Alegri: Bufon një alien, ja pse Zonja është ende e uritur
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një fitore e tillë e afron akoma më shumë me titullin kampion, por Masimiliano Alegri vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë dhe thotë se skuadra e Juventusit duhet t'i marrë ndeshjet një nga një.
Në fjalën e tij në fundin e ndeshjes, numri një i "Zonjës" vlerësoi Milanin për ndeshjen dhe tregoi taktikën se si ishte përgatitur Juventusi.
"Nuk e kishim nisur mirë, por pas golit të pësuar skuadra u motivua dhe luajti më mirë. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen në avantazh që në pjesën e parë. Duhet t'i bëj komplimente edhe Milanit për ndeshjen që ka bërë. Galiani? Kam një raport shumë miqësor me të dhe me presidentin Berluskoni.
Më bëri komplimentet për fitoren. Kam kaluar momente shumë të bukura, por edhe të vuajtura me të gjatë viteve të fundit. Kur ekziston një raport kaq i afërt, sigurisht që ka vend për miqësi", ka thënë Alegri. Numri një i bardhezinjve i thuri elozhe Bufonit për ndeshjen që zhvilloi.
"Bëri një pritje spektakolare dhe na mbajti në lojë. Ai është i jashtëzakonshëm dhe e tregoi diçka të tillë mbrëmjen e sotme (djeshme). Do të vinte dita që të bënte diçka edhe ai (qesh). Ndeshja? Në pjesën e dytë djemtë i korrigjuan gabimet dhe treguan se jemi një skuadër e fortë", tha Alegri.
Ai zbulon edhe sekretin e sukseseve të njëpasnjëshme të këtij Juventusi. "Është e vërtetë që pas katër titujve radhazi skuadra mund të mos motivohet, por te Juventusi nuk ndodh diçka e tillë.
Për këtë ecuri kanë meritë të gjithë. Ne e kishim si synim titullin e pestë radhazi dhe kur i ke objektivat të qarta, sigurisht që duhet t'i arrish ato", vazhdoi më tej Alegri.
Trajneri i Juventusit foli edhe për Napolin, duke nënvizuar se skuadra e Sarrit ka bërë një kampionat të shkëlqyer. "Napoli ka bërë ndeshje shumë të mira dhe ka grumbulluar shumë pikë. Nuk është fundi i botës edhe nëse dalin të dytët, sepse ky kampionat ka qenë pozitiv për ta. Morata? Nuk besoj të ketë ndonjë dëmtim të rëndë, por gjithç- ka do të kuptohet në ditët e ardhshme", përfundoi Alegri.