Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dilema për meritën

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 15 vite më parë

Aleksandër Çipa
Dilema për meritën

Dy korpuset kryesore partiake të vendit, në këtë fushatë elektorale, kanë rekrutuar si kurrë ndonjëherë më parë, emra të rinj politikëbërësish. Treguesit e listave të kandidatëve për deputetë si të PD-së edhe të PS-së, janë të tillë që mund të deklarohet pa droje se në legjislativin e ri shqiptarët do të përfaqësohen edhe prej një plejade politikanësh të rinj. Kjo është risi e këtij Parlamenti në ardhje, sikundër mund të thuhet se tashmë ky mund të quhet një proces i nisur edhe për zëvendësimin e elitës politikëbërëse në krejt vendin.

Parë në këtë prizëm, mund të thuhet se ky listim, pashmangshmërisht ka vlerën e premisës ndryshuese të shumë përfaqësuesve jo vetëm brenda Parlamentit të ardhëm, por edhe në institucionet partiake dhe ato publike të vendit. Ndryshime rrjedhimisht do të shfaqen edhe në strukturën dhe përmbajtjen njerëzore të administratës publike për katër vjetëshin e ardhëm.

Nisur prej këtij fakti, mund të thuhet, me të drejtë, se tranzicioni shqiptar ka mbërritur në një moment tjetër maturimi apo ndryshimi. Prej partive kryesore, rivale dhe kandidate të vetme për qeverisje, njëjtësisht është realizuar projekti që pretendon ardhjen në detyrë, të një plejade të re individësh.

Nëse do të huanim për perifrazim, një sentencë të Eduartd Baladyr, do të formulonim dilemën: "A do të bëjnë të mundur këta politikanë të rinj lindjen e meritës?..."

Ata, domethënë politikanët e rinj të saporekrutuar, janë në provën e parë. Koha e katër vjetëve të ardhëm, është e mjaftueshme për të fituar dhe tejkaluar provat e meritës grupi i tyre.

Momenti i parë promovues i tyre, duket se nuk e ka kapërcyer kritikën e shumë prej vëzhguesve skeptikë. Vetëpromovimi dhe aftësia për t‘ju imponuar listimit konkurrues, u zëvendësuan prej emërimit prej kryetarit. Në këtë konstatim djemtë e "politikës së re", ish-mjaftistët Erion Veliaj, Juli Hoxha, Olta Xhaxhka etj., përbëjnë përjashtim. Ata u investuan në kurbën e ambicies së tyre për të mbërritur në skenën e konkurrimit si politikëbërës. Premisa e tyre, pra qenia së pari pjesë aktive e strukturave të shoqërisë civile, natyrishëm u kritikua dhe u atakua prej pozitarëve dhe segmenteve të veçanta të opozitës së majtë. Në thelb, kjo periudhë e shfaqjes parapolitike të tyre, u shërbeu atyre për promovim dhe për fitim të publikut. Statusin e shfaqjes ata e ndryshuan, duke e konvertuar në strukturë politike dhe në përfshirjen garuese si politikëbërës. Skepticizmi për "meritën e palindur" mbetet tek të emëruarit apo të listuarit befasues në partitë kryesore, pra PD-PS.

Cilësia e përfaqësimit të përmirësuar në Parlamentin e ri, duket si në parathënie. Janë dhjetëra juristë, ekspertë të arsimit, shkencës, disiplinave të ndryshme, të ardhur nga arsimimi dhe kulturimi në shtete të Perëndimit dhe evropiane, të cilët pa dyshim do të imponojnë një sjellje dhe performancë të re në sallën e Parlamentit.

Pas zyrtarizimit të listave prej KQZ-së, mund të thuhet se kontrasti me të shkuarën, besoj se është fituar. Kjo është një premisë për meritë të cilësishme përfaqësimi në legjislativin tonë të ri. Meritë tjetër e shpresuar, mund të jetë edhe ndikimi kontrastues që mund të kenë ata,(të rinjtë) në raport me "të vjetrit e politikës". Kultura juridike, politologjike dhe ajo oratorike, në Parlament mund të jenë shumë herë më cilësore, se në legjislaturën e sapombyllur.

Kjo do të thotë se shpresa për "lindjen e meritës" në Parlamentin tonë të ri, natyrshëm mund të jetë më e madhe. Matanë këtij optimizmi, mbeten edhe disa aspekte dyshuese për kurajën dhe integritetin e kësaj aradhe të re politikanësh. Disa prej kandidatëve, të cilët kanë gjasa të forta për të rezultuar deputetë të ardhshëm, vijnë të befasuar në këtë angazhim dhe në këtë përfshirje. Ka qenë vullneti dhe preferenca e udhëheqësit që ata i ka listuar për t‘i futur në politikën aktive. Disa syresh kanë qenë të paforcë për refuzim, edhe pse i janë trembur këtij listimi. Ndërkohë që disa të tjerë kanë fituar vesin e heshtjes, edhe kur kanë konstatuar se ky listim, ka ndëshkuar pa të drejtë, disa politikanë, të cilët kanë qenë aktivë në mandatin e shkuar.

Në këtë grup të vogël përfaqësuesish të "ndërprerë", përfshihen disa emra të cilët ose kanë qenë protagonistë të opozitarizmit konstruktiv, ose veprimtarë të artikulimit dhe gjenerimit të tezave dhe ideve politike. Do të jenë të listuar për këtë kontribut emra të tillë si: Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj, Bujar Leskaj etj., si ish-pjesëtarë të shumicës së djathtë qeverisëse, sikundër edhe opozitarët e spikatur Nikollaq Neranxi, Musa Ulqini etj. Në rastin e këtij grupi të paklasifikuar mund të thuhet se "merita e ndërprerë" e ka gjurmën të dukshme, sidomos matanë partisë. Natyrisht, kjo është konkurrencë dhe, përjashtime të tilla në politikë, janë normale. Por ajo që lidhet me interesin publik, është loja meritokrate, e cila e ka humbur vlerën dhe është shndërruar në mekanizëm që instalon autoritarizmin përfundimisht ndër partitë tona. Matanë këtij procesi selektimi dhe listimi, qëndron një thelb tjetër realiteti: Rrënimi i meritokracisë në partitë e mëdha. Ky rrënim, mbart në vetvete edhe shanset për gjallim të ri informaliteti, servilizmi dhe thyeshmëri ndërgjegjesh njerëzore. Një deputet i përjashtuar nga mundësia e rikandidimit prej partisë së tij, i pat dhënë hierarkut të vet partiak, këtë përgjigje: "Më mirë një qytetar i pasur sesa një politikan i varfër".

E goditur kjo sentencë, e cila fatkeqësisht nuk e meriton anonimitetin! Natyrisht pas saj, fshihet një realitet abuziv dhe pse jo korruptiv, i procesit kandidues në partitë tona. Ankimtarët e përjashtuar pa të drejtë dhe pa justifikim publik, prej së drejtës rikandiduese, kanë zgjedhur heshtjen. Kjo është heshtje e padrejtë dhe natyrisht edhe demaskuese e dimensionit real të lirisë së shprehjes dhe të veprimit në realitetin dhe familjet tona politike. Negativiteti i kësaj fshehjeje është shumë herë më i rrezikshëm sesa trafiku njerëzor në partitë e së njëjtit spektër majtist këto ditë (PS-LSI e anasjelltas).

Procesi kandidues në këtë tur zgjedhor mori formën dhe përmbajtjen reale të emërimit dhe atributet e një politike caktuese prej kryetarëve. Krejt investimi propagandistik për parime të tipit "një anëtar, një votë" në këtë proces, u shndërrua në një butafori dhe normë vetëdemaskuese. Në muajt e parë paszgjedhorë, do të shijojmë dimensionin real të shëmtisë apo elegancës së demokracisë shqiptare, sikundër edhe vlerën reale të ndërgjegjes statutore në partitë tona politike. Nëse do të shijomë vlerën dhe dimensionin pozitiv të saj, atëherë do të themi atë që pohoi dikur Baladyr: "Ia arritëm të lindim meritën!".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama