e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Armando Duka: Me Zeqon bej biznes, por ky nuk eshte konflikt interesi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Armando Duka: Me Zeqon bej biznes, por ky nuk eshte konflikt interesi
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armando Duka, e ka pranuar për herë të parë se prej vitesh bën biznes me presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo. Por, pavarësisht këtij fakti, që në çdo kampionat tjetër do të ishte një skandal dhe do të kërkohej largimi i Dukës, ky i fundit është shprehur se kjo gjë nuk ndikon në kampionat, pasi ai nuk e ka favorizuar Skënderbeun.

“Me presidentin Zeqo të Skënderbeut mund t’ju konfirmoj se kam marrëdhënie biznesi prej kohësh. Kjo nuk do të thotë asgjë, pasi të tilla marrëdhënie unë kam edhe me drejtues të tjerë klubesh. Shumë prej tyre janë gjithashtu miqtë e mi. Ky nuk është konflikt interesi”, është shprehur Duka për Vizion Plus. Nëse ky nuk është konflikt interesi, siç pretendon Duka, atëherë kush mund të quhet i tillë, kur e thotë edhe me gojën e vet se bën biznes me drejtuesit dhe presidentët e klubeve?!