A kane te drejte tifozet kur flasin per 'Mafia' ne futboll
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
“E shiti, e shiti”, degjoheshin thirrjet e tifozeve te Skenderbeut te shtunen ne Stadiumin e qytetit te Korces. Tifozet nuk harrojne, megjithse presidenca korcare do ta mbyll ne heshtje ate qe ndodhi ne kete ndeshje.
Pas skandalit që ka ndodhur ditën e djeshme, në stadiumin “Skënderbeu” , në ndeshjen Skënderbeu-Tirana, që përfundoi me rezultatin 2-3, për të cilën tifozët akuzuan presidentin Ardijan Takaj, për shitje të ndeshjes, në rrjetet sociale, kanë vazhduar akuzat ndaj tij dhe një pjese të futbollistëve, që kanë marrë pjesë në këtë trukim.
Tiforët korçarë, kanë postuar në rrjetet sociale duke u shprehur se nuk ka rëndësi, e shiti apo nuk e shiti ndeshjen Takaj, ekipi duhet të fitonte për tifozët.
Tifogrupi “Ujqërit e Dëborës” kishte përgatitur një koreografi për këtë ndeshje, kishin banderola dhe mjete të tjera, të cilat nuk janë lejuar nga policia të futen në stadium, ndërkohë që tifozët e Tiranës kanë futur ç’kanë mundur.
Pas golit të dytë, në përfundim të pjesës së parë të ndeshjes, tifozët korçarë në mënyrë demonstrative janë larguar nga stadiumi, duke akuzuar Takajn për shitje të ndeshjes, duke bërtitur “e shiti, e shiti”.
Ndeshja Skënderbeu-Tirana, është kthyer tashmë në një mollë sherri, midis tifozërisë dhe Takajt, i cili shpesh herë është akuzuar në media. Ndeshja mes Skënderbeut dhe Neftchi Baku-së, ishte një nga ato ndeshje që u përfol shumë dhe u akuzua Takaj.
Stadiumi i Korçës, prej kohësh kishte numër të ulët tifozësh dhe për këtë arsye klubi disa herë kërkoi të bashkëpunonte me tifozët sepse ekipi ndihej i braktisur. Pikërisht në ditën kur tifozët korçarë u kthyen masivisht në stadium, nuk panë gjë tjetër veçse skenarin e radhës të Takajt dhe të një pjese të futbollistëve të ekipit.
Burime konfidenciale pranë klubit deklarojne, se klubi korçar i kishte një borxh Tiranës, kur e kishte ndihmuar atë për mosrënien nga kategoria. Te shtunen, ultrasit kanë braktisur stadiumin, pasi u zhgënjyen nga “teatri” i turpshëm i Takajt, i cili mesa duket, do të ketë sezonin e fundit me Skënderbeun. Kjo pasi burime nga ekipi i Tiranës, theksojnë se Takaj shumë shpejt do të kalojë si donator tek ekipi kryeqytetas.
Mbrojtja e Tiranës toleroi sulmuesin Pero Pejiç të shënonte, për të qënë në krye të golashënuesve. Pejiç është një prej lojtarëve që së bashku me Takajn do të shkojnë me Tiranën.
Ndeshja e te shtunes, tregoi edhe njëherë, problematikën e madhe dhe gjendjen e mjerueshme ku ndodhet futbolli shqiptar. Dhe ajo që është më problematike është fakti që Takaj, prej disa ditësh nxiti tifozërinë korçare dhe u premtoi atyre se nuk do të kishte tolerim ndaj kryeqytetasve, por nga ana tjetër, në ndeshjen Skënderbeu-Tirana, ndodhi ajo që ndodh çdo ditë me mallin që tregtohet në pazar.
Pas këtij akti të turpshëm dhe pse jo të dënueshëm dhe kriminal të një presidenti të akuzuar publikisht disa herë për trukime, manipulime të ndeshjeve, lindin pyetjet:
A egziston mafia në futboll?
A janë disa nga presidentët e ekipeve, të lidhur me trukime dhe shitje ndeshjesh?
A është Federata e përfshirë në këto afera të pista? Cila është e vërteta e ndeshjes Skënderbeu-Neftchi Baku, në Champions League, ku jane urdhëruar futbollistët të hapnin portën?
Çka ndodhur me ndeshjet që Skënderbeu ka luajtur jashtë?
Janë shumë akuza, që ngre çdo tifoz, çdo sportdashës shqiptar, i cili tashmë e sheh Takajn, si një nga njerëzit manipulatorë, i cili nuk është thjesht një sekser, por ideator dhe realizues i skandaleve të turpshme, si ai që ndodhi dje në Korçë.
A ka nevojë futbolli shqiptar për pseudobiznesmenë, që shkatërrojnë çdo ditë me duart e tyre futbollin shqiptar, që vrasin çdo ditë me manipulimet e tyre, përfitimet personale, tolerimet, trukimet apo shitjet e ndeshjeve, opinionin e sportdashësve shqiptarë, të cilët sapo kthehen në stadium për të parë ndeshjen, shohin sesi mafia e futbollit zgërdhihet në tribunë me rezultatin e paravendosur dhe xhepat e mbushur plot në llotot që luajnë në kompanitë aziatike.
Shteti shqiptar dhe Prokuroria në veçanti, duhet të hetojë në mënyrë të menjëhershme dhe të zbardhë këto veprime prej mafiozësh dhe njerëzve që manipulojnë dhe shkatërrojnë futbollin shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit duhet të marrë masa urgjente ndaj këtyre presidentëve, lojtarëve apo kujtdo tjetër të përshirë në këto skenarë, që kthejnë sportin magjik të futbollit në një “teatër” komik. “Ujqërit e Dëborës”, tifogrupi i Skënderbeut, tashmë ndihet i zhgënjyer, i tradhtuar dhe i talluar nga maskarada që ndodhi te shtunen...