Anglezet dhe United, mbreterit e merkatos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mbyllja e merkatos verore të transferimeve domosdoshmërisht shoqërohet dhe me bilance dhe padyshim Anglia (Premier League) dhe Spanja (Primera Divizion) janë vendet ku është shpenzuar më shumë, duke u kthyer në një parajsë tokësore për futbollistët. Në përfundim të këtij dymujori, skuadra e Manchester United është skuadra që ka shpenzuar më shumë se të gjitha, duke u kurorëzuar mbretëresha e merkatos së verës me një total prej 264 milionë eurosh.
Drejtuesit e skuadrës ishullore rindërtuan skuadrën pas sezonit të dështuar të Moyes. Goditja e fundit e merkatos, ajo që pushtoi dhe të gjitha mediat sportive ishte pikërisht transferimi i Falkaos, i cili i kushtoi në total skuadrës së djajve të kuq plot 65 milionë euro. 10 milionë të derdhura menjëherë në kasat e Monakos për të përfituar të drejtat sportive të lojtarit për një vit dhe në sezonin e ardhshëm 55 milionë euro për blerjen përfundimtare të tij, një shpenzim i çmendur ky i Louiz Van Gaal, sipas “Daily Mail”, duke parë që holandezi ka në skuadër lojtarë si Rooney apo Van Persie. Veç sulmit, skuadra e Manchester United ka forcuar edhe mesin e fushës duke bërë një revolucion të vërtetë. I fundit në radhë ishte Di Maria, i blerë plot 75 milionë euro, ndërsa dyshja Herrera e Shaw kushtuan respektivisht 36 dhe 40 milionë euro.
Këto dy blerje vlerësohen të goditura nga mediat angleze, pasi lojtarët janë të rinj në moshë dhe me perspektivë. Po ashtu, Van Gaal përforcoi edhe mbrojtjen, ku në krahun e djathtë erdhi argjentinasi Rojo, i cili kushto 20 milionë euro kesh dhe Nanin. I vetmi dështim i Van Gaal në këtë fushatë transferimesh ishte Vidal. Edhe pse tentoi deri në momentet e fundit të joshte kilianin, drejtuesit bardhezinj dhe vetë lojtari i thanë jo transferimit, pasi vetë skuadra kampione e Italisë, nuk kishte kohën e domosdoshme për të gjetur zëvendësuesin e lojtarit. Po të llogarisim dhe shitjet e Manchester United rezulton se ishullorët kanë shpenzuar në total 193, 55 milionë euro. Në vendin e dytë të podit të shpenzimeve është Barcelona me 157 milionë euro të shpenzuara në total, që po të zbresim largimet rezulton një shifër prej 151,43 milion eurosh. Blerja më e shtrenjtë e blugranave ka qenë pikërisht ish-bomberi uruguajan i Liverpulit, Luiz Suarez, plot 81 milion euro dhe që u shpall transferimi më i shtrenjtë i sezonit.
Në vend të tretë është Liverpool me 151.4 milionë euro, shumë pak poshtë Barcelonës. Blerja më e shtrenjtë është Adam Miller, gati 32 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve janë me një moshë mesatare 22-vjeç dhe premtojnë shumë për të ardhmen e skuadrës. Blerja më e bujshme e të kuqve ishte Baloteli nga Milan, me 20 milion euro. Në vend të katërt është Real Madrid me 120 milion euro, ku më i shtrenjti ishte James Rodriguez, 80 milionë euro, 1 më pak se Suarez. Më pas vijnë me radhë, Atletiko Madrid, Arsenal, Manchester City dhe në vend të 9-të për të surprizuar të gjithë është Southampton me 52,8 milionë euro për të rindërtuar skuadrën. Sakaq vlen për t’u theksuar se anglezët janë më dorëlëshuarit me një vlerë transferimesh që kapin shifrën e mbi 1 miliard eurove, konkretisht 1 miliard e 53 milionë euro, pas tyre vijnë spanjollët me një vlerë totale thuajse sa gjysma e skuadrave angleze me 535 milion euro. Më pas vjen Italia me 327 milion euro shpenzime, por pa emra të spikatur. Në vend të katërt është Bundesliga me 315 milionë euro, por kampionati gjerman i ka skuadrat thuajse të konsoliduara, me një Bayern që është i kompletuar dhe një Dortmund që është gati të përfitojë nga gabimet e kampionëve të Gjermanisë. Ndërsa në Ligë 1 janë shpenzuar vetëm 125 milion euro.