Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Zgjedhjet, një histori mbyllet, tjetra hapet

Shkruar nga: Henri Çili  
Botuar më: 15 vite më parë

Henri Çili
Zgjedhjet, një histori mbyllet, tjetra hapet

Zgjedhjet përfunduan! Kjo ishte kuant-esenca e raportit të OSBE-ODIHR-it lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit. “Mbyllja” që ky raport i bëri çështjes së zgjedhjeve të 28 qershorit është me rëndësi vitale për ngjarjet e mëtejshme të këtij katërvjeçari politik. Raporti pranoi se edhe pse zgjedhjet nuk ishin në potencialin e mundshëm që ka sot demokracia funksionuese shqiptare, është jashtë çdo dyshimi që rreth tyre “nuk ka prova për manipulimin e rezultatit” - po të përdorim një citim nga raporti, në hapje të numrit të djeshëm të gazetës “Panorama”. Kjo vendosje e pikës së institucioneve ndërkombëtare mbi çështjen e zgjedhjeve hap dy perspektiva të qarta për sistemin tonë politik.

Së pari, për qeverinë dhe maxhorancën, e cila me këtë raport nën sqetull mund ta quajë juridikisht dhe politikisht çështjen e zgjedhjeve të mbyllur dhe bashkë me këtë ta quajë maxhorancën politike të krijuar pas 28 qershorit, si një maxhorancë politike, ndërtuar mbi një logjikë vërtet paselektorale, por “mbi votat e veta”. Kjo i jep shumicës një shans që të realizojë me legjitimitet të plotë programin dhe angazhimet e marra dhe nga ana tjetër t’i japë jetë një horizonti politik, që ç’është e vërteta mbetet për t’u shpikur, pasi shumica blu-kuqe që qeveris vendin u krijua pas zgjedhjeve dhe nuk u votua para shqiptarëve para zgjedhjeve.

Brenda një mandati prej 74 karrigesh, është e qartë që tanimë askush s’ka të drejtë, apo nuk ka vlerë edhe nëse e bën, t’i bërtasë Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të drejtën e tyre për ndërtuar një maxhorancë reformuese dhe me një objektiv të qartë: avancimin esencial në integrimin evropian.

Duke thënë të gjitha këto, kjo nuk do të thotë aspak se me këtë raport maxhoranca ka marrë një licencë për të qenë arrogante apo për të mos përfillur ato vërejtje të drejta të raportit dhe të opozitës mbi ato mangësi që u vërejtën në zgjedhje. Qofshin këto edhe ato vërejtje që në cilësi edhe pse jo në sasi mbivendosen me kontestimet që ka bërë opozita.

Së dyti për opozitën, ky raport krijon shanset për një dinamikë të re brenda opozitës kryesore në vend. Përfundimet e këtij raporti e bëjnë humbjen e opozitës të padyshimtë dhe i japin mundësinë asaj të nisë nga një destinacion i ri diskutimin për reformimin e opozitës dhe ndërtimin e një opozite të re këto katër vet.

Pika e Arkimedit, mbi të cilën mbështeten pretendimet e Edi Ramës dhe mbështetësve të tij mbi “vjedhjen e fitores”, është e qartë që tashmë bie dhe bashkë me këtë edhe ajo strategji politike e opozitës të Ramës që mbështetej vetëm mbi kontestimin e legjitimitetit të këtij pushteti.

Ky raport i jep të drejtën opozitës të kërkojë deri më një korrigjimin dhe hetimin e të gjithë atyre elementëve dhe pretendimeve që gjejnë mbështetje solide edhe në raport si: presioni ndaj administratës, zhbalancimi i medias, sjellja e medias publike, numërimi i lodhshëm e problematik etj. E reja është se ky raport i jep dhe detyrën PS-së dhe lidershipit të saj të mos bëjë opozitë vetëm me një këmbë, por mbi të dyja këmbët: këmba tjetër është pikërisht rikonceptimi i ofertës opozitare që në 28 qershor qe e pamjaftë për fitore, duke filluar nga një lidership i ri e deri te një përmbajtje e re e ofertës së majtë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama