e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Armando Sadiku prane firmes me Xhenoan

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Armando Sadiku prane firmes me Xhenoan

Armando Sadiku është shumë pranë hapit cilësor në karrierën e tij, pasi sulmuesi i përfaqësueses shqiptare duket se është shumë pranë firmës me skuadrën e Serisë A, Xhenoa. Një transferim i tij nga Lugano drejt këtij ekipi të njohur është përfolur shpesh në të kaluarën, por gjithçka ishte lënë në harresë gjatë kohëve të fundit, pas interesimit të anglezëve të Uest Bromuiç dhe deklaratave të drejtuesve të skuadrës zvicerane, që për lojtarin nuk kishte oferta italiane. Por gjithçka ka nisur nga e para falë deklaratave të lëshuara dje nga menaxheri Sokol Haxhia, i cili ka bërë të qartë se Sadiku mund të jetë shumë pranë firmës me këtë ekip të njohur.

“Presidenti i Luganos po diskuton për transferimin me presidentin Preciozi të Xhenoas”, ishte konfirmimi i menaxherit shqiptar, i cili ka shpjeguar më pas arsyen pse gjithçka nuk ishte bërë ende publike dhe pse marrëveshja nuk ishte mbyllur ende. “Xhenoa nuk ke vende bosh për një ekstrakomunitar ndaj po kërkon një klub që ta ndihmojë për të mbyllur transferimin. Që nga janari, Sadiku ndiqet nga klube italiane, gjermane dhe angleze, por ai do të jetë i lumtur vetëm kur të firmosë”.

Haxhia nuk ka ngurruar t’i thurë elozhe sulmuesit që menaxhon, duke treguar edhe krahasimet, që sipas tij, trajneri i kombëtares, Xhani De Biasi, i ka bërë me Kristian Vierin. “Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biasi, e ka krahasuar me Vierin në fillimet e tij. Ai është fizikisht shumë i fortë, luan më të dy këmbët, ka nuhatje goli dhe mbi të gjitha, gjuan nga çdo pozicion”, tregoi menaxheri shqiptar.

Mediat italiane janë të bindura se për të realizuar transferimin, Xhenoa do të mundësojë blerjen e Sadikut nga Livorno dhe përfshirjen e sulmuesit shqiptar në listën e ekstrakomunitarëve të kësaj të fundit. Më pas, futbollisti do të jepet në formë huazimi te Xhenoa, në mënyrë që të anashkalohet kësisoj rregulli i ekstrakomunitarëve në listë, siç veprohet shpesh në Itali, edhe nga skuadrat më të mëdha.

Sadiku nuk ka luajtur në javët e para të kampionatit zviceran me Luganon, edhe pse është sulmuesi më i mirë i këtij klubi dhe është stërvitur rregullisht me skuadrën. Klubi zviceran ka bërë të qartë se lojtari është në shitje, ndaj nuk duan ta rrezikojnë atë në ndeshje, duke e lënë për momentin në tribunë. Vetë futbollisti është në pritje të zgjidhjes së situatës, pasi dëshiron të mësojë sa më shpejt që të jetë e mundur destinacionin e tij të ardhshëm dhe të kthehet në fushën e lojës.