e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Apeli merr vendim: Partizani i Xhanit…

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Apeli merr vendim: Partizani i Xhanit…
Partizani mbetet sërish në pronësi të Albert Xhanit. Ky ishte vendimi që mori dje Gjykata e Apelit të Tiranës. “Për mungesë provash dhe si padi e pambështetur në ligj, Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës dhe nuk pranon padinë e Ministrisë së Mbrojtjes që kërkonte të shpallte të pavlefshëm vendimin e shoqërisë aksionare “Partizani” me administrator Albert Xhanin për regjistrimin e stemës së klubit në Drejtorinë e Markave dhe Patentave”.
 
Këto ishin fjalët e relatores së çështjes, Zeqine Sollaku, në fund të seancës, e cila ishte e rrethuar nga dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues, Dalip Gushi dhe Hysni Demiraj. Tashmë, pas vendimit të djeshëm, klubi vazhdon të jetë në pronësi të Albert Xhanit që zotëron njëkohësisht edhe stemën, edhe logon. Ministria nuk ia del dot ta rimarrë stemën. Skuadra që praktikisht sezonin e kaluar ishte nën mbikëqyrjen e dikasterit të Mbrojtjes, tani nuk është më.

Çfarë do të ndodhë Duket se vendimi i Gjykatës së Apelit ka krijuar një gjendje jo shumë të qartë për sa i përket klubit të Partizanit. FSHF-ja, sezonin e kaluar njohu skuadrën e Ministrisë, e cila mori pjesë në kampionat. Por, tashmë gjithçka ka ndryshuar dhe ende nuk dihet se si do të veprojë federata. Nga ana tjetër, Xhanit, i cili prej disa vitesh është në një krizë të thellë financiare, do t’i duhet të ndërtojë skuadrën e tij, të gjejë fushën ku do të stërvitet, si edhe të sigurojë paratë për të paguar stadiumin ku do të zhvillojë ndeshjet. Deri tani, presidenti nuk ka asnjë nga këto dhe do t’i duhet të gjejë një zgjidhje problemit.

Nga ana tjetër, një çështje që është diskutuar disa herë është ajo e falimentit. Prej më shumë se tri sezonesh, klubi është në vështirësi të thellë financiare dhe jo vetëm që nuk paguhet asnjë taksë, por lojtarët kanë luajtur për qejf te skuadra e kuqe. Albert Xhanin e pret një sfidë shumë e madhe përpara, që duket se nuk është e lehtë. Një klub me shumë histori, por pa infrastrukturë dhe financa, është më shumë se i vështirë të administrohet.

SEANCA
Ja çfarë ndodhi për 45 minuta në sallën e gjyqit

E programua për të nisur në orën 13:15, seanca ka nisur për më shumë se 45 minuta me vonesë. Në sallën e gjyqit, përveç avokatëve të dy palëve, ai i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ai i presidentit të Partizanit, zunë vend në karriget bosh edhe Paro Laçi, aksionar i skuadrës që, nga ana tjetër, është në një proces tjetër gjyqësor me Xhanin. Në sallë ka vend edhe për dy tifozë rreth të 60-ave. Ndërsa i vetmi futbollist i skuadrës së sezonit të kaluar është Ilir Lleshi. Relatorja Sollaku paraqet padinë e dikasterit të Mbrojtjes dhe i jep fjalën avokatit të këtij institucioni.

Ministria ngulmon fort në pikën tre të statutit të klubit të futbollit Partizani, ku thuhet se stema e këtij klubi nuk ndryshon dhe mbetet gjithmonë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Mes gjyqtarëve nuk mungojnë batutat. Ndërsa, në dy raste ndërhyn edhe Paro Laçi. Por, trupi gjykues thjesht i thotë se duhet të ulet pasi në këtë proces ai nuk është palë. Pas disa minutash, fjalën e merr Fatmir Braka, avokati i Albert Xhanit. “Mendoj se Ministria nuk mund të kërkojë pavlefshmëri të vendimit për regjistrimin e stemës nga ana e klubit Partizani, për aq kohë sa më parë nuk e kishte regjistruar këtë stemë te Drejtoria e Markave dhe Patentave”, ishin fjalët e Brakës.

NË GJYKATË
Lutja e tifozit: Na ndihmo o Zot!

Seancën e djeshme e ndoqën nga afër dy tifozë rreth të 60-ve, të cilët njihen si mbështetës të hershëm të Partizanit. Ultrasit e moshuar ndjekin me vëmendje çdo diskutim dhe sqarim që ndodh gjatë seancës. Shikimi i tyre drejt avokatit të Ministrisë së Mbrojtjes është më shumë se përgjërues, duke shpresuar se fjalët e tij do të rezultojnë të shenjta. Pas rreth 45 minutash diskutime, pyetjesh e përgjigjesh mes palëve dhe trupit gjykues, relatorja Zeqine Sollaku urdhëron që të gjithë të dalin përjashta dhe pas jo më shumë se 10 minutash, vendimi është gati. Përpara se të lexohet, një prej tifozëve i lutet Zotit me zë të lartë: “Ishalla ia japin Ministrisë”. Por, pas disa minutash mbetet i zhgënjyer. Ndërkaq, tifozët e tjerë të shumtë, sapo kanë marrë vesh lajmin se Partizani i mbetet sërish Albert Xhanit, nuk e kanë pritur mirë, duke komentuar në rrjetin social “Facebook” se ky ishte një vendim që cenon plotësisht skuadrën e tyre të zemrës. Mbështetësit e kuq duken skeptikë se Xhani do të arrijë ta ringrejë skuadrën.

Ja tri gjyqet e Partizanit

Partizani për gati dy vite orvatet nëpër dyert e gjykatave. Më shumë se për futboll, që pas rënies së ekipit nga elita, për të kuqtë janë lakuar kryesisht terma si padi, akuza, i akuzuar e të akuzuar. Gjyqet më të diskutuara, të lakuara sigurisht edhe nga mediat, seancë pas seance, kanë qenë tri. Ja kush janë:

- Gjyqi ndërmjet Albert Xhanit dhe Paro Laçit, që të dy aksionarë të këtij klubi, i pari me 60 për qind, ndërsa i dyti me 40. Gjithçka nisi mirë për këta të dy, por me kalimin e muajve mosmarrëveshjet u shtuan dhe dukej se veçse Drejtësia mund të sheshonte gjithçka.

- Rudina, bashkëshortja e Albert Xhanit, e paditi këtë të fundit, pasi pretendonte që ai i kishte shitur aksionet pa e pyetur. Dhe meqenëse ky investim ishte bërë gjatë kohës që ata ishin të martuar, ligji ishte me Rudina Xhanin.

- Ministria e Mbrojtjes hapi një tjetër gjyq disa muaj më vonë, ku pas 10 vitesh kërkonte stemën e këtij klubi.

Misteriozi Xhani: E kam një zgjidhje, Partizani do ringrihet

Fituesi i këtij gjyqi jam unë, sepse kjo është drejta dhe mendoj se gjërat shkuan siç duhet të shkonin. Nuk po dal të rrah gjoksin, por po ju them se Partizani është i imi”, ka thënë Xhani për “Panorama Sport”. Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë atij, duke i mohuar Ministrisë së Mbrojtjes që të menaxhonte klubin e kuq. Xhani thotë se do e ringrejë klubin dhe do ta ringjallë skuadrën, ashtu siç bëri 13 vite më parë. Një refren i njohur nga ana e tij, që shpesh u ka tingëlluar si një muzikë acaruese tifozëve të “demave”, pasi vitet e fundit ky premtim nuk është mbajtur asnjëherë.

Çfarë do bëhet tani me Partizanin?

Partizani është i imi dhe më është rikthyer e drejta për ta administruar. Jam i dënuar të sakrifikoj dhe të vuaj përsëri që të paguaj dhe të investoj për këtë klub që ta ringre, ashtu sikundër bëra 13 vite më parë.

Dakord, por si do e bëni këtë. E keni bërë shpesh këtë premtim dhe asnjëherë nuk ka dalë kështu. Çfarë ndryshon këtë herë?

Do përpiqem të bashkëpunoj me kompani serioze vendëse dhe të huaja që kërkojnë të investojnë konkretisht te Partizani. Të gjithë i kanë dyert e hapura, pa përjashtim.

Po nëse nuk do të mundni të gjeni të tillë, pra nëse nuk afroni dot kompani për të investuar?

Atëherë do ta bëjmë vetë Partizanin, ashtu sikundër e kemi bërë dikur. Por, mua më vjen mirë sepse më në fund opinioni publik u informua realisht mbi legjitimitetin e Partizani sh.a.

Si do ta bëni klubin, ndërkohë që ju nuk keni as ambiente, as skuadër, as parà…? Sa duhet t’ju presin tifozët dhe a rrezikon që edhe ajo skuadër ekzistuese të shkatërrohet?

Shikoni, pyetja juaj është me vend, por për këtë duhet një përgjigje e matur dhe e pjekur. Do të më falni që nuk mund t’ju përgjigjem me fjalë, por është më mirë të hesht dhe të punoj shpejt, por shumë shpejt ama, që të mund t’i jap zgjidhjen e duhur kësaj çështjeje. Mua më është dashur që të duroj shumë dhimbje, shpifje dhe trillime, edhe kur ato nuk qëndronin dhe ishin fare të pabazuara. Megjithatë, dua t’ju them se Partizani asnjëherë nuk ka qenë i Albert Xhanit, por askush nuk mund të më ndalojë që të jem një ushtar i vënë në rreshtin e parë të 1 milion shqiptarëve.

Pra ju thoni se do ta ringrini klubin, por pa shpjeguar se si dhe se kur…?

Më mirë të hesht. Unë do ta gjej zgjidhjen që i nevojitet kësaj situate dhe Partizani do ringrihet. S’ka gajle nëse kam vuajtur dhe kam humbur shumë për këtë klub.

FSHF: Vendos KE se cilin ekip do njohim

Federata Shqiptare e Futbollit, që sezonin e kaluar njohu Partizanin e administruar nga Ministria e Mbrojtjes, tashmë është përpara një zgjedhjeje delikate. Institucioni i futbollit duhet të vendosë se cilin ekip do të njohë për kampionatin e ardhshëm, pasi Gjykata e Apelit vendosi dje se klubi i Partizanit mbetet pronë e Albert Xhanit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Eduart Prodani, në lidhje me këtë çështje, u shpreh: “Do të vendosë Komiteti Ekzekutiv se cilën prej skuadrave do të njohë”. Pritet që KE të mblidhet shumë shpejt për të vendosur përfundimisht për të ardhmen e këtij klubi.

Administratorët

Pas mbylljes së seancës së djeshme gjyqësore ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe presidentit të Partizanit Albert Xhani, tashmë ka mbetur në shqyrtim edhe gjyqi tjetër ndërmjet dy aksionarëve, Xhanit dhe Paro Laçi. Ky gjyq zhvillohet për të njohur se kush e ka të drejtën e administrimit të klubit dhe seanca e radhës është lënë të zhvillohet më 27 shtator.