Agostineli: Skënderbeu po favorizohet, luan pas nesh
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndërprerjen e kampi onatit Partizani është munduar që ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Trajneri Andrea Agostineli, në intervistën e dhënë për emisionin "Pasi i fundit" në RTSH, është treguar i drejtpërdrejtë në mendimin e tij dhe nuk ngurron të flasë për favorizimin që po i bëhet Skënderbeut në luftën e përbashkët për titull. Tekniku italian i të kuqve shprehu hapur pakënaqësinë dhe habinë se përse dy ndeshjet e pretendentëve luhen në orare të ndryshme, pasi korçarët e dinë rezultatin e ekipit të tij.
"Në këtë fazë të kampionatit ndeshjet duhen luajtur në të njëjtin orar. Ky është një avantazh i madh që i bëhet kundërshtarit tonë dhe nuk e kuptoj përse gjithmonë Partizani luan para dhe Skënderbeu pas tij. Ka ndodhur sistematikisht në fazën e tretë, nuk e kuptoj pse duhet ta kenë këtë avantazh. Ky është mendimi im personal", u shpreh së pari trajneri i të kuqve të kryeqytetit, Andrea Agostineli.
Nuk pret ndihmë
Më pas, trajneri kthen vëmendjen tek ekipi që drejton çdo ditë.
"Skuadra ime duhet të luajë duke menduar vetëm për atë që prodhon vetë. Nuk duhet të kërkojmë apo të mendojmë për ndihmë nga askush. Duhet të luajmë për të fituar të gjitha ndeshjet tona deri në përballjen me Skënderbeun. Atë ndeshje duhet ta fitojmë patjetër, edhe pse luhet në fushën e tyre. Nëse kjo nuk ndodh, do të duartrokasim më të mirët", vijon trajneri i të kuqve.
Ndërprerja dhe Laçi
Ndonëse kanë kaluar dy javë nga ndeshja e fundit, ku fituan 2-0 në Durrës, Agostineli nuk jep një përgjigje të saktë, nëse ndërprerja e kampionatit ka qenë e vlefshme apo jo për skuadrën e tij. Laçi mbetet i vetmi kundërshtar që e ka mundur Partizanin e Agostinelit, në çerekfinalen e parë të Kupës. Kështu që sot kërkon suksesin në Laç.
"Nëse ka vlejtur ose jo pushimi dyjavor, mund ta them vetëm pas ndeshjes me Laçin. Dëmtimet nuk janë shqetësuese, thjesht më shqetëson pak mungesa e Felipe Gomes, sepse ka qenë regjisori ynë. Gjithsesi, te Partizani gjithmonë më i rëndë- sishëm është grupi. Disfata e Kupës? E kujtoj atë humbje si ndeshjen që thuajse nuk njihja asgjë. Le të themi që ishte si miqësorja e parë që zhvillohet para një kampionati. Nuk e dija ambientin ku do të luanim, s'e njihja kundërshtarin. Ndërkohë tani është diçka tjetër. Nëse e mendojmë të lehtë si ndeshje, do të thotë që nuk jemi një ekip që luftojmë për titull", përfundoi Agostineli.