e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Arrestimi i nje studenti ne Kukes rizgjon shpresat per Bleonen

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Arrestimi i nje studenti ne Kukes rizgjon shpresat per Bleonen
Begzim Isa, student në Kosovë, u arrestua me akuzën e rrëmbimit të një fëmije 7-vjeçar për qëllime trafikimi. Familjarët e Bleona Matës: Dyshojmë se ky person është implikuar në zhdukjen e vajzës sonë

Kukës Një student nga Kosova, i quajtur Begzim Isa, është arrestuar nga policia e Kukësit për rrëmbimin e një 7-vjeçari, ndërsa dyshohet se ka gisht edhe në zhdukjen e Bleona Matës. Kanë qenë familjarët e vajzës së zhdukur 3 vjet më parë, ata që kanë hedhur dyshimet mbi këtë person, ndërsa menjëherë pas arrestimit të tij policia ka shoqëruar edhe hallën e Bleonës. Begzim Isa, 20- vjeçari nga Kukësi, student në Kosovë, u arrestua mbrëmjen e së shtunës nga policia e Kukësit, pasi dyshohet se ka rrëmbyer 7-vjeçaren Bleona Mata për qëllime trafikimi. Arrestimi i tij mund të jetë një hap përpara i policisë dhe i prokurorisë për zbardhjen e fatit të vajzës 7-vjeçare, e zhdukur në Zapod të Kukësit tri vite të shkuara. Policia, por edhe familjarët dyshojnë se i riu ka gisht në zhdukjen e saj. Begzim Isa u arrestua nga policia pas denoncimit të prindërve të një fëmije 7-vjeçar me inicialet A. S, i cili rezultonte i zhdukur. Rrëmbimi i fëmijës mësohet se ndodhi në fshatin Orgjocë, ndërsa i arrestuari Isa dyshohet se ka rrëmbyer dhe mbajtur për rreth 24 orë në shtëpi të miturin.

Nga hetimet e para dyshohet se 20-vjeçari kishte rrëmbyer të miturin për qëllime trafikimi, për ta kaluar atë në drejtim të Kosovës. Dyshimet e policisë lokale janë se Isa mund ta ketë marrë edhe herë të tjera të miturin, por kjo është një situatë që pritet të verifikohet. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor është arritur në përfundimin se fëmija nuk është abuzuar seksualisht apo fizikisht. Gjithsesi, hetuesit thonë se fëmija ka pasur çrregullime psikologjike në momentin kur është gjetur nga policia, ndërsa i mituri ka deklaruar se rrëmbyesi i tij e kishte kërcënuar duke i drejtuar pistoletën. Babai i fëmijës që u rrëmbye nga 20-vjeçari bëri me dije se ngjarja i ka shokuar tej mase. “Djali është i trembur, unë jam i shokuar.

Ngjarjen ia kam lënë në dorë policisë, unë e bëra denoncimin. Jam i lumtur që djali im është shëndoshë e mirë”, tha Avni S. në një deklaratë të tij për televizionin ‘News24’, lidhur me rrëmbimin e të birit në fshat. Sipas tij, banesa e personit që dyshohet si rrëmbyes i fëmijës është vetëm 200 metra larg. Lidhur me mundësinë e rrëmbimit të Bleona Matës nga i arrestuari, nëna e të miturës tha dje se ka dyshime të forta që vajza e saj mund të jetë rrëmbyer nga Begzim Isa. Bukurie Mata shprehet se ditën kur u rrëmbye e bija, vjehrra e saj e ka parë këtë person por sipas saj nuk ka treguar. Bukuria shprehet se 20-vjeçari e ka rrëmbyer Bleonën në bashkëpunim me kushërirën e parë të vajzës, Qamile Mata. “Bleona është rrëmbyer nga 20-vjeçari në bashkëpunim me Qamilen, kanë pasur lidhje. Është edhe mbesë në atë lagje. Unë e kam denoncuar në polici këtë rast”, – thotë ajo. Ndërsa shpreson që një ditë të rishohë vajzën e saj, ajo shton se: “Bleonën mund ta ketë shitur për birësim. E dinë shumë mirë kujt ia kanë dhënë vajzën, kujt ia kanë shitur”.

22
Maj 2010 është dita e zhdukjes së Bleona Matës nga shtëpia e saj në fshatin Zapod të Kukësit. Vogëlushja është parë për herë të fundit nga disa kushërira, të cilat ishin duke kullotur bagëtitë.
Gjyshi i Bleonës: Autori ka qenë këtu ditën e zhdukjes

Zenel Mata, gjyshi i Bleonës hodhi dyshime të forta se personi i arrestuar mbrëmjen e së shtunës mund të jetë përfshirë në rrëmbimin dhe trafikimin e mbesës së tij. Ai shpreson se arrestimi i tij mund të hedhë dritë mbi zbardhjen e mundshme të rastit të Bleonës. “Na është hapur një dritare e madhe. Sa është kapur ky djali, kemi dyshime të sakta se mund të jetë ai rrëmbyesi. Ime shoqe e ka parë këtë person ditën që u zhduk Bleona. Kemi dyshime se ai ka lidhje me rrëmbimin. Kemi shpresa se vajza është gjallë dhe ishallah kthehet në shtëpi”. Në lidhje me këtë pretendim, hetues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë dje për ‘Mapo’ se ende nuk dinin nëse informacioni që jepnin të afërmit në lidhje me vendndodhjen e të arrestuarit ditën e zhdukjes së Bleonës është i ndikuar nga shpresa e tyre për gjetjen e fëmijës, apo nga fakti se në të vërtetë e kanë parë të dyshuarin. “Kontaktova me policinë dhe më thanë që po merren me këtë problem dhe që do më raportojnë për gjithçka”, – thotë Zenel Mata.