e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Vellai i Dedes: Me vendimin e pafajesise na vrane per se dyti

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Vellai i Dedes: Me vendimin e pafajesise na vrane per se dyti
Tiranë Vëllai i Hekuran Dedës dhe nëna e tij Dudja ndiejnë dhimbje, më shumë se zemërim. “Nuk prisnim ndonjë farë drejtësie nga gjykata”,-përgjigjen nënë e bir, edhe pse nuk ua kishte marrë mendja se vendimi do të ishte pafajësia. Në shtëpinë e vogël të Zabit Dedës,  fotot e Hekuranit janë thuajse në të gjithë faqet e mureve. Varen aty edhe paketa e fundit e cigareve, që ai mbante me vete më 21 janar apo kuleta që iu gjet në trup. Në një intervistë për “MAPO”-n, vëllai i Hekuran Dedës thotë se nuk do të reshtin kurrë së kërkuari drejtësi për vrasjen e vëllait.

Gjykata mori vendimin për personat e akuzuar për të vrarët e protestës së 21 janarit, mes të cilëve ishte edhe vëllai juaj.  Si e pritët këtë vendim ?

Nëpërmjet televizorit e morëm vesh se ata kanë dalë të pafajshëm. E prisnim që mund të jepej një dënimi minimal, por jo se do të dilnin fare të pafajshëm. Gjykatat, por edhe Prokurori i ri që është emëruar tani, janë të gjithë shërbëtorë, hyzmeqarë të Kryeministrit. Nuk ka ndonjë gjë të papritur. Të gjithë janë në shërbim të tij. Çfarë mund të thuhet për një drejtësi të tillë, kur nuk zbardhet një ngjarje e tillë e rëndë si ajo e 21 janarit? Çfarë mund të mendosh për një gjykatë apo një qeveri që çdo vendim i drejtësisë, shkon në favor të qeverisë apo të Kryeministrit dhe jo të qytetarëve? Në çdo proces gjyqësor që ne kemi pasur kundër qeverisë, kemi dalë të humbur. Kjo i ka vënë kapakun gjithçkaje tashmë. Sigurisht që një vendim i tillë na ka vrarë për së dyti. Është një vendim që na ka masakruar në aspektin moral dhe shpirtëror.

Po nëna juaj a e mori vesh vendimin?

Po, e mori vesh. Më tha që kjo është vrasje e dytë për ne. Ndërsa njëri prej vëllezërve po shkonte në Sarandë, te motra, ndërsa tjetri është në Kamëz. E morën vesh dhe ata të njëjtën shprehje më thanë: Na kanë vrarë për së dyti.

Çfarë qëndrimi do mbani në lidhje me çështjen në të ardhmen ?

Qëndrimi ynë është i qartë dhe i prerë. Ne do t’i shkojmë në fund kësaj çështjeje. Ne nuk do të pushojmë së kërkuari të drejtën tonë. Nuk do të pushojmë së kërkuari për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes së 21 janarit, ku u vra vëllai ynë Hekurani. Ne do ta kërkojmë të vërtetën deri në fund. Do ta kërkojmë, sepse e dimë që ai nuk ka qenë agresor ndaj godinës së Kryeministrisë apo të qeverisë. Të gjithë e kanë parë dhe e dinë se njerëzit u vranë të gjithë në bulevard, nuk u vranë në rrethimin e Kryeministrisë. Për më tepër, të gjithë e dinë që Hekurani është vrarë duke folur në telefon dhe nuk ka qenë fare i rrezikshëm ndaj institucionit.

Në ç’lloj formash do ta kërkoni të drejtën?

Ne do ta kërkojmë në të gjitha llojet e formave. Por fillimisht ne do të kërkojmë të gjitha rrugët e mundshme ligjore. Ne duam që ligji të zbatohet dhe për këtë do të kërkojmë që të zbatohet ligji dhe do ta kërkojmë këtë në të gjitha shkallët e mundshme të drejtësisë nga Tirana deri në Strasburg.

A keni pasur ndonjë presion gjatë procesit?

Nuk kemi pasur presione dhe kërcënime. Por vendimi që u dha ishte sigurisht një presion i hapur. Nuk kanë çfarë të na bëjnë më tepër. Kjo është një vrasje për ne. Këto janë presionet, kur drejtësia nuk vendoset. Kur gjykata jep një vendim të padrejtë. Çfarë duhet të na bëjnë më tepër? Të vijnë të na vrasin edhe ne? Nëse nuk zbardhet e vërteta, ne vritemi çdo ditë prej tyre.

Vëllai i Ziverit: Nuk prisnim drejtësi nga gjykata

Gjirokastër Familjarët e Ziver Veizit, i cili humbin jetën gjatë demonstratës së opozitës përpara Kryeministrisë, thonë se e prisnin vendimin e pafajësisë. “Ne e kemi ndjekur vazhdimisht gjyqin, por nuk prisnim tjetër vendim nga urdhëruesit e vrasjes të vëllait tonë. Ai u vra ndërsa qëndronte me duar në xhepa në mes të bulevardit  dhe nuk kërcënonte askënd”, -thonë familjarët e tij. Vëllai i Ziverit thotë se ai ishte i sëmurë, se ishte kuruar disa herë në Gjirokastër, Tiranë dhe jashtë shtetit. “Jeta e Ziverit këtu  në fshat ishte shumë e vuajtur, Ziveri kishte bërë një dyqan këtu që jetonte, por  ia prishën dhe atë kështu që humbi çdo shpresë për të jetuar. Vitet e fundi ai jetonte me 50-60 mijë lekë të vjetra që merrte në muaj si invalid, por ato i dilnin vetëm për t’u mbajtur me bukë”,- thotë vëllai i tij Agush Veizi.  Sipas familjarëve, Ziveri vazhdimisht ishte aktivizuar në protestat e opozitës. “Edhe në datën 21 janar përpara dy vitesh, së bashku me shokë të tjerë ai u nis për në Tiranë  për të marrë pjesë në protestë për një jete më të mirë, por aty ndodhi ajo që ndodhi, të cilën e pa gjithë bota”, shprehen familjarët e Ziver Veizit.  Për familjarët, Ziveri u vra në mes të bulevardit duke ndenjur me duar në xhepa“. Familjarët shprehen se pas vendimit të gjykatës do të vijojnë sërish të mbledhin provat, por tashmë me iniciativën e tyre, ndërkohë që nuk do të heqin asnjëherë dorë nga të kërkuarit e drejtësisë. Madje, çështjen do ta çojnë në gjykatën e Strasburgut. B.Shehu

Myrtaj: Nuk do të resht kurrë së kërkuari drejtësi

Fier Mahmude Myrtaj e ka lënë bukën përgjysmë, kur ka dëgjuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. “Isha duke ngrënë mëngjes. Kisha marrë bukën me vete në punë, për vete dhe për tim bir. Nuk po u besoja syve dhe veshëve. E lashë bukën  dhe  më mbytën lotët”,-thotë e veja e Faik Myrtajt për MAPO-n. Ajo tregon se e parandjente që nuk do të kishte drejtësi për ta, megjithëse priste me shpresë deri në momentin e fundit. “Tashmë, me këtë vendim i është hapur rruga  këtij shteti të më vrasë edhe mua, edhe djalin tjetër që më ka mbetur. Këtë ka ai në dorë, sepse drejtësi nuk jep kurrë”,-thotë Mahmude Myrtaj.

E pyetur për hapat e mëtejshëm që do të ndjekë familja e saj, ajo përgjigjet: “Nuk do të  resht kurrë  së kërkuari drejtësi. Nuk mund të fal gjakun e Faikut dhe të djalit. Nuk mund të fal vrasësit që  janë  të mbrojtur nga shteti. Do t’i drejtohem  gjykatës së Strasburgut”. Ajo ka shtuar më tej se i shoqi nuk ishte kriminel, që u vra në atë mënyrë. “Faiku nuk ishte kriminel, siç duan ta quajnë Ai ishte në  bulevard. Nuk  ishte brenda Kryeministrisë, kur e qëlluan, ndaj sa të kem jetë do të kërkoj drejtësi”,-thotë mes lotëve Mahmude Myrtaj.