29 Marsi data e fitoreve te medha te Shqiperise

29 Marsi, data e fitoreve te medha te Shqiperise

Të dielën Shqipëria do të luajë një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e saj me Armeninë, ku një fitore do të rriste ndjeshëm mundësitë e kuqezinjtë për një vend në Europianin francez dhe data 29 mars duket se është ajo e duhura, në aspektin statistikor, pasi në 3 përballje të mëparshme në këtë datë, Shqipëria ka arritur dy prej fitoreve të saj më të mëdha.

Më 29 mars 1995, Shqipëria luante në orën 15:30 në “Qemal Stafa” ndaj Moldavisë nën sytë dhe të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jose Antonio Samaranch. Kombëtarja e drejtuar në atë periudhë nga Neptun Bajko fitonte 3-0 duke regjistruar suksesin më të thellë të përfaqësueses në një eliminatore.

Një prej golave më të bukur në historinë e kombëtares me autor Kushtën i jepte Shqipërisë epërsinë në minutën e 32-të ndërsa në të 43-tën, një goditje dënimi e Demollarit ndalej nga Coselev përpara se Kacaj të shtynte në rrjetë golin e 2-0. Në pjesën e dytë Kushta shënonte dhe golin e dytë personal me Shqipërinë që fitonte 3-0.

Më 29 mars 1997, Shqipëria, e drejtuar nga Astrit Hafizi luante larg vendit të saj në Granada, për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar në vend. Kundërshtar ishte Ukraina, që sapo kishte nisur shpërthimin e saj në futbollin ndërkombëtar. Ukrainasit me Shevchenkon e Rebrov në fushë triumfonin 1-0, me një gol të këtij të fundit në minutën e 40-të.

Një 29 mars jo dhe aq i mbarë për përfaqësuesen, e cila po në të njëjtën datë 6 vjet më vonë zbriste në Loro Borici, me një gjerman për trajner si Hans Peter Briegel. Kombëtarja regjistronte fitoren më të madhe në historinë e saj në eliminatore, duke mundur 3-1 Rusinë. Një 11-metërsh i humbur në minutat e para, nuk pengoi kuqezinjtë të kalonin në epërsi në të 20-tën me Altin Rrakllin.

Rusët barazuan me Karyakan në të 76-tën por një gol i Lalës në të 79-tën bëri “Loro Boricin” të shkundej i tëri nga entuziasmi. Festa kuqezi u kompensua në të 82-tën kur Ilgi Tare shënoi dhe të tretin.

Më 29 mars, tashmë në 2015-tën, Shqipëria do të zbresë në “Elbasan Arena” për një tjetër ndeshje të rëndësishme, në një datë që ka shënuar suksese të rëndësishme kuqezi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama