e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Abilaliaj voton për Tiranën: Të fitojnë edhe për Skënderbeun

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Abilaliaj voton për Tiranën: Të fitojnë edhe për Skënderbeun

Arbër Abilaliaj "voton" për fitoren e bardhebluve. Sigurisht ky parashikim i vlonjatit vjen për llogari të Skënderbeut. abilaliajIsh-lojtari i Partizanit dhe Tiranës e di çdo të thotë një derbi, madje aq nostalgjik është sa do të donte që të ishte në fushë sot. Dhe nëse do të jepej kjo mundësi, përtej kujtimeve që i ngjallin vitet si sulmues i të kuqve, këtë herë do të zgjidhte fanellën e bardhebluve.

Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", vlonjati i skuadrës korçare, kthehet në kohë dhe kujton derbet e tij.

Arbër, nesër (sot) luhet derbi, keni nostalgji për këto përballje?

Derbet janë gjithnjë plot atmosferë. Çdokush do të donte që të ishte pjesë e këtij derbi të madh. Dhe nostalgjia nuk ka si të mos mungojë, për më tepër kur ke luajtur me të dyja fanellat, sikundër edhe unë.

Ku e keni ndier më shumë këtë derbi, me fanellën e kuqe apo atë bardheblu?

Përjetimi është i ndryshëm, por rëndësia është e njëjtë. Por kënaqësia më e madhe ka ardhur nga Partizani, kam qenë më i vogël atëherë dhe për më tepër të kuqtë kanë pasur një superskuadër, një grup që pretendonte titullin. Mbresat më të mëdha i kam pasur si i kuq.

Kur përmendet derbi, çfarë ndeshje ju vjen në mendje?

Në 2003-2004 në mos gaboj, kemi fituar në "Selman Stërmasi" ndaj Tiranës me shifrat 0-1. Ishte viti kur u largua Sulejman Mema dhe erdhi Sulejman Starova dhe president ishte Pirro Angjeli. Partizani ka luftuar asokohe deri në fund për titullin kampion. Ishte ekip shumë i fuqishëm.

Kur ka kaluar mbi një dekadë nga ato vite, shihni diferenca me derbet aktuale?

Ka pasur më shumë cilësi në organikë asokohe, si te Tirana, edhe te Partizani.

Bardheblutë kanë pasur shumë më shumë kualitete se tani. Po një parashikim do ta bënit?

Nuk do doja që të fitonte sërish Partizani. Dy vite pa u thyer nga Tirana, nuk do të ishte mirë. Ka qenë shumë e çuditshme në fakt dhe as vjet nuk e besoja që do shkonte ashtu. Por ja që kështu ndodhi, në 7 ndeshje radhazi. Uroj që të jetë ndeshje e bukur dhe që Tirana të marrë tri pikët dhe t'i japë fund kësaj "tabuje". Një triumf do t'i jepte rrugë që të kishte më shumë sukses në këtë projekt që kanë nisur. Do të ishte katastrofë po të mos ia dilnin. Por këtë e them edhe për llogaritë e Skënderbeut (qesh).

Cili ka qenë rivali më i vështirë i Skënderbeut, Partizani apo Tirana?

Partizani besoj, pasi ka pasur më shumë stabilitet. Nuk kanë pasur luhatje të mëdha në tre vitet e fundit, kanë bërë lojën e vet dhe kanë marrë pikët. Ndërsa Tirana ka ndryshuar shumë në vite, ka "dallgë" të mëdha. Edhe pse së fundmi shoh ndryshim te bardheblutë.

Në fakt e kishim për ndeshjet direkte të Skënderbeut dhe jo në garën në total?

I kam parë të dyja ndeshjet dhe mendoj se Partizani ka qenë më i vështirë, paçka se Tirana në 2-3 përballjet e fundit ka luajtur goxha mirë. Tirana po mundohet që të krijojë një "fytyrë" të vetën në lojë.

Ndryshimet e janarit kë do të avantazhojnë në derbi?

Tirana ka bërë gjënë më të mirë në këtë merkato. Ndryshimet e mëdha nuk janë shumë efikase, ndaj këtë herë ka bërë lëvizjen e duhur mendoj unë që, pse jo, mund ta avantazhojë në derbi.

Daja apo Agostineli?

Unë kam punuar me Dajën, ndërsa Agostinelin nuk e njoh. Do të zgjidhja Dajën pa diskutim. Është një trajner i aftë, korrekt dhe që di të ndërtojë grup. Punon mjaft mirë dhe uroj që të fitojë.

Kush e vulos derbin?

Te Tirana ka sulmues. Bakaj, Lika dhe Muzaka janë lojtarë që mund të shënojnë. Shpresoj që kjo treshe ta zgjidhë derbin. Ndërsa te Partizani ka lojtarë si Raçiç apo Sukaj në vijën e parë. Mazrekaj është një lojtar që krijon probleme, por me sa di unë ka pasur shqetësime.

Prisni lojë të kujdesshme apo të hapur?

Tirana nuk ka çfarë humbet sipas meje. Kam idenë që do luajë vetëm për fitore, do rrezikojë në të gjitha drejtimet. I duhet kjo ndeshje për moral, pasi i jep zemër për vazhdimësinë. Të fitosh një derbi në këtë situatë, do të ishte si një titull moral.

Parashikoni një rokadë në vazhdim mes Partizanit dhe Tiranës?

Pse jo, nuk do të ishte keq. Nëse fiton edhe mundet. Por po sqaroj diçka që Skënderbeu e ka fatin e vet në dorë. Korçarët kanë gjithnjë diçka më shumë se rivali ynë më i afërt. Titulli nuk diskutohet as këtë sezon. Por besoj se misioni i tyre primar tani janë Kupat e Europës.

Nëse do të jepej mundësia që të luanit nesër në derbi, cilën fanellë do të zgjidhnit?

Të Tiranës pa dyshim. Do të isha gati që të zbrisja në fushë me fanellën bardheblu për 90 minuta dhe do jepja gjithçka, që në fund pikët të shkonin te skuadra e Ilir Dajës.

Përgatiti: A.Merko