pjesëmarrje masive drejtuese. Në fakt, rezultatet e para, arritjet e para nuk qenë aty ku duhet.

A duhet të kishim marrë pjesë në "Eurobasket 2013"? Natyrisht që po. Edhe sot ata thonë që duhet të kishim marrë pjesë, pavarësisht rezultateve. Por shkëputja 1-vjeçare bëri mirë, sepse solli një reagim të brendshëm të të gjitha strukturave të basketbollit për pjesëmarrjen. Nga ana tjetër, kjo pati një ndikim edhe për rritjen e cilësisë sportive. Sepse të marrësh pjesë në kompeticione ndërkombëtare duhet të kesh nivel ndërkombëtar, duhet të kesh lojtarë ndërkombëtarë, trajnerë ndërkombëtarë, arbitra ndërkombëtarë, pra është një pjesëmarrje e gjerë. Nuk mundet të marrësh pjesë vetëm me disa nga ekipi yt i madh. Jo, duhet të marrin pjesë të gjithë.

Ndaj, duke bërë rezymenë e gjithë asaj që thashë më lart, dal në konkluzionin faktik se ky vit është determinant. Ky vit tregon nëse vendimi i marrë më parë ishte i drejtë dhe nëse tani po arrijmë pjekurinë e duhur. Sepse po shkojmë në kompeticione europiane me të gjitha moshat, pra po krijojmë një prezencë të basketbollit shqiptar në kompeticionet ndërkombëtare, po arrijmë një pjekuri dhe një eksperiencë. Ndaj them me plot bindje se ky vit do të jetë i rëndësishëm.

Z. Ponari, ju thoni që faturat financiare janë shumë të larta?

Kjo është e vërtetë. Ka një kosto mjaft të lartë financiare, por kjo kosto është përballuar nga federata, nga kryesia dhe nga unë si president. Janë gjetur rrugët dhe mënyrat që të jemi prezentë aty ku janë të gjithë të tjerët. Nuk është e lehtë të gjesh para për sportin. Kriza e sotme financiare ka mbërthyer gjithçka. T'i kërkosh para dikujt sot për aktivitete sportive është shumë e vështirë. Basketbolli, me gjithë këmbënguljen time që ai të kthehej në produkt të shitshëm, nuk ka arritur të shkojë aty ku duhet, sepse duhet që ky produkt të shitet që nga shoqatat, pra të shitet në Vlorë, të shitet në Përmet, Shkodër, Tiranë, Durrës etj. Ky produkt nuk është i shitshëm. Natyrisht që edhe ekipet kombëtare nuk janë të shitshme. Atëherë, cili është hapi tjetër që duhet bërë?

Duhet që basketbolli të bëhet produkt i shitshëm që të arrijmë rezultate dhe të kemi të ardhura. Pra, një nga arsyet e mungesës së sponsorizimeve është edhe kjo: mungesa për ta bërë produktin e shitshëm. Sapo të kemi një produkt të shitshëm, do të kemi edhe lakmi për të. Kjo ka filluar, me lakminë për të ardhur në kryesi, për të drejtuar federatën.

Meqë jemi te kandidatët. Nga kandidati tjetër për president thuhet që ju keni investuar shumë, por nuk ka një faturë të qartë...

Kjo është thjesht një tymnajë, një retorikë boshe. Ta duash sportin dhe të investosh për të edhe nga vetja nuk më duket problem. Përkundrazi, nëse secili do të investonte pak nga vetja për sportin, pa dyshim që sot do të ishim shumë më mirë në të gjitha disiplinat e sportit, në veçanti në atë të basketbollit.

Unë drejtoj një sërë kompanish dhe kam një eksperiencë të gjatë në menaxhim. Për këtë kam fituar edhe dhjetëra çmime, në drejtim dhe menaxhim si: "Njeriu i Vitit", "Menaxheri më i mirë në Europën Lindore", kompania që unë drejtoj është renditur si një nga 100 kompanitë më të mëdha të Europës Lindore etj. Janë 7 kompani që unë drejtoj dhe të gjitha kanë dhënë tonin e duhur në zhvillimin e karrierave, në formësimin e liderëve dhe në kontribuimin në ekonominë e vendit. Pra, po të lëmë pak mënjanë modestinë që na karakterizon ne shqiptarëve, nga të gjitha arritjet e mia në shumë fusha, vetëm në basketboll nuk jam atje ku duhet. Dhe këtu flas vetëm për basketbollin në Shqipëri, pasi në Kosovë kam qenë dhe jam shumë i suksesshëm. Në Kosovë jam kampion i Kupës Ballkanike, pjesëmarrës në Ligën Europiane etj. Vetëm në Shqipëri nuk është realizuar kjo dhe nuk është realizuar për shumë arsye, të cilat i rendita pak më lart. Por shpresoj që edhe në Shqipëri kjo situatë të ndryshojë, sepse kemi hedhur hapa të qëndrueshëm, mbi baza të forta, hapa që më bëjnë mua të besoj që do të jem i suksesshëm edhe në basketbollin në Shqipëri dhe këto hapa janë premisa që basketbollit tonë i ka ardhur koha të lulëzojë pas një pranvere pak të brishtë, do ta quaja unë.

Vijmë përsëri te faturat. Kjo është e gjitha një faturë shumë e madhe, me shumë ngarkesë, me shumë para, që duhet të përballohet nga dikush, sepse pjesëmarrja nëpër aktivitete është shumë e madhe. Fondet e federatës janë të pamjaftueshme për t'i përballuar këto evenimente, ndaj dhe më është dashur shumë herë që të kontribuoj financiarisht nga vetja dhe të sponsorizoj FSHB-në nga kompanitë që unë drejtoj. Nëse dikujt i duket e gabuar që unë jap para nga xhepi për të rritur basketbollin shqiptar, unë nuk di çfarë t'i them këtij njeriu! Por di që unë e bëj këtë sepse e dua sportin, e dua basketbollin dhe nuk kam asnjë lloj përfitimi dhe as nuk kam për ta parë ndonjëherë sportin si mjet fitimi. Biznesi është mjet fitimi për mua, ndërsa basketbolli më jep kënaqësi, kënaqëm dhe krenohem kur shoh talente që rriten dita-ditës dhe që na përfaqësojnë në kompeticionet ndërkombëtare.

Unë nuk kam asgjë me askënd. Nëse dikush do ta vazhdojë këtë aktivitet, le të vijë ta vazhdojë këtë që kemi nisur. Jam shumë i kënaqur me këdo që do të fitojë, por jo nëse dikush vjen që të shkatërrojë këtë që kemi ndërtuar.

Pse mendoni që ai që do të vijë do ta shkatërrojë këtë projekt që ju keni nisur për basketbollin shqiptar?

Sepse ky grupim që është sot dhe që kërkon të marrë drejtimin është ai që unë kam gjetur para 8 viteve. Janë po këta persona që e kanë çuar federatën në minus miliona lekë dhe unë jam i bindur që këta do të bëjnë të njëjtën gjë, sepse këta vijnë t'i marrin basketbollit dhe jo t'i japin. Ky është qëllimi i tyre i vetëm dhe një hendek i madh që më ndan mua nga ata. Dhe këtë nuk e them për demagogji, por kjo është e vërteta dhe unë kam folur e flas me fakte konkrete e jo fjalë boshe. Nëse dikush tjetër vjen në krye të FSHB-së, ajo që unë thashë pak më lart është e sigurt që do të ndodhë, pra që basketbolli do të vidhet e do të shkojë sërish në minus.

Për më tepër, nuk ju bën përshtypje fakti që interesi ndaj federatës është pikërisht tani kur ajo ka një situatë të përmirësuar?! Ku ishin vite më parë këta njerëz që tani u rishfaqën dhe kërkojnë të drejtojnë? Këto pyetje i kam pikërisht për këtë grupim. Ku ishin këta njerëz gjithë këto vite? Cili është kontributi i tyre në basketboll? Çfarë i kanë dhënë basketbollit ata ose le të thonë çfarë do t'i japin? Pasi jam i sigurt që pas zgjedhjes vetëm do shijojnë të qenit president (nëse do zgjidhen) dhe nuk kanë në plan të bëjnë asgjë. Do vazhdojnë të shijojnë kafet e thashethemeve, duke i bërë qejfin njëri-tjetrit, ku në të gjitha bisedat që fillojnë dëgjon rëndom: "kur ishim ne...".

Pra, ju nuk e aprovoni kandidaturën në fjalë?

Kam qenë i gatshëm që dikush të vinte nga biznesi, nga sporti apo që të kishte menaxhuar një ndërmarrje, pra në thelb është vetë krijues e menaxhues, një person që ka emrin menaxher, që ka emrin përgjegjës dhe jo vetëm emrin, por edhe cilësitë e aftësitë. Nëse do të ishte një person i tillë, unë do të isha plotësisht dakord që të vinte në krye të federatës. Por që të vijë dikush që të menaxhojë një grupim kaq të madh pa e ditur se çfarë është menaxhimi në ekonominë e tregut, kjo është e papranueshme dhe e palejueshme. Ne sot vuajmë për drejtim, ne vuajmë për drejtues, ne vuajmë për menaxherë të zotë. Veçanërisht në sport, ne nuk kemi menaxherë. Sporti është një institucion në të cilin drejtojnë trajnerët, drejtojnë grupime të caktuara, por të gjithë janë në rolin e kërkuesit dhe asnjëri në rolin e prodhuesit.

Janë 2-3 grupe, të cilat kanë krijuar diçka dhe në të vërtetë përpiqen për të bërë diçka brenda Federatës së Basketbollit dhe unë i falënderoj ata. Këto grupime kanë siguruar të ardhura për veten dhe në njëfarë mase janë menaxherë. Ne si federatë jemi të vendosur që të punojmë në mënyrë të vazhdueshme për të rritur nivelin e cilësisë së menaxhimit të tyre. Sepse nuk është e thënë që të krijosh grupe sportive, të marrësh terrene sportive dhe të rrish ulur në palestër, me top në dorë duke mos bërë realisht stërvitje dhe duke mos mësuar as elementët bazë të këtij sporti, do të thotë të jesh menaxher apo drejtues i mirë. Ky lloj nuk është menaxher, nuk mund të quhet i tillë kurrsesi.

Z.Ponari, prej kohësh flitet për kualifikimet e trajnerëve dhe për mungesat e trajnerëve shqiptarë. Si është situata konkretisht?

Po, është e vërtetë që ka pasur kurse me trajnerë ndërkombëtarë, kemi sjellë në Shqipëri trajnerë nga FIBA, me qëllim kualifikimin e këtyre trajnerëve. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe për gjyqtarët dhe trajnerët së bashku. Kemi bërë seminare të ndryshme me ekspertë vendas e të huaj, që do të thotë është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, por ka akoma për të bërë. Mungon një grup iniciator për të marrë përsipër përgatitjen e këtyre ekipeve, ose të krijojë ekipe e shoqata të reja. Federata është e hapur për krijimin e sa më shumë shoqatave dhe grupeve. Basketbolli është i hapur për krijimin e një administrate më të gjerë, për të ndërtuar një strukturë menaxheriale shumë të madhe dhe afatgjatë, sepse vetëm kështu mund të ndërtojmë një basketboll cilësor, sa më bashkëkohor dhe me premisa për të ardhmen. Po të bëjmë një krahasim me të ardhurat, me buxhetet e federatave të vendeve fqinje, atëherë shohim se ku ndodhet dhe se çfarë përpjekjesh bën Federata Shqiptare e Basketbollit. Në qoftë se Maqedonia ka 5 milionë euro në vit buxhet për basketbollin, Kosova 1 milion euro, Mali i Zi 3 milionë euro në vit, Greqia dhe Turqia, të cilat kanë një popullsi shumë të madhe, kanë buxhete të larta me mbi 10, 15, apo edhe mbi 30 milionë euro në vit. Kjo tregon se çfarë duhet të bëjmë ne. Shqipëria ka vetëm 70 mijë euro buxhet në vit, të cilat shkojnë pothuajse të gjitha për arbitrimin, sepse janë hequr klubet dhe kanë kaluar këtu në arbitrim për shkak të mungesës së parave nga këto grupime dhe shoqata.

Pra, donacionet financiare që unë kam dhënë, të cilat i përmenda pak më lart, i kam dhënë herë nga vetja ime, pra individualisht, dhe herë nga kompania ime. I kam dhënë për shkak të mungesës së fondeve në federatë. Është fakt që unë kam një ekip sot në Prishtinë me mbi 13 vite dhe i kam dhënë mbi 1.3 milionë euro ekipit SIGAL Prishtina. Nga ana tjetër, ekipi Valbona ka qenë 5 vjet kampione e Shqipërisë dhe për këto 5 vite pati mbështetjen time financiare. Por mbështetje financiare nga unë nuk pati vetëm ekipi Valbona, por i gjithë basketbolli shqiptar, e patën edhe basketbollistët shqiptarë, sepse nëse deri në atë kohë një basketbollist shqiptar kishte një çmim që nuk arrinte as 200 euro, këtë çmim e çuam në mbi 1000 euro. Ndërsa sot çmimi përsëri ka rënë shumë dhe kjo për shkak të konkurrencës.

Ju firmosët një marrëveshje me një trajner të huaj, nga Qipro, pak ditë më parë për të trajnuar ekipet tona. Përse kjo zgjedhje?

Po, është e vërtetë. Ekipi kombëtar shqiptar do të ketë një trajner të huaj. Natyrisht pa nënvlerësuar trajnerët shqiptarë, pa nënvlerësuar përgatitjet e tyre dhe eksperiencat e tyre. Ne kemi pasur trajnerë shumë të mirë, por trajnerët që sot trajnojnë ekipet kombëtare janë natyrisht të një niveli shumë të lartë kualifikimi. Siç e thamë më sipër, nga eksperiencat mbarëbotërore të gjitha federatat huazojnë një trajner me paraqitje superiore ndaj atyre vendase, pasaporta e të cilëve nuk ka rëndësi. Konkurrenti ynë në grup, Mali i Zi, ka trajner të nivelit shumë të lartë në Europë, por zgjodhi një trajner të huaj, i cili probabilitetin e suksesit e ka më të madh. Po ashtu Kosova, e cila prezantohet për herë të parë në Kampionatin Europian të Basketbollit, ka një trajner të huaj. Kjo është një praktikë që në vitet e kaluara është ndjekur edhe nga aktorët kryesorë të basketbollit europian si Turqia, Gjermania, Franca etj. Shembulli i Federatës së Futbollit është mjaft domethënës në eksperiencën e sportit shqiptar dhe për ne gjithashtu. Në shekullin XXI, me evoluimin e basketbollit dhe me kalimin e gjithë kufijve, të shtrosh një pyetje të tillë është shumë anakronike dhe produkt i njerëzve të painformuar mbi zhvillimet bashkëkohore të basketbollit botëror.

Trajneri që prezantuam disa ditë më parë, z. Antonis Constantinides, është një trajner dinjitoz dhe me shumë vlera. Ai ka një eksperiencë shumëvjeçare për t'u vlerësuar. Dhe unë kam besim tek ai. Besimi do të thotë mbështetje. Pra, unë kam besim tek ai dhe mendoj që ai do të ecë shumë mirë me ekipet tona.

Kuptohet që përgatitjet kanë filluar, strategjia për ekipin kombëtar është ndërtuar, se çfarë do të bëjmë gjatë kësaj periudhe gjithashtu është përcaktuar. Pra, ne do të kemi një pjesëmarrje shumë të gjerë. Është konfirmuar me të gjithë lojtarët pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare dhe grumbullimi me Federatën Shqiptare. Pretendojmë për fitore, pretendojmë së paku për dy fitore. Megjithatë, trajneri ka bindje të tjera dhe objektiva të tjera. Unë shpresoj, ndaj dhe i besoj. Përveç kësaj, trajnimi i tij do të jetë i hapur për të gjithë trajnerët shqiptarë. Ndaj duhet që të jenë prezentë dhe të marrin pjesë, ta ndjekin dhe të shkollohen, pra të mësojnë nga ai. Nëse nuk duan mund të mos marrin pjesë, por kushdo që do të dojë mund të marrë pjesë dhe të jetë pranë tij. Ne shpresojmë që të kemi një basketboll shumë të mirë nesër dhe një ekip kombëtar shumë cilësor. Unë kam bindje për këtë.

Sa konkurruese janë për ju këto zgjedhje?

Ky është viti i ri olimpik dhe natyrisht që zgjedhjet në federatë bëjnë të tyren. Unë vendosa të konkurroj për të qenë në krye të federatës për shumë arsye, por arsyeja e parë është që ne kemi nisur një projekt dhe ky projekt, i 2016-ës, 2017-ës dhe 2018-ës, është një projekt shumë i rëndësishëm. Është një vit olimpik, në të cilin ne kemi bërë konfirmim për pjesëmarrje në eliminatore të Europianit për të gjitha moshat. Dhe natyrisht konfirmimi ka një kosto shumë të lartë në FIBA. Pra, nga njëra anë unë bëra konfirmimin në FIBA për eliminatorët e Europianit dhe nga ana tjetër unë kërkoj konfirmimin e mandatit të presidentit të FSHB-së. E kërkoj këtë konfirmim të vetes si president, në mënyrë që këto që kam bërë dhe projektin e nisur ta çoj përpara. Nëse ndodh që shoqatat nuk më zgjedhin mua si president, atëherë këtë projekt duhet ta vazhdojë dikush tjetër, sepse është një projekt i nisur nga unë për basketbollin dhe jo një projekt për mua si individ. Dhe duke qenë një projekt për basketbollin, aty ka mundësinë secili të shohë se çfarë mund të bëjë, të shohë se çfarë ka mundësi të ndërtojë, se çfarë ka mundësi të realizojë. Pra, konfirmimin tim në krye të FSHB-së unë e quaj edhe një konfirmim për të çuar përpara të gjithë këtë projekt që kam nisur.

Përse vendosët që t'i mbani zgjedhjet në qytetin e Korçës?

Nuk e kuptoj pse përbën kaq shumë interes pyetja pse në Korçë? Unë mendoj që vendi nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që të garantohet mbarëvajtja e rregullt e zgjedhjeve dhe që këto të fundit të jenë pa ndonjë ndërhyrje apo ndikim politik. Megjithatë, meqë ma bëtë si pyetje, po ju jap disa arsye. Arsyeja më e rëndësishme është që Korça e meriton që të bëhen zgjedhje, siç e meritonte Valbona para 8 vitesh, ish-kampione e vendit, ish-kampione e Shqipërisë, dhe zgjedhjet u bënë në Valbonë, atje ku ka vendin edhe ekipi. Këtë herë do t'i bëjmë në Korçë, pasi pretendojmë që edhe Korça të ketë lëvizje, pra të ketë rritje. Korça është vend që e do sportin, është vendi me titullin kampion në futboll, është vend me sportdashës dhe që kanë dëshirë që edhe në sporte të tjera të shkojnë përpara si kampionë. Dhe është edhe një qytet i bukur që mua më pëlqen.

Po në rast se ju nuk zgjidheni president i FSHB-së, ç'do të ndodhë? Pak më lart përmendët që nuk duhet të ketë ndërhyrje politike...?

E thashë edhe në fillim që unë shpëtoj, pasi ka një ngarkesë shumë të madhe, është një punë shumë e madhe, një përgjegjësi shumë e madhe. Absolutisht që nuk e kam marrë me tapi këtë vend, siç thotë dhe populli. Mund ta marrë çdokush tjetër, por do të doja që ta vazhdoja unë këtë projekt ambicioz që kam nisur. Por nëse dikush ndërhyn politikisht apo gjeografikisht për këto zgjedhje ose dikush ndërhyn apo përdor makinacione për të manipuluar këto zgjedhje, atëherë le ta vuajë shoqëria që përbën basketbollin. Ky popull është mësuar me mashtrime dhe le ta vuajë. Politika, biografia dhe gjeografia nuk kanë vend në sport, aq më tepër në basketboll.

Unë jam një person që drejtoj një grup kompanish sigurimesh, kam një eksperiencë shumë të gjatë në biznes, nuk kam gënjyer kurrë në punën time dhe kompania ime është një kompani besimi, për të mos thënë e lidhur me besimin, është një kompani shtrëngimi duarsh dhe unë dua që edhe në basketboll këtë të kemi: një federatë besimi, një federatë shtrëngimi duarsh dhe së bashku të ecim përpara.

U uroj edhe atyre që më duan e më mbështesin, por edhe atyre që nuk më mbështesin suksese, sepse së bashku ne mund të bëjmë më të mirën për basketbollin. Kontributi i secilit në basketboll është i rëndësishëm, i kujtdo: i atyre që janë anëtarë dhe atyre që nuk janë anëtarë të federatës.

Z.Ponari, jo pa qëllim ju pyeta edhe pak më lart se sa konkurruese e shihni ju këtë garë. Kur ju pyeta për këtë, në fakt kisha në mendje kundërshtarin tuaj.

Nëse ka një menaxher më të mirë sesa unë, le ta marrë menaxhimin e federatës. Por, nëse do të hulumtoni pak për përvojën time 22-vjeçare si menaxher, do t'ju rezultojë që menaxhimi im ka qenë i suksesshëm dhe të gjitha bizneset që kam krijuar kanë qenë të suksesshme. Më thuaj një nga bizneset e mia që nuk është i suksesshëm në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni? Më thuaj që stafet e mia nuk janë të suksesshme? Kam stafet më të mira në Ballkan. Më thuaj për rezultatet e mia përgjatë këtyre viteve? Të gjitha kanë qenë shumë të mira. Unë jam i kënaqur për atë që kam arritur së bashku me stafin tim. Pra, unë mendoj se nga kjo pikëpamje unë nuk kam fare konkurrent dhe nuk mund të flas për dikë që nuk ndodhet përballë meje dhe që nga pikëpamja menaxheriale nuk është në standardin tim. Të përmendësh dikë që nuk është në të njëjtin standard, do të thotë t'i japësh vlerë atij dhe unë nuk kam ndër mend ta bëj këtë. Ndaj unë vazhdoj të drejtoj Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe jo të merrem me dikë që është në një shoqatë basketbolli dhe nuk është në standardin tim.

Por z. Fagu nuk ka ngurruar të thotë fjalë për ju...

Ai flet për mua se nuk ka se çfarë të flasë për veten. Nëse do të kishte se çfarë të prezantonte për punën e tij, për stafin e tij, do të mund prezantonte një strategji, një program dhe të kishte ide. Ato që paraqiti z. Fagu si platformë, ne tanimë e kemi nisur dhe jemi rrugës, duke i zbatuar hap pas hapi. Nëse do të ishte ndryshe nga një COPY PASTE e marrë nga platforma jonë që është nisur prej kohësh dhe që tani presim frytet, unë do t'ia hapja rrugën me shumë dëshirë. Por nuk është kështu. Ndaj nuk ia vlen të diskutohet dhe nuk është në natyrën time të merrem me biseda të tilla, apo të hedh baltë mbi persona të tjerë. Duke lënë mënjanë këtë, unë do ta ndërtoj punën mbi bazën e strategjive të mia, programit, stafeve, njerëzve dhe kapaciteteve që kam në dispozicion, pasi kështu jam mësuar. Gjatë gjithë kohës ky ka qenë programi im dhe me këto ide eci gjithmonë përpara. "Administratë, profesionalizëm, produkte dhe garë" do të jetë motoja e basketbollit në këto katër vitet e ardhshme.