Akademi dhe stadium, zbardhet vendimi i qeverisë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas shumë vitesh so rollatje për një fushë stërvitore, vuajtjet e të kuqve më në fund do të marrin fund.
Dje, një vendim i Këshillit të Ministrave i ka dhënë klubit të kuq në përdorim një sipërfaqe prej 37 mijë metrash katrorë, ku edhe do të ndërtohet kompleksi i ri.
Në vendimin e qeverisë thuhet: "Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si qiradhënës, dhe shoqërisë "PARTIZANI" sh.a., si qiramarrës, për pasurinë "Ambiente të pronës nr.4, me emërtim Reparti Ushtarak nr.4030, rruga "Myslym Keta", Tiranë", në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, me sipërfaqe të përgjithshme 37000 (tridhjetë e shtatë mijë) m2, nga të cilat, sipas genplanit, përkatësisht 5164.72 (pesëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër pikë shtatëdhjetë e dy) m2 sipërfaqe ndërtimore dhe 31835.28 (tridhjetë e një mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë pikë njëzet e tetë) m2 sipërfaqe funksionale, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi".
Premtimi
Me ardhjen në krye të skuadrës së kuqe, presidenti Gazmend Demi ka shpalosur objektivin për ndërtimin e një kompleksi gjigant për skuadrën 15 herë kampione të vendit.
Edhe pse nga ajo kohë kanë kaluar tre vite dhe askush nuk besonte më, lajmi që të gjithë tifozët e Partizanit kanë pritur ka ardhur më në fund.
Të kuqtë kanë qenë një nga ekipet që pasi janë larguar nga ambientet e kompleksit të tyre që ndodhej në rrugën "Frosina Plaku", kanë mbetur pa një strehë. Por, ndërtimi i kompleksit futbollistik do të mbyllë përfundimisht problemet e skuadrës në këtë drejtim dhe do t'i japë një tjetër zhvillim Akademisë, që gjithashtu është tkurrur shumë në numër, për shkak të mungesës së fushave stërvitore.
Për këtë arsye, drejtuesit e kuq shpeshherë i kanë vënë rëndësi të madhe nevojës së ndërtimit të terreneve për klubin e kuq.
Përgatiti: ARMAND HALILI