e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Akuzat per arbitrat e shkarkojne, Rudi Vata: Gati te perballem ne prokurori

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Akuzat per arbitrat e shkarkojne, Rudi Vata: Gati te perballem ne prokurori
Rudi Vata nuk është më trajner i Vllaznisë. Shkarkimi i tij erdhi dje pas një mbledhjeje urgjente të bordit mbikëqyrës të klubit. Në fakt, drejtuesit nuk janë mjaftuar vetëm me shkarkimin e trajnerit të tyre, por kanë dalë edhe me një deklaratë për shtyp, në të cilën kanë kërkuar që Vata të kërkojë publikisht falje për thëniet e tij në drejtim të drejtuesve të klubit, një ditë më parë si në mediat vizive dhe të shkruara. Në të kundërt drejtuesit kanë kërcënuar se do t’i drejtohen prokurorisë duke kërkuar ndjekje penale për ish-teknikun e Vllaznisë. Sipas informacioneve nga klubi, mësohet se Vata është shkarkuar direkt nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, paçka se ky i fundit nuk është prononcuar fare për mediat. Sakaq, motivi i këtij shkarkimi është për rezultate të dobëta dhe daljen e ekipit jashtë çdo objektivi për këtë sezon.

Deklarata - “Në lidhje me deklaratën z.Rudi Vata, shpërndarë për mediat në orët e vona të mbrëmjes të datës 8 prill 2012, sqarojmë se deklarata është përgatitur në mënyrë aspak profesionale dhe etike, e ngarkuar me shpifje të ulëta, mllef dhe dashakeqësi ndaj KF Vllaznia sh.a, duke tentuar dëmtimin e imazhit të klubit. Kjo është një deklaratë e përgatitur në kushtet e një dëshpërimi të thellë në dështimin e tij si trajner dhe të objektivave që kishte. KF Vllaznia hedh poshtë me përbuzje të gjitha shpifjet e z.Vata, të cilat nuk kanë asnjë bazë vërtetësie.

Klubi, që në ditën e krijimit të tij, i ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore në lidhje me procedurat financiare, juridike dhe organizative. Çdo aspekt financiar dhe kontraktual është lehtësisht i verifikueshëm, pasi të gjitha veprimet janë kryer mbi bazën e dokumentacionit financiar, të kontratave me çdo individ dhe subjekt nëpërmjet llogarive bankare si asnjëherë më përpara. Gjithashtu, deklarojmë se z.Rudi Vata, në cilësinë e trajnerit të Vllaznisë i është lënë dorë e lirë vendimmarrje në drejtimin e skuadrës, në përzgjedhjen e stafit të tij dhe të lojtareve duke ia plotësuar maksimalisht kushtet optimale të punës. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk është punuar për të cenuar punën e z.Vata”, – thuhet në deklaratë.

Gjyqtarët – Më tej në deklaratën e vet KF Vllaznia prek edhe temën e nxehtë të gjyqtarëve, ku edhe akuzohej direkt nga ana e Rudi Vatës për fondin e zi që drejtuesit donin të krijonin për “xhaketat e zeza”. “Në të gjitha rastet, kur kemi konstatuar probleme gjykimi jo profesional nga ana e gjyqtarëve në ndeshjet e Vllaznisë, është reaguar zyrtarisht në mënyrë institucionale përmes ankesave të depozituar në FSHF. Strukturat drejtuese të klubit gëzojnë të gjitha të drejtat ligjore dhe statuore për të analizuar në çdo moment, kur e shikojnë të arsyeshme, ecurinë dhe performancën individuale apo kolektive. Në të gjitha kontratat e lidhura është pjesë e rëndësishme realizimi i objektivave të paracaktuara nga klubi dhe respektimi i imazhit të Vllaznisë dhe asnjë person nuk ka të drejtë ta cenojë apo të shpifë në dëm të këtij emri të madh të sportit shqiptar. KF Vllaznia i kërkon z.Rudi Vata t’i tërheqë menjëherë publikisht shpifjet e bëra në drejtim të klubit dhe drejtuesve të tij. Në të kundërt, z.Vata do të duhet të përballet me drejtësinë për shpifjet publike dhe cenim të imazhit të KF Vllaznia sh.a. dhe personalitetit moral e publik të drejtuesve të klubit”, – përfundon deklarata.

KRONOLOGJIA

1 nëntor 2011 - Rudi Vata prezantohet si trajneri i ri i Vllaznisë. Teknikut, sipas deklaratave, i premtohet fuqizim i skuadrës në merkaton e janarit për arritjen e objektivit: pjesëmarrje në Kupat e Evropës.

16 nëntor 2011 – Nis krisja e parë mes trajnerit dhe drejtuesve. Sukaj, i pakënaqur nga paratë që i kishin premtuar drejtuesit, nuk pranon të zbresë në fushë dy orë para ndeshjes Vllaznia- Skënderbeu. Shkodranët humbin 2-0, Vata pëson zhgënjimin e parë.

Dhjetor 2011 – Sukaj, tashmë i pezulluar nga klubi, largohet përfundimisht nga Shkodra.

3 janar 2012 – Vajushi firmos për Litek Loveç në Bullgari, por pa aprovimin e Vatës, i cili ndodhej në Skoci pranë familjes në ato momente. Tjetër përplasje e trajnerit me drejtuesit.

Janar 2012 – Teknikut i ishin premtuar blerje cilësore, por edhe pse po vinte fundi i merkatos, drejtuesit nuk bëjnë asgjë për të sjellë ata futbollistë që pati kërkuar trajneri.

Shkurt 2012 – Mbyllet merkatoja. Vllaznia arkëton 150 mijë euro, por nuk pranon të shpenzojë as 15 mijë euro për të marrë një lojtar si Dimo, i kërkuar nga trajneri.

Shkurt-mars 2012 – Në disa raste Vata akuzon arbitrat, për faktin se po ndëshkonin skuadrën e tij në mjaft ndeshje, por nuk bëjnë të njëjtën gjë drejtuesit.

Mars 2012 – Vllaznia humbet me Flamurtarin për kupë, duke u eliminuar. Nisin deklaratat e para të drejtuesve kundër trajnerit.

Fundmars 2012 – Në media dalin kandidatët e parë për zëvendësim të Vatës (për hir të së vërtetës emrat dalin nga brenda bordit të KF Vllaznia sh.a).

Prill 2012 – Pas humbjes, krejt të pamerituar në Pogradec, kryetari i bordit të Vllaznisë akuzon trajnerin, por nuk thotë asgjë për “masakrën” e arbitrave ndaj Vllaznisë.

9 prill 2012 - Vata akuzon publikisht Troshanin dhe Shabën se po shkatërrojnë Vllazninë.

10 prill 2012 - Vjen shkarkimi i Rudi Vatës.

Çfarë tha Rudi Vata

Ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, bëri një rrëfim tronditës sa u përket prapaskenave me drejtuesit e klubit shkodran, dy ditë më parë në media, me anë të një deklarate për shtyp. Ai akuzoi Ritvan Troshanin dhe Kujtim Shabën për paaftësi dhe dashakeqësi ndaj klubit. “Krisja e parë dhe më themelorja ndodhi kur rrugët tona u ndanë mbasi unë kisha firmosur me Vllazninë, kur në një tryezë të përbashkët pune administratori i klubit, në prezencën e kryetarit të bordit dhe drejtorit teknik, ka bërë propozimin e një fondi ‘të zi’ për gjyqtarët. Refuzimi im ka qenë i menjëhershëm, nga ku ka dalë edhe ajo fraza e famshme, sipas së cilës Rudi Vata ka thënë: ‘Vllaznia dhe Rudi Vata nuk merremi dhe nuk duhet të merremi me gjyqtarët’. Gjatë gjithë punës sime si trajner, ai ka ardhur dhe ka folur para skuadrës vetëm njëherë si kryetar i bordit, atëherë kur ndodhi ngjarja me Sukajn. Nuk i ka qëndruar kurrë afër asaj dhe stafit teknik, nuk është interesuar kurrë dhe nuk e ka ngritur zërin asnjëherë për padrejtësitë që i janë bërë kësaj skuadre në zyrat e federatës”, – është shprehur Rudi Vata.

NDESHJET E VATËS

Vllaznia-Bylis 3-3
Apolonia-Vllaznia 1-4
Dinamo-Vllaznia 0-3
Vllaznia-Skënderbeu 0-2
Vllaznia-Dinamo 5-2
Tomori-Vllaznia 1-0
Vllaznia-Elbasani 3-1
Vllaznia-Dinamo 2-1
Bylis-Vllaznia 2-4
Shkumbini-Vllaznia 2-1
Vllaznia-Laçi 2-0
Flamurtari-Vllaznia 2-0
Laçi-Vllaznia 1-0
Vllaznia-Skënderbeu 0-0
Vllaznia-Kamza 4-0
Skënderbeu-Vllaznia 1-1
Teuta-Vllaznia 0-1
Laçi-Vllaznia 1-0
Vllaznia-Kastrioti 2-4
Vllaznia-Flamurtari 0-1
Tirana-Vllaznia 0-0
Vllaznia-Flamurtari 2-1
Pogradeci-Vllaznia 2-1
BILANCI:
23 ndeshje; 10 fitore, 4
barazime dhe 9 humbje.

Armir Grima, trajneri i emergjencës

Stërvitjen e ditës së djeshme ekipi shkodran e ka filluar më ndryshe se këto ditët e tjera. Kryetari i bordit mbikëqyrës së klubit, z.Ritvan Troshani, ka paraqitur para ekipit trajnerin e ri që do ta drejtojë këtë skuadër deri në fund të këtij sezoni. Ai ka ardhur të mbështesë drejtorin sportiv, Armir Grima, i cili së bashku me stafin aktual me Sinanin, Legatën dhe Përmezën do të drejtojë ekipin e Vllaznisë në këto 6 javë të mbetura. Pavarësisht se nuk ka pasur shumë vend për prezantim, pasi Grima është pjesë e kësaj Vllaznie, përsëri drejtuesi numër një i Këshillit Mbikëqyrës, z.Troshani, administratori Shaba dhe konsulenti i ekipit, z.Ramazan Rragami, kanë qenë afër mikut të tyre Grima në këtë seancë të parë pas largimit të teknikut Rudi Vata.

FSHF: AKUZAT E VATËS NË KOMISIONE

Ka reaguar dje edhe Federata Shqiptare e Futbollit në lidhje me deklaratat e bujshme të Rudi Vatës në mediat e shkuara për çështjen e arbitrave. Sipas FSHF-së, këto akuza do të kalojnë në hetim nga ana e komisioneve juridike në federatë, ku me shumë gjasë do të jetë Disiplina ajo që do të merret me këtë çështje. Gjithsesi nuk hidhet poshtë edhe ndonjë hetim i Komisionit të Etikës, kjo në varësi të asaj që do të dalë nga hetimi paraprak.

Vata: Gati të shkoj në prokurori

Rudi Vata nuk stepet, por thekson se është i gatshëm të përballet me drejtësinë për të gjitha deklaratat që ai ka bërë në media. Pasi ka mësuar shkarkimin nga posti që mbante, ka theksuar edhe njëherë se rrënimi i kësaj Vllaznie po vjen nga drejtuesit aktualë të klubit, duke e vënë theksin më së shumti te administratori Kujtim Shaba.

Akuzat Ndërkaq, i pyetur në lidhje me kërkesën e krerëve të klubit për të tërhequr akuzat e bëra se ndryshe do përballej me drejtësinë, vetë Vata është shprehur se çdo gjë që ka thënë, e ka thënë me vetëdije dhe se është i gatshëm të përballet në organet e drejtësisë. “Mund të them se nuk kam bërë asnjë akuzë. Kam thënë vetëm të vërtetat e përjetuara dhe të faktuara. Unë jam nga ata burra që them vetëm të vërtetën. Uroj që drejtësia të futet sa më shpejt dhe të hetojë çdo gjë që ndodh në Shqipëri dhe në futbollin shqiptar. Uroj dhe dëshiroj që sa më shpejt klubi Vllaznia t’i drejtohet drejtësisë dhe Rudi Vata si person i drejtë, si qytetar i Shqipërisë, është i gatshëm të përballet me gjithë ata njerëz që janë të përlyer dhe janë të njohur me imazhin e tyre që kanë ndërtuar”, – ka theksuar Vata.

Tekniku, pas asaj deklarate me 19 pika, duket se i ka paraprirë largimit nga drejtimi i klubit shkodran. Ndoshta shkarkimi i tij ka qenë i gatuar që më përpara dhe drejtuesit po prisnin veç një shkak më shumë për ta larguar. Më tej Vata ka thënë se vetëm koha do ta tregojë se kush ka pasur të drejtë e kush jo. Sipas tij, me persona të tillë që drejtojnë futbollin shqiptar dhe Vllazninë në veçanti zor se mund të flitet për ecje përpara dhe për një Vllazni evropiane. “Isha i përgatitur për këtë shkarkim. Vendosën atë që deshën të bënin. Ka qenë një dëshirë e tyre prej kohësh, të cilën tani e bënë realitet. E ardhmja do ta tregojë se cila ishte e mira e Vllaznisë dhe cila është e keqja. Ata nuk e duan një Vllazni evropiane dhe një Shqipëri evropiane. Unë kam dhënë maksimumin për të arritur më të mirën me ekipin tim”, – ka përfunduar ish-tekniku i Vllaznisë, Rudi Vata.

Canaj dhe Duro, dy favoritët për stolin

Pavarësisht se mund të kërkohet ende shumë kohë që të mësohet se kush do të pasojë tani Rudi Vatën, në Shkodër kanë filluar që të përfliten edhe emrat e parë që mund ta drejtojnë këtë skuadër. Agim Canaj shikohet si kandidatura më e mirë për të marrë drejtimin e klubit të Vllaznisë. Ai ka udhëhequr për shumë janë në sezonin 2008-2009, pikërisht në atë sezon ekipin shkodran që drejtohej nga Canaj e mbyllte sezonin në vendin e dytë, ndërsa tekniku ka dhënë dorëheqjen pas humbjes 4- 0 në Durrës, por gjithsesi ekipi shkodran ishte në atë periudhë në vendin e parë në tabelën e klasifikimit. Canaj njihet për seriozitetin e tij në punë dhe gjetjen e gjuhës së përbashkët me lojtarët dhe stafin drejtues të klubit. Ndërsa një tjetër emër që ka korrur sukses me ekipet e tjera, por jo me ekipin e Vllaznisë, është edhe ai i Shpëtim Duros. Edhe Duro shikohet me nota mjaft pozitive që të marrë drejtim e ekipit shkodran, por gjithsesi kjo do të mësohet në ditët në vazhdim dhe nga tratativat që do të bëjnë drejtuesit e klubit me kandidatët e përfolur.