e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Zgjedhjet e qershorit , me te shtrenjtat ne histori, fatura 7,3 miliarde leke

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Zgjedhjet e qershorit , me te shtrenjtat ne histori, fatura 7,3 miliarde leke
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të hyjnë në histori si zgjedhjet më të shtrenjta që janë mbajtur ndonjëherë deri tani në vendin tonë. Bëhet fjalë për fondet publike që do të përdoren për të siguruar ecurinë  e tyre sa përsa i përket bazës materiale, duke filluar nga kutitë, fletët e votimit, ashtu edhe për shpërblimin e komisionerëve dhe të stafit të përkohshëm që do të rekrutohet nga KQZ.

Për të gjitha këto shërbime KQZ ka parashikuar që të shpenzojë plot 7.3 miliardë lekë të vjetra, çka në të vërtetë përbën shifrën më të lartë që është përdorur ndonjëherë. KQZ do të diskutojë dhe miratojë sot në mbledhjen e radhës strukturën e shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013, ku në total parashikohen një fond prej 727 milionë lekë të reja ose afërsisht 7.3 miliard të vjetra.

Në këtë shumë nuk përfshihen paratë që do të dalin nga Buxheti i Shtetit për blerjen e shërbimit për numërimin elektronik të votave në qarkun e Fierit dhe atë verifikimit të kartave të votuesve në qarkun e Tiranës. Sipas tabelës që shoqëron dhe projektvendimin e përgatitur nga KQZ për këtë çështje, janë programuar 277 563 970 lekë të reja për të paguar punonjësit e përkohshëm që do të rekrutohen me rastin e zgjedhjeve nga KQZ si dhe për të paguar komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta.

Në total parashikohet që KQZ të paguajë rreth 370 punonjës të përkohshëm dhe afro 40 mijë komisionerë. Për shkak të specifikës dhe kohëzgjatjes së punës për çdo komision, ata që do të paguhen më shumë janë anëtarët e KZAZ-ve, të cilat ngrihen 90 ditë para datës së zgjedhjeve dhe do të jenë në detyrë deri në dorëzimin në KQZ të dokumentacionit zgjedhor përkatës. Ndaj KQZ ka parë të arsyeshme që të caktojë sërish masën e shpërblimit në vlerën 65 000 lekë për kryetarin dhe zv.kryetarin e KZAZ-së, për periudhën nga momenti i konstituimit të KZAZ-së deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

Gjithashtu të caktojë masën e shpërblimit në vlerën 60 000 lekë për anëtarët dhe sekretarin e KZAZ-së, për periudhën nga momenti i konstituimit të KZAZ-së deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Gjithashtu KQZ ka caktuar masën e shpërblimit në vlerën 4 000 lekë për kryetarin dhe sekretarin e KQV-së dhe 3500 lekë për anëtarët dhe sekretarin. KQZ do të paguajë 6000 lekë edhe numëruesit. Ndërkohë janë parashikuar edhe 174 495 381 lekë të reja për zërin mallra, ku përfshihen lekët për fletët e votimit, kutitë e reja që do blihen, materiale të tjera kancelarie etj. Vetëm për karburant KQZ parashikon të përdorë 8 milionë lekë të reja.

Ndërkohë që zëri më i madh është ai i shërbimeve me plot 232 298 460 lekë të reja, nga të cilat bie në sy shuma prej 20 milionë lekësh të reja shërbime transporti, 16 milionë për dieta e udhëtime, apo dhe 118 milionë lekë të reja për shërbimin e regjistrimit dhe transmetimit të numërimit të votave. Parashikohet gjithashtu dhe një zë i veçantë prej 46 milionësh lekë të reja për investime, ku parashikohen të blihen kompjutera dhe pajisje për shërbimin e kamerave.