e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Anatomia e golit, si dhe kur godasin Partizani me Tiranën

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Anatomia e golit, si dhe kur godasin Partizani me Tiranën

Janë 90 minuta "luftë" për të dërguar topin në rrjetë. 22 futbollistë me detyra specifike, por me synim të njëjtë: të shënojnë më shumë se kundërshtari.partizani - tiranaFilozofia universale e një ndeshje futbolli, por kur flitet për një duel derbi, gjithçka bëhet akoma më e veçantë.

Në një analizë të mënyrës sesi shënojnë, kur e bëjnë një gjë të tillë, si reagojnë kur gjenden në disavantazh, jepet edhe një pasqyrë e "armëve" që përdorin Partizani me Tiranën për të ndëshkuar kundërshtarin, minutat e preferuara për të "urdhëruar" sulmin total, apo edhe cilat reparte kanë kontributin më të rëndësishëm. Një anatomi e golit para derbit të sotëm, i cili nuk del për asnjë arsye nga tradita, por është i zjarrtë si gjithnjë...

Si i shënojnë golat

Partizani ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës 30 herë deri tani në kampionat, katër më tepër se rivalët e Tiranës. Finalizimi me këmbë është praktika më e përdorur tek të kuqtë, pasi vetëm në katër raste kanë ndëshkuar kundërshtarin me kokë.

Prej mënyrës së shënimit, në 12 raste është përdorur këmba e djathtë dhe në dhjetë e majta (dominon Sukaj). Sa u përket goditjeve standarde, ato kanë prodhuar katër gola në total dhe saktësisht 3 me penallti dhe 1 me goditje dënimi.

Nga ana tjetër, Tirana ka pasur produktivitet më të lartë te lufta në ajër, pasi 27% e golave kanë ardhur prej goditjeve me kokë. Në ndryshim nga "demat", bardheblutë kanë një dominancë më të theksuar të këmbës së djathtë në finalizim, me 2.25 herë më tepër se sa finalizimet me të majtën.

Kur i shënojnë golat

Nëse bazohesh te statistikat e deritanishme, Partizani vuan në pjesën e parë dhe shpërthen në të dytën, ndërsa e kundërta ndodh me Tiranën. Skuadra e Ilir Dajës i ka pësuar 62% të golave pasi janë rikthyer në fushë nga dhomat e zhveshjes.

Por, ka një efikasitet të madh në 45 minutat e para, ku ka shënuar 54% nga 26 golat që numëron. Sa i përket ekipit të teknikut Agostineli, 19 nga 30 golat janë realizuar në pjesën e dytë, ndërkohë që plot 75% të golave i kanë pësuar në pjesën e parë të lojës.

Vetëm tri herë në 23 ndeshje ka pësuar gol Partizani në 45minutat e dyta, çka tregon qartë "fortesën" e tyre pasi rikthehen në fushë nga pushimi i ndërmjetëm.

Repartet

Të kuqtë janë më të profilizuar sa u përket reparteve që arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës, pasi 20 gola nga 30 në total, kanë ardhur nga sulmuesit. Mesfusha ka pasur më tepër rol "furnizues" me 16 asiste dhe vetëm gjashtë gola të shënuar.

Ndërkohë, te Tirana "arma" më e fortë është pikërisht mesfusha. Kjo, edhe për shkak të mungesës së sulmuesve tipikë dhe detyrimit të Dajës për të përshtatur mesfushorët e avancuar për repartin ofensiv.

Prej tyre kanë ardhur 14 gola dhe dhjetë asiste, por ajo që bie në sy është se mbrojtja ka qenë më produktive se sa sulmi. Reparti i prapavijës ka prodhuar shtatë gola dhe katër asiste, ndërsa nga sulmi është ndëshkuar kundërshtari në vetëm katër raste.

Reagimet pas golave

Partizani nuk dorëzohet lehtësisht. Edhe nëse e gjen veten në disavantazh, ka treguar se është i aftë të përmbysë, ose të mos dalë pa pikë.

Ka ndodhur nëntë herë që të kuqtë të ndëshkohen të parët, por vetëm në dy raste kanë humbur, pasi katër prej sfidave i kanë fituar me përmbysje dhe tre të tjera i kanë mbyllur në barazim. Ndërkohë, Tirana vuan në këtë këndvështrim. Ata kanë qenë në disavantazh në 6 ndeshje dhe prej tyre, vetëm një herë kanë përmbysur dhe katër të tjera i kanë mbyllur pa pikë.

Përgatiti: FATION SHEHU