e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Alarm kuqezi, titullaret nuk kane minuta ne kembe

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Alarm kuqezi, titullaret nuk kane minuta ne kembe
Shqipëria pret mes ankthit sfidën e 2 shtatorit me Francën. Ndeshja me ish-kampionët e botës dhe Europës, është udhëkryqi i kuqezinjve në kualifikueset e Euro 2012. Nga rezultati i përballjes me “gjelat” në Tiranë, do të vendoset nëse Kombëtarja e drejtuar nga Josip Kuzhe mund të vazhdojë të pretendojë për rezultate në Grupin D, apo do të nisë puna për rinovimin e ekipit. Megjithatë, përfaqësuesja shqiptare paraqitet në një moment aspak të përshtatshëm në sfidën vendimtare të eliminatoreve kontinentale. 23 futbollistët e grumbulluar në skuadër kanë fare pak minuta në këmbë, ndërsa situata është alarmante. Për shkak se në ligat ku militojnë, aktivitetet ende nuk kanë nisur, mungesës së skuadrave, apo aktivizimit me pikatore, trajneri Kuzhe do të ketë në dispozicion një ekip jashtë forme në ndeshjen kryesore. Gjatë këtyre katër ditëve në grumbullim, tekniku duhet të dijë të përzgjedhë lojtarët që ndihen më mirë fizikisht, pasi kjo është arma e vetme tek e cila mund të mbështetemi përballë Francës, një skuadër që teknikisht dhe taktikisht është dukshëm më superiore dhe ka në kontingjent yje si Riberi, Nasri apo Benzema.

Problemet nisin që nga porta, ku Ujkani titullar ka zhvilluar vetëm ndeshje miqësore prej shtyrjes së Serisë A. Hidi nuk është aktivizuar në ndeshjen e parë të AEL-it në Qipro, ndërsa Shehi ka luajtur vetëm në Superkupë me Skënderbeun. Në mbrojtje, problematike është situata edhe për Canën (Lacio) e Currin (Gençlerbirligi): i pari ka luajtur vetëm ndeshjen në Europa League, ndërsa i dyti asnjë, prej shtyrjes së kampionatit turk. Garanci japin Dallku dhe Teli, dy lojtarë që kanë luajtur në Europë dhe kampionate me Vorsklën e Karabakun, ndërsa Vangjeli ishte titullar në javën e parë të kampionatit grek me Arisin. Franc Veliu cilësohet si një opsion për ndeshjen me Luksemburgun nga Kuzhe, por edhe ai nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje zyrtare.

Në mesfushë, lojtarët më në formë janë Ansi Agolli dhe Ervin Bulku, në kampionatin azerbajxhanas, ku dy kuqezinjtë janë titullarë në skuadrat e tyre Karabak dhe AZAL Baku. Jahmir Hyka ka luajtur si zëvendësues te Luzerna në Zvicër dhe është në formë të kënaqshme, Gilman Lika dhe Gjergji Muzaka luajtën si kundërshtarë në Superkupën e Shqipërisë, ndërsa Emilian Vila ende nuk ka debutuar te Pas Janina në Greqi. Problematike është situata për tre kolona të mesfushës: Altin Lala nuk luan te Hanover, ndërsa Ervin Skela dhe Klodian Duro janë në pritje të ekipit të ri. Në sulm, lojtari më në formë është Januzi, i cili luan dhe shënon te Vorskla. Salihi numëron 4 ndeshje në kampionatin austriak dhe 1 në Kupë, ku ka shënuar 6 gola (1 në Bundesligë, 5 në Kupë), Bogdani vetëm disa minuta në Kupën e Italisë, ku shënoi edhe një gol, Kapllani debutoi gjatë kësaj fundjave tek Augsburgu në Gjermani, ndërsa Bakaj luan pak te Dinamo e Bukureshtit. Situata e përgjithshme në ekip e vendos teknikun Kuzhe përballë dilemës së zgjedhjes së formacionit me emra (opsioni më i mundshëm) apo në bazë të formës së lojtarëve, në këtë fillim të sezonit.