Apeli i jep pafajesi Xhakjes dhe 'shpeton' gjyqtarin Tabaku
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjen e komisarit Adem Tahiraj në shtator të vitit të shkuar është liruar dje nga akuza e një tjetër vrasje, për të cilën ishte dënuar me 21 vjet burg nga Krimet e Rënda dhe më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata e Durrësit. Gjykata e Apelit në Durrës shpalli dje të pafajshëm Xhakjen për akuzën e vrasjes me paramendim të shtetasit Qerim Maloku, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Katund Sukth në vitin 1998. Apeli la kështu në fuqi vendimin e shkallës së parë, të dhënë nga gjyqtari Neritan Tabaku, i cili tashmë përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dorëzoi me një vit e 7 muaj vonesë vendimin e pafajësisë ndaj Xhakjes.
Sipas Apelit, nga provat e administruara gjatë gjykimit nuk provohet që i pandehuri Ilir Xhakja ka kryer vrasjen e shtetasit Qerim Malokut. E vetmja provë e prokurorisë ishte një gjurmë gishti e gjetur në një prej fishekëve që u sekuestruan disa vite më vonë, e që sipas dëshmitarëve i përkisnin Ilir Xhakjes. Por mbrojtja dhe dëshmitarët e saj pretendojnë se gjatë kësaj kohe, Xhakja ka qenë në Gjermani. Ata kanë vënë në dispozicion të gjykatës edhe një vërtetim të lëshuara nga autoritet gjermane, të cilat konfirmojnë se Ilir Xhakja në periudhën kur ka ndodhur vrasja ka qenë në territorin e shtetit Gjerman.
Në vendimin e pafjasisë së Gjykata e Durrësit dha ndaj Xhakjas arsyetohet se “në aktin e bërë në vitin 1998 kohë në të cilën ka ndodhur ngjarja eksperti thotë se janë tetë gëzhoja objekt ekspertimi të cilat janë qitur nga dy armë, ndërkohë që ekspertët e mëvonshëm pas katër vjetëve (ato të vitit 2002) në ekspertimin e po këtyre tetë gëzhojave të gjendura në vendin e ngjarjes të datës 26.07.1998, theksojnë se është qëlluar me tre armë dhe një nga këto armë rezulton sipas ekspertëve arma e gjetur në një tunel në Kodrat e Jubës, në Sukth”. Lidhur me gjurmën e gishtit të të pandehurit që u gjet në një prej fishëkëve të sekuestruar në Jubë, gjykata argumenton se në shqyrtimin gjyqësor u provua se në asnjë prej akteve të realizuara në kohën që ka ndodhur ngjarja e datës 26.07.1998 ku është vrarë shtetasi Qerim Maloku, nuk vërtëtohet prania apo fiksimi i ndonjë gjurme, provë materiale, që implikojnë të pandehurin Ilir Xhakja në vëndngjarje.
“Një provë shumë e rëndësishme dhe e pakontestuar nga organi akuzës është vërtëtimi banimit lëshuar nga zyra e regjistrimit të popullsise të qytetit të Memmingen të Gjermanisë, vërtëtim i cili mban dhe vulën e Ambasadës Shqiptare në Berlin me Nr.regjistri 330 datë 13.03.2003. Ky vërtëtim vërtëton faktin se i pandehuri Ilir Xhakja ka qenë në qytetin Memmingem nga data 14.02.1998 deri ne 14.08.1998. Po kështu faktin e qenies të të pandehurit Ilir Xhakja në Gjermani e konfirmuan dhe dëshmitarët Fatbardh e Arben Xhakja”- shprehej në vendimin e pafajsisë gjyqtari Neritan Tabaku. Por pavarësisht se vendimi i tij u la në fuqi nga Gjykata e Apelit, Tabaku vijon të jetë i pandehur në gjykatë për akuzën e shpërdorimit të detyrës duke vonuar për më shumë se një vit e gjysmë zbardhjen e këtij vendimi. Ndërsa Ilir Xhakja akuzohet për vrasjen e komisarit të policisë Adem Tahirajn dhe Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar dënimin e tij me burgim të përjetshëm.