e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Agron Tare: Rregjistrimi, greket kerkojne territorin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Agron Tare: Rregjistrimi, greket kerkojne territorin
"Unë e kisha paralajmëruar këtë që po ndodh sot nga ana e grekëve. Ia thashë edhe ministrit të jashtëm të asaj kohe, Kastriot Islami". Agron Tare, ish-drejtor i zyrës së minoriteteve në Ministrinë e jashtme të Shqipërisë deri në vitin 2006, thotë sot se po dalin shumë prej atyre frikërave, që kishte patur ndaj pretendimeve të vazhdueshme greke ndaj qeverive shqiptare për minoritetin dhe imponimin e ligjeve të cilat ata vetë nuk i kanë pranuar.

Tare, kujton debatin e fundit që pati me ish-ambasadorin e Greqisë në Tiranë, Pantelis Karkabasis, në prani të përfaqësuesve të BE-së, për fushatën që kishte bërë shteti grek për minoritetin në vend. Në një intervistë për "Shekulli" Tare thotë se rregjistrimi i popullsisë duhet të bëhet, por INSTAT-i të luajë rolin e tij, duke përpunuar të dhënat, sipas rregjistrit të gjendjes civile. Ish-drejtori i minoriteteve nuk është dakort edhe me fushatën e nisur nga ana e nënkryetarit të KLD-së, duke ngritur lart flamurin, ndërsa nga ana tjetër gjyqtarët që kontrollon ai japin vendime mbi të dhëna të falsifikuara kundrejt parave. 'Ata duhen çuar në burg për falsifikime, kundrejt rryshfetit"-thotë Tare.

Z.Tare, nga përvoja juaj si drejtor i zyrës së minoriteteve, çfarë mund të thuhet për minoritetet në Shqipëri?

Duhet parë si ka qenë historia e minoriteteve për të marrë disa pika referimi. Nëse popullsia e Shqipërisë ka qenë në rritje progressive dhe sot janë 300 mijë i bie që në 1925 të kenë qenë 150 mijë, kuptohet nëse popullsia është rritur dyfish. Duke u mbajtur në fakte historike shikon që faktet të japin të drejtë ty për shkollat, mënyrën e trajtimit, për referencat e Lidhjes së Kombeve.

Grekët pretendojnë shumë te Protokolli i Korfuzit, që të vijmë te çështja e Vorio Epirit. Protokolli i Korfuzit thotë se forcat fituese të Luftës së Parë Botërore, u thonë grekëve që ishin humbës: "Tërhiquni nga jugu i Shqipërisë si forca pushtuese", pra i trajtojnë si forca pushtuese në tokë të huaj, dhe grekët kërkojnë garanci për popullsinë me besim ortodoks. Dhe protokolli i Korfuzit tha se nuk do të prekej popullsia ortodokse, por jo popullsia greke, pra toka nuk konsiderohet greke. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë, pavarësisht se çfarë thonë grekët. Dhe tani grekët këtë territor që e konsiderojnë grek, duan ta mbushin me grekë. Fiktivë apo jo kjo është për tu parë. Pra gjëja e parë që duan ata është territori. Ndërsa ne po bëjmë sot për sot debate me këngë patriotike.

Ne kemi bërë një rregjistrim në vitin 1989, i financuar nga OKB-ja dhe nuk ishte rregjistrim komunist. INSTAT-i është pjesë e EUROSTAT-it, është një organizëm i kontrolluar që ka kritere shkencore. Nuk ka patur tendencë nga Enver Hoxha që ta minimizonte problemin e minoriteteve, sepse atëherë nuk diskutohej çështja e Vorio-Epirit. Po të marrim edhe shifrat e vitit 1920, apo të viteve '60, janë me të njëjtën logjikë. Të vetmet shifra që ne kemi të pasakta janë për romët.

Si e konsideroni rregjistrimin e popullsisë duke deklaruar kombësinë dhe fenë?

Për mua rregjistrimi i popullsisë dhe pyetja se çfarë kombësie i përket, mundet të bëhet, sepse është turpi i shqiptarëve që do të gënjejnë dhe atyre që do të rregjistrojnë. Nëse INSTAT-i do të veprojë me grupin e anketuesve, që do të trajnohen dhe do të funksionojnë saktë dhe ai pyet se çfarë minoriteti i përket dhe ai përgjigjet: "I minoritetit grek", gjuha e nënës? Greke, shkollimi?

Si e ke bërë 8-vjeçaren, në çfarë gjuhe, shqipe apo greke dhe këto janë të dhëna që përpunohen, përpunohen me të dhënat e rregjistrit të gjendjes civile, pra janë material i përpunueshëm. Pra ti mund ta bësh pyetjen, por nuk të heq të drejtën njeri që ta përpunosh, pra meqë ai ka deklaruar kështu, ti je i detyruar ta respektosh atë çfarë ka deklaruar ai. Ky regjistrim nuk do të thotë se do t'i fshijë të gjitha të dhënat dhe do ta rishkruajë historinë nga e para. Nëse unë rregjistroj dhe më dalin se janë 100 mijë vetë minoritarë grekë, unë këta 100 mijë vetë do t'i marr rast pas rasti, meqë është kaq sensitive dhe do të shoh ku përputhet, ku gënjejnë dhe ku nuk gënjejnë dhe do të them bie fjala se: "Filani, Agron Tare, ka deklaruar se i përket minoritetit grek dhe nuk e ka ushtruar këtë të drejtë". E drejta e minoritetit nuk është një e drejtë kolektive, pra nëse dalin 100 mijë minoritarë ata do të kërkojnë që Jugu i Shqipërisë të jetë Vorio-Epiri.

Mund të jenë 100 mijë grekë në Shqipëri, por mund të jenë 10 mijë në Shkodër, 2 mijë në Korçë, 5 mijë në Tropojë, pra mund të jenë shpërndarë nga lëvizja demografike. Nuk të thotë askush që ti duke patur 100 mijë grekë duhet që tani të ndryshosh çdo gjë. Duhet që këta 100 mijë grekë ta kërkojnë këtë të drejtë. Ne e shohim këtë në Himarë, kur kërkuan vite më parë hapjen e shkollës në gjuhën greke. Atëherë unë u thashë: "Ok, bëni kërkesën, ma dorëzoni me 44 firma". Nga 44 firma, pas verifikimit të inspektorëve të arsimit të qarkut të Vlorës, sipas ligjit, vetëm 11 banonin në Himarë, të tjerët s'ishin fare dhe nga këta 11 vetëm katër ishin me kombësi greke. Të tjerët ishin shqiptarë.

Ka mjaftueshëm burime njerëzore INSTAT-i t'i kontrollojë këto të dhëna?

Normale që i ka, sepse këto që po them unë, janë marrë prej andej dhe aty ka njerëz të aftë. Ne nuk duhet t'i fshehim dobësitë tona, dhe këta "patriotët" e mëdhenj që dalin nëpër podiume të kërkojnë nga INSTAT-i metodologjinë, se si do të bëhet kjo punë, çfarë kërkojnë, përpunimin e të dhënave, të marrin gjithë rregjistrat e gjendjes civile, sepse INSTAT-i i sotëm nuk mund të hedhë poshtë rezultatet e INSTAT-it të 2001-it. Atëherë popullsia e Gjirokastrës ka dalë le të themi 80 mijë banorë.

Po por atëherë nuk deklarohej as kombësia dhe as feja

Do të bëhet rregjistrimi tani dhe do të dalin, 78 mijë apo 82 mijë. Në vitin 1989 aty kanë qenë 70 mijë banorë. Tani në 70 mijë banorë, sa grekë do të dalin? Sot njihet që shumë fshatra të Labërisë kanë zbritur në bregdet. Njihet si fakt që shumë minoritarë kanë emigruar në Greqi. Atëherë si janë këta të rregjistruar? Pra kanë shumë gjëra që ti mund t'i demontosh, pa u bërë patriot. Unë nuk e kam shumë parasysh ligjin për ndryshimin e kombësisë në gjendjen civile me vendim gjykate, por ka qenë gjithmonë, që, nëse ti ke ose nënën ose babain, ti ke të drejtë të vësh kombësinë. Unë nuk e shoh këtu problemin. Sepse është turp që Kreshnik Spahiu që është nënkryetar i KLD-së, të dalë e të thotë se problemi është ligji dhe nuk e kanë fajin ata që aplikojnë këtë ligj në mënyrë abuzive, sepse është korrupsioni në gjykata që e bën këtë gjë. Gjykata që të bëjë ndërrimin e kombësisë duhet të marrë faktet dhe ta bëjë realisht.

Por është një ligj i parlamentit që ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese.

Unë si qytetar mund të dal dhe të flas për ligjin, por jo nënkryetari i KLD-së, që shan ligjin dhe nuk shan aplikuesit e ligjit, që janë gjykatat dhe ai është vetë shefi i atyre. Dy gjërat më të dëmshme që i janë bërë vendit nga dy "patriotët" më të mëdhenj, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë kur Sali Berisha futi në burg minoritarët, duke i bërë heronj dhe bëri më dëm se çfarë duhej dhe Ilir Meta me Sali Berishën që bënë koalicionin për zgjedhjet vendore të vitit 2001 në Himarë, sepse aty u fut për herë të parë Himara në axhendën ndërkombëtare, ngaqë më parë nuk njihej.

Çfarë angazhimesh duhet të përmbushë Shqipëria si nënshkruese e Konventës kuadër të Minoriteteve? Kujtoj këtu që dy shtete si Franca dhe Greqia nuk e kanë ratifikuar këtë Konventë. Po, Greqia nuk i njeh fare minoritetet, ndërsa Franca i barazon, i bën të gjithë francezë, pra të barabartë. Por kjo nuk ka të bëjë fare me ne. Ne nëse flasim për Konventën Kuadër për Minoritetet duhet të shohim se si i kemi marrëdhëniet me ta. Detyrimet që burojnë nga Konventa Kuadër janë plotësuar dhe nuk ka kushte të paplotësuara. Një nga kriteret e futjes në NATO ka qenë respektimi dhe mbrojtja e minoriteteve. Fakti që jemi pranuar në NATO, tregon se ne i kemi plotësuar këto angazhime. Nëse Greqia ka dhënë konsensus për anëtarësimin në NATO, nënkuptohet që ka miratuar edhe mënyrën se si respektohen të drejtat e minoriteteve.

Nëse do të bënim sot një hartë minoritetesh në Shqipëri, cila është?

Është e vështirë sot të bësh një hartë të minoriteteve në Shqipëri, sepse janë të drejtat individuale. E drejta e minoritetit është një e drejtë që e mban individi, nuk ia lë tokës. Pra nuk na bën ne që të shkojmë dhe të banojmë në Himarë dhe jemi grekë. Individi duke lëvizur nga Himara në Tiranë, e bën atë pjesë të Tiranës greke në kërkimin e të drejtave. Duhet parë se çfarë lëvizjeje demografike ka, sepse ty mund të të ketë lëvizur gjithë Dropulli e mund të të ketë ardhur në Elbasan dhe ti këtë nuk e di, prandaj para se të bësh këtë pyetje duhet të më bëje një tjetër: Si është lëvizja demografike në Shqipëri? Sa ka lëvizur popullsia e Gjirokastrës, popullsia ku ka patur minoritet vite më parë, ku ka lëvizur, duhet parë kahu i lëvizjes.

Por këto të dhëna nuk ekzistojnë...

Nuk ekzistojnë sepse janë shumë të vështira, por kryesisht ti sheh numrin e popullsisë. Nëse ka rregjistrime të reja në gjendjet civile të Srandës, Gjirokastrës, duhet parë nga kanë ardhur, sepse këto janë të dhëna shtetërore. Duhet parë sa zhvendosje ka, pra sa persona që kanë jetuar në Gjirokastër kanë kërkuar që të heqin vendbanimin në Gjirokastër dhe të regjistrohen diku tjetër. Duke u parë kjo kupton edhe sa banojnë aktualisht dhe minoritetet. Rregjistri i gjendjes civile ka një hapësirë që u jep të drejtë minoritarëve. P.sh. Vangjel Dule thotë: "Unë e kam mamanë greke dhe babain shqiptar dhe jam rregjistruar si shqiptar.

Unë dua të ndjehem grek dhe dua që të trajtohem si i tillë". Vangjel Dule mund të kërkojë ta ndryshojë kombësinë, por Vangjel Dule duhet që çdo ditë ta dëshmojë nëpërmjet kërkesave të veçanta që të trajtohet si minoritar dhe të trajtohesh si i tillë nuk nënkupton të drejta politike, por të drejta arsimore dhe kulturore. Nëse ti tregon se nuk di shqip unë mund të të jap të drejtën që në gjykatë të mbrohesh në greqisht, por nëse je arsimuar në Shqipëri, në gjuhën shqipe, ty të humbet kjo e drejtë. Për të mbrojtur minoritetet, po të shohësh kriteret e Kopenhagenit dhe këto organizma janë shumë të kujdesshëm që duke të të dhënë ty këto të drejta, këto nuk mund të tjetërsohen në të drejta politike. Të jesh minoritar do të thotë të deklarosh besnikërinë ndaj vendit ku jeton dhe këtu është në kundërshtim me grekët. Nëse sot Bollano del dhe flet kështu ai e humbet të drejtën e të qenit minoritar, barazohet me vendet baske.

Kartën e gjuhëve rajonale unë e kam refuzuar ta nënshkruaj, me idenë se këtu është një vend pa të dhëna, dhe me administratë të dobët dhe mua më çon në kolaps administrative po e firmosa këtë kartë, sepse po ta kisha administratën siç duhet do të isha pranuar në BE. Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve nuk është dokument detyrues, por këshillimor, dhe nuk kanë rënë dakort të gjitha shtetet se çfarë do të thotë minoritet, sepse ka këndëvështrime të ndryshme, siç është çështja e hungarezëve me Rumaninë, apo respektimi i romëve në Itali. Vetë vendet e zhvilluara europiane kanë problemet e tyre me minoritetet lidhur me trajtimin e tyre dhe nuk mund të vijnë në Shqipëri të bëjnë rregullat e tyre. Ne nuk duhet të themi se nuk i njohim minoritarët, se ata kështu e ashtu. Duhet të themi, se i njohim minoritetet, nëse janë 500 mijë themi se po janë 500 mijë sepse është fakt, dhe nëse janë kaq pyesim ku janë kërkesat për hapjen e shkollave, si ka mundësi që fëmijët e tyre kanë mësuar shqip që 4-5 vjeç, sepse në bazë të ligjit do të kishte rritje të numrit të shkollave, rritje të aktiviteteve kulturore, do të kishte kërkesë për televizione.

Po përmend rastin e maqedonasve në Shqipëri. Thonin se jemi 100 mijë në Shqipëri. Vite më parë bëhej një festë në ambasadën maqedonase në Tiranë. Kur shkova unë ishin maksimumi 30 vetë, nga të cilët shtatë ishin stafi i ambasadës, nja 12 ishin shqiptarë që unë i njihja dhe nja tre-katër ishin kryetarë shoqatash. I thashë njërit se: "Më vjen mirë që vij këtu dhe kuptoj realisht se sa maqedonas ndjehen shqiptarët. Mund të jenë maqedonas aq sa thoni ju, por po të jenë vërtet 100 mijë maqedonas në Shqipëri të paktën këtu do të kishin qenë 300 vetë dhe kjo festë nuk do të bëhej këtu në oborr të ambasadës, ku shumica janë shqiptarë, por do ta bënit në një sallë të madhe". Ti e provon këtë në jetën e përditshme. Ku janë këta 100 mijë maqedonas, ku i dërgojnë fëmijët në shkolla, kur kanë aplikuar në bazë të ligjit, ku ka kërkesa në gjykata dhe të bazuara?

Një shoqatë duhet të thotë: "Po në Gjykatën e Korçës ka 1000 kërkesa për ndryshim kombësie të bashkëkombasve tanë maqedonas që refuzohen nga gjykatat pa arsye. Dhe ku janë këto të dhëna, se mirë ne që nuk i kemi, sepse jemi shtet i çrregullt, por ti si organizatë minoritare që merresh vetëm me këto punë duhet ti kesh. Atëherë mi jep se sa kërkesa ke për në gjykatë për ndryshim kombësie, në radhë të parë më jep se sa minoritet ke. Dhe më thua: "Po në Shqipëri janë 5 mijë të konfirmuar, ndërkohë ka edhe 50 mijë të tjerë që nuk njihen, sepse rregjimi komunist ua ka ndryshuar kombësinë dhe nuk i ka lejuar dhe ata kërkojnë të rregjistrohen dhe unë ja ku i kam të dhënat". Dhe të shkosh në gjykatë e të ndërrosh kombësinë duhet të çosh edhe dokumente që ti je minoritar sepse nuk mjafton vetëm të shkosh atje dhe të thuash se duhet të bëhem maqedonas.

Duhet të japësh vendbanimin, vendlindjen, kombësinë e nënës, të babait, të gjyshit dhe gjyshes dhe ta vërtetosh që njëri nga këta e ka me dokumente të prodhuara nga shteti shqiptar dhe mund ta bësh këtë gjë dhe ky është ndryshimi vullnetar i kombësisë. Nëse falsifikohen dokumentat në lind e drejta, që të marrin të gjitha ndryshimet e kombësisë, të gjithë gjykatësit që i kanë bërë dhe bëj një hetim për të gjetur të gjitha shkeljet dhe këta gjykatës i dërgoj në burg, që të mos guxojë ta bëjë njeri tjetër. Absurditeti këtu është, sepse një gjykatës e ndryshon dhe fajin e paska ai fukarai që për të marrë pensionin nga greku ka shkuar dhe ka ndryshuar kombësinë dhe nuk paska faj gjykatësi që ka bërë këtë falsifikim dhe ka marrë lekë, sepse pa lekë ai nuk ta bën, nëse është abuzive. Pra ne duhet të jemi të aftë të mbrojmë veten tonë dhe nuk mundet që këtë mbrojtje ta bëjmë me flamur.

Njeriu i BE-së, i përfshirë në rregjistrim popullsie

Një përfaqësues i rëndësishëm i zyrës së BE-së në Tiranë, është njëherësh edhe anëtar i një rrjeti që merret me demografinë në rajonin e Ballkanit. Rrjeti i quajur DemoBalk, i themeluar në 1996 nga tetë demografë, është fokusuar mbi demografinë në Ballkan. Aty francezi François Begeot prezantohet si përfaqësues i përhershëm i Komisionit Europian në Bruksel, në Drejtorinë e Përgjithshme për Energjinë dhe Transportet. Organizimi i rrjetit, siç mund të shikohet edhe në linkun www.demobalk.org/index_en.asp, e paraqet DemoBalk, si një organizim shkencor dhe të pavarur, ku bëjnë pjesë edhe dy shqiptarë. Nga ana tjetër Begeot është edhe një zyrtar i lartë në zyrën e Delegacionit Europian në Tiranë, zyrë që është angazhuar shumë, bashkë me OSBE-në, në rregjistrimin e fundit në Shqipëri, duke qenë kështu në konflikt të pastër interesi, siç mund të shihet në faqen e zyrës së KE-së në Tiranë, në linkun http://ec.europa.eu/delegations/albania/about_us/internal_organisation/index_en.htm. Vendlindja e Begeot, Franca dhe Greqia ku janë pikat e kontaktit të rrjetit, janë të vetmet antare të BE-së që nuk kanë ratifikuar Konventën Kuadër për minoritetet kombëtare.

Rregjistrimi i vitit 2001

Pyetësori grek, asnjë pyetje për kombësinë, gjuhën dhe fenë. Njësoj si në Shqipëri, edhe në Greqi në vitin 2001 u bë rregjistrimi i popullsisë dhe në të dyja vendet nuk kishte pyetje rreth kombësisë apo përkatësisë fetare.

Në pyetësorin e lëshuar nga sekretariati i përgjithshëm i Shërbimit të Stastikave Kombëtare të Greqisë, në 18 mars 2001, prej 15 faqesh, kërkohen të dhëna për rezidentët në Republikën e Greqisë, që kanë të bëjnë vetëm me individët për gjendjen e tyre ekonomike, sociale dhe kulturore si dhe për banesat, por në asnjë vend nuk bëhet fjalë për pyetje lidhur me përkatësinë etnike dhe fetare. Siç mund të shihet edhe në linkun

http://www.statistics.gr/portal/page/portal/ESYE/BUCKET/A1604/Other/A1604_SAP01_QS_DC_00_2001_00_2001_01_F_EN.pdf

Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare?
Konventa: Minoritar të bën gjuha, feja dhe kultura

Konventa Kuadër, e cila ka hyrë në fuqi me datën 1 Shkurt 1998, është njëra prej traktateve më të plota, hartuar për të mbrojtur të drejtat e personave që i takojnë minoriteteve kombëtare. Palët në këtë Konventë marrin angazhimin të sigurojnë barazinë e plotë dhe efikase të personave të cilët i takojnë grupeve minoritare, në të gjitha sferat e jetës ekonomike, sociale, politike dhe kulturore, si dhe kushtet që do t'u lejojnë atyre të shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre.

Konventa Kuadër nuk e përmban definicionin e konceptit «minoritet kombëtar», pasi nuk ekziston një përcaktim i përgjithshëm, i pranuar nga të gjitha Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës. Çdo palë në Konventën Kuadër megjithatë i është lënë hapësirë për të vlerësuar se cilat grupe mund të përfshihen nga Konventa brenda territorit të tyre. Individët janë të lirë të vendosin nëse dëshirojnë apo jo të bëjnë pjesë në një minoritet kombëtar. Kjo nuk nënkupton se çdo person mund të vendosë në mënyrë arbitrare nëse i takon ndonjë minoriteti kombëtar. Zgjedhja e individit duhet të bazohet në kritere objektive që lidhen me identitetin e personit, siç janë gjuha, feja dhe kultura.

Apeli i ish-drejtorit të minoritetit në Ministrinë e Jashtme për falsifikimet me shifrat e minoritarëve në Shqipëri. Paralajmërimi që kishte bërë vite më parë për atë që po ndodh sot dhe sa reale është prania e minoriteteve të huaja në Shqipëri. Pse fushata për rregjistrimin nuk duhet bërë me flamur kombëtar, por duke dënuar së pari ata gjyqtarë që bënë ndërrime false të kombësisë dhe se INSTAT-i të verifikojë deklarimet sipas rregjistrit te gjendjes civile.