e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Apeli 'blindon' pafajesine e Kasajt per filmimet e 21 janarit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Apeli 'blindon' pafajesine e Kasajt per filmimet e 21 janarit
Gjykata e Apelit në Tiranë konfirmoi dje pafajësinë e IT-së së Kryeministrisë, që u akuzua nga prokuroria për fshirjen e filmimeve të 21 janarit. 15 ditë pasi shkalla e parë shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe majorin Agim Llupo, Apeli lë në fuqi vendimin e shkallës së parë për personin që administronte serverin e kamerave në Këshillin e Ministrave.

Gjatë seancës së djeshme, relatori i çështjes, Genti Shala, komunikoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, që shpallte të pafajshëm Armando Kasajn për akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Për këtë akuzë, prokurori kërkoi dënimin e IT-së së Kryeministrisë me 2 vjet heqje lirie, por në korrik të vitit të shkuar Gjykata e Tiranës dha pafajësi për të.

Në vendim, shkalla e parë analizoi të gjitha rrethanat dhe provat e paraqitura nga prokuroria, duke arritur në konkluzionin se asnjë prej tyre nuk është provë, përveç akt-ekspertimit të FBI-së që thotë se serveri është riformatuar. Të gjitha provat e tjera, gjykata i cilësoi si indicie që nuk mund të përdoren për të shpallur fajtor Armando Kasajn.

Ky i fundit  u mor në cilësinë e të pandehurit pasi në prokurori mbërriti akt-ekspertimi i FBI-së, i cili tregonte se serveri që lidhte 16 kamerat e vendosura në godinën e Kryeministrisë ishte riformatuar në mënyrë manuale disa herë para dhe pas demonstratës së opozitës më 21 janar 2011. Në raportin e FBI-së shkruhet se serveri i kamerave të Kryeministrisë nuk ka qenë programuar për të kryer formatim automatik, por formatimi është kryer në mënyrë manuale. “Që nga data 1 janar 2011 deri më datë 4 mars 2011, kësaj pajisjeje i është bërë formatim i hard diskut, përkatësisht më datë 21 janar 2011, ora 12:14:14; më datë 22 janar 2011, ora 00:51:52”- thuhet në raport.

Por sipas tabulateve telefonike, rezulton se Kasaj, në kohën kur është bërë riformatimi i dytë i pajisjes, nuk rezulton të ketë qenë në zyrën e tij në Kryeministri. Në vendimin e gjykatës thuhet se prokuroria pretendon që i pandehuri Armando Kasaj ka qëndruar në ambientet e Këshillit të Ministrave deri pas orës 23:30 dhe ka qenë personi i vetëm që ka pasur dijeni për funksionimin e sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave.

Më tej akuza ka sqaruar se “ka qenë pikërisht Armando Kasaj që në orën 00:51:52 ka bërë formatimin e sistemit, duke fshirë gjithë pamjet filmike të të gjitha kamerave, që kanë qenë funksionale me datë 21 janar 2011”- thuhet në vendimin e gjykatës. Por më tej, gjykata argumenton se një nga arsyet përse ky pretendimi i prokurorisë nuk qëndron janë tabulatet telefonike që tregojnë se gjatë kohës që është kryer riformatimi i serverit, celulari i të pandehurit ndodhej në zonën ku ai banon.

Gjithashtu rezulton se numri i përdorur nga i pandehuri Armando Kasaj ka qenë në godinën e Kryeministrisë, në orën 21:49, pasi është kapur nga qeliza”- thuhet në vendimin e gjykatës. Në analizë të këtyre të dhënave, gjykata argumenton se përjashtohet në mënyre kategorike prania e IT-së Armando Kasaj pranë ambienteve të Kryeministrisë, duke hedhur dyshime të forta mbi praninë e tij në këtë godinë në orën 00:51:52 të datës 22 janar 2011, kur është bërë edhe formatimi i serverit dhe fshirja e të dhënave në të.