Alegri: Ishim për mbijetesë, tani duam kokën e Bajernit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndeshja me Bajer nin e Mynihut afron dhe natyrisht që edhe media gjermane nuk mund të qëndronte indiferente në lidhje me ndjesitë e trajnerit të Juventusit, Masimiliano Alegri, në pritje të këtij takimi, por edhe për sezonin që ka bërë skuadra e tij deri më tani.
Në një intervistë për "SZ", livornezi 48-vjeçar pranon forcën e skuadrës gjermane, por, nga ana tjetër, nuk trembet dhe nuk nguron të thumbojë as rivalët në luftën për kampionatin e Serisë A, Napolin.
Rreziku Levandovski
Nëse Juventusi ka një mbrojtje të hekurt, Bajerni mund të mbështetet te një sulm i frikshëm, me Robert Levandovskin "udhëheqësin" e kësaj manovre.
I pyetur nëse ai do të ngrejë një "kafaz" të veçantë për të frenuar polakun, i cili numëron 32 gola në 32 ndeshje sivjet, Alegri përgjigjet shkurt:
"Nuk ka dyshime që po flasim për një sulmues madhështor, por unë jam i mendimit se ai mendon të ngrejë një kafaz për të frenuar dikë, rrezikon që të mos vrapojë vetë në drejtimin e duhur dhe të kushtëzojë lojën e skuadrës që mbron. Sa gjatë e kam studiuar Bajernin? Pa dyshim që unë me stafin tim dhe me skuadrën kemi punuar siç duhet në të gjitha drejtimet.
Këtë duel me gjermanët kemi nisur ta përgatisim që të dielën e kaluar, por të mos mendojë ndokush se kam kaluar net të tëra pa gjumë. Përkundrazi, gjumin e natës nuk e prish për askënd. Më shumë sesa rivalët unë jam trajneri që studioj lojtarët e mi, me ata bisedoj, atyre u them mendimet e mia dhe normalisht që pres edhe këshillat e tyre".
Pep... i mbivlerësuar
Juventus-Bajern do të jetë edhe një sfidë mes Masimiliano Alegrit dhe
Pep Guardiolës, por në lidhje me këtë argument, trajneri i Juventusit ka pikëpamjen e tij:
"Të dy kemi luajtur në mesfushë si futbollistë dhe ky rol të lejon që ta studiosh mjaft mirë lojën, të kuptosh shumë gjëra për ata futbollistë që më pas studiojnë si trajnerë. Për më shumë, që të dy pëlqejmë futbollin sulmues dhe mund të them se kemi mjaft gjëra të përbashkëta.
Gjithsesi, unë e kam thënë se Guardiola është ai që më mahnit më shumë, pasi di t'i japë çdo skuadre që stërvit identitetin e lojës së tij. Për më shumë, ai është edhe më i paparashikueshmi, pasi ndërron disa module loje brenda një 90- minutëshi.
Besoj se të gjithë e kemi admiruar Barcelonën e tij, klasin që ata garantonin, ndonëse unë, edhe pse jam vetë trajner, besoj se ne jemi të mbivlerësuar. Vërtet kemi rëndësinë tonë në një skuadër, por jo më shumë se 5 për qind, sepse fundja, përse klubet do të shpenzonin qindra miliona euro për të blerë disa kampionë viti pas viti?!".
Mendime mbijetese
Juventusi është ndalur në Bolonja në një barazim, por skuadra e tij regjistroi 18 fitore radhazi, 15 në kampionat dhe 3 në kupë, ndonëse fillimi nuk ishte kaq i lumtur:
"Larguam disa lojtarë që formonin boshtin e kësaj skuadre prej vitesh dhe ndërkohë afruam shumë të tjerë, të cilët kishin nevojë për kohë, për t'u ambientuar. Duhej të ndërtonim një lojë tonën nga e para, por rezultatet nuk po vinin, derisa pas 10 ndeshjeve të para, i thashë skuadrës që tani e tutje të mendojmë për mbijetesën.
Natyrisht që ne nuk kishim një grup për të rrezikuar, por presioni i daljes jashtë objektivave dhe renditja e dobët më shtyu që me këto fjalë të lehtësoja lojtarët. Pastaj, edhe senatorët bënë punën e tyre dhe ja tek jemi tani, të sigurt mbi forcën tonë, në krye të renditjes dhe me vetëbesimin se mund ta kalojmë edhe Bajernin e Mynihut.
Të fortë sa gjermanët? E kam thënë, ne kemi shanset tona dhe do t'i përdorim të gjitha armët që kemi kundër tyre". Në fund, në pritje të Napoli-Milan, sfidë që do të luhet të hënën, Masimiliano Alegri e ka mbyllur me një batutë intervistën e tij:
"Napoli mund të na parakalojë të hënën? E thashë edhe pas fitores me ta, kampionati është ende i gjatë, ai do të vendoset në javën e fundit, por të hënën, unë dhe lojtarët e mi do të bëjmë tifozllëk për Milanin...".
Përgatiti: JETON STAMOLLA
