Asambleja ose iluzioni i lumturisë në futboll!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sa herë që vjen Asambleja, fut bolli zbukurohet me silikon, aq sa të duket si mëkat që s'kemi qenë më parë në elitën e futbollit europian. Nga tribuna flitet me miliarda dhe, çuditërisht, klubet që janë telendisur dhe tregojnë xhepat e shpuar, duartrokasin për "magjinë" financiare të lojtarëve të zyrave.
Dhe kur flet presidenti Duka, po të gjykosh nga magjepsja e sallës, të duket sikur Zoti ka gjetur kohë për t'u marrë me topin. Fjalët e tij ishin për kornizë: "100 herë më pak dyshime për trukime". Të gjithë besojnë në sallë dhe janë gati të përqafohen për triumfin ndaj lojës amorale.
Besimi tek euro-magjistari është kaq i madh, sa edhe për gafat spektakolare me Ylli Shehun dhe Andrea Markon, ku u bënë lesheli klubet, shpjegimi ishte mbresëlënës: "Nuk mund të merret Armando me të gjitha". Logjika e nxit më shumë garën për servilizëm: nuk gabon kurrë presidenti, por, si gjithnjë, ata që e qarkojnë".
Edhe autogoli i fundit në Komisionin e Etikës, ku futbolli merr një shuplakë nga politika, ku i përjetshmi Hitaj, sfidohet nga një ish-drejtor policie, nuk është vepër e presidentit, por e popullit që gabon pa teklif.
Një popull që qan gjithë vitin për padrejtësitë që kurdisin padronët, papritur e pakujtuar, bashkon 50 vota për të sjellë një të panjohur në familje, kur i zoti i shtëpisë nuk "dinte" gjë.
Ndaj tingëllojnë të forta dhe sfiduese fjalët e presidentit të Teutës, Hasanbelliu: "Kjo që ka ndodhur në Asamblenë e Zakonshme është skandaloze. Një njeri i policisë fiton dhe një veteran futbolli humbet". Një deklaratë turpëruese për ata që heshtin, aq sa duket si vetëtimë në qiell të pastër.
Në cilin vend tjetër do të ndodhte, kur një akuzë me peshë të kalonte me shurdhëri? Kur presidenti më i vjetër i kampionatit bën përgjegjës presidentin e Federatës. Të atij, i cili mund t'u thotë vartësve dhe miqve se "Nderi i Kombit", titulli me të cilin u nderua trajneri, De Biazi, është si në një lojë alibie, sepse ju e dini të gjithë se kujt i takon.
Po të besosh në frymën e mbledhjes së fundit të futbollit, një magji tjetër mund të sajojmë në Francë. Dhe, mënyra se si u kualifikuam, na ka emancipuar që futbollin të mos e besojmë verbërisht vetëm me ngjarjet në fushë.
