e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Agim Llupo le qeline, shoqerohet nga tre makina

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Agim Llupo le qeline, shoqerohet nga tre makina
Tiranë Majori i Gardës së Republikës dhe zv.komandanti i njësisë speciale, Agim Llupo, ka lënë qelinë pas dy vjet qëndrimi në paraburgim. Pas vendimit të gjykatës, organi i akuzës përcolli dispozitivin e tij së bashku me urdhrin e ekzekutimit për lirimin nga qelia të të pandehurit që u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes së dyfishtë. Edhe pse kjo procedurë u krye në kohë rekord, Llupo la qelinë pasditen e ndjeshme duke iu shmangur kamerave dhe gazetarëve që prisnin jashtë paraburgimit.

Rreth orës 16:20 të pasdites së djeshme, me një gjest të denjë për filmat aksion, gardisti gati fluturoi nga hyrja e paraburgimit 302 në një automjet civil që e priste pak metra më tej. Duke përfituar nga shpërqendrimi i kameramanëve që prisnin daljen e Llupos, një automjet tip “Golf” ndaloi përpara hyrjes kryesore të paraburgimit dhe menjëherë u hap dera e pasme e tij. Në më pak se një sekondë, nga dera e burgut doli i pandehuri Llupo i veshur me një pallto të zezë dhe pantallona të zeza, i cili u fut menjëherë në ndenjësen e pasme të makinës. Automjeti ku ndodhej Llupo shoqërohej edhe nga dy makina të tjera civile.

Të tre makinat ku ndodheshin edhe efektivë të Gardës së Republikës u kthyen në rrugicën përballë komisariatit nr.3 me drejtim në Rrugën e Durrësit për t’u larguar më pas drejt banesës së gardistit Agim Llupo. Ish-shefi i shtabit të njësisë speciale në Gardën e Republikës u akuzua nga prokuroria për vrasjen e shtetasve Ziver Vizi dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e tre qytetarëve që ndodheshin në bulevard në momentin kur nisën të shtënat. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Llupo ka qenë i arrestuar me akuzën e vrasjes së dyfishtë, ndërsa ka akuzuar prokurorinë për hetim të njëanshëm dhe jo objektiv. Vetëm një seancë më parë, në përfundim të konkluzioneve të mbrojtjes, Agim Llupo kërkoi drejtësi nga gjykata.