Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

E kam fshatarin tim!

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
E kam fshatarin tim!

Një shi i çuditshëm, rebel, poterexhi, arrogant ka mbuluar në pak minuta gjithë Tiranën. Nga të krekosur e të shpenguar, sikurse bëhen njerëzia gjatë ditëve të beharit, kalimtarët befas janë shndërruar në disa si pula të lagura që kërkojnë strehë ku të munden. Disa llamarina fluturojnë që nga një tarracë dhe përplasen fort mbi një makinë të shtrenjtë. Makina nis të ulërasë fort në kërkim të pronarit me një goxha gërvishtje mbi ballë, por askush nuk ia vë veshin, madje as i zoti, që nuk dihet se ku ka gjetur strehë përballë kësaj furtune të frikshme në mes të korrikut. Njësoj si të tjerët, pra njësoj si të gjithë pulat e lagura, vrapojmë edhe ne drejt më së parës strehë që na gjejnë sytë. Shumë shpejt, poshtë një strehe të vogël, bëhemi më shumë se njëzet vetë që ngucim njëri-tjetrin më kot, sepse tashmë ç’ka qenë për t’u lagur, është lagur. Sikurse ndodh zakonisht, halli i përbashkët i lidh njerëzit. Disa nisin të shkëmbejnë cigare me njëri-tjetrin, të tjerë pëshpërisin si me vete, por në fakt që ta dëgjojnë të tjerët: E po kjo punë kështu!? Si kalojnë minutat e para e kuptojmë se nuk jemi në një strehë dosido, por poshtë një mburoje fort të rëndësishme, të një ministrie madje. Shiu vazhdon të lëshojë rrëketë e tij të zymta mbi Tiranë, ne – ose më saktë shumica e pulave të lagura – vendosim të presim me qetësi. Disa ikin, të tjerë vijnë. Vetëm një personazh ndihet më fort nga gjithë të tjerët.

 

Në fillim na bën përshtypje portreti i tij me disa rrudha të theksuara, njësoj sikur dikush të kishte dashur të gdhendte mbi portretin e tij. Pastaj janë sytë. Nuk lotojnë, por janë vazhdimisht të qullët, si të mbuluar me një shtresë xhelatine të turbullt. Njerëzve më shumë se fjalët e tij, u bën përshtypje era e rëndë e duhanit me të dredhur, që e ka vazhdimisht në buzë. Pastaj, lëvizjet që bën. Gjymtyrët, që i shkojnë në të katër anët e horizontit, sytë që nuk fiksohen te asnjë prej dëgjuesve dhe një goxha dosje e rëndë nën sqetull na bëjnë me dije se ky personazh nuk është nga këto anë. Përsërit e përsërit pa pushim: Do më presë se s’bën! E kam fshatarin tim atë unë! Pse? Kot ia dhamë votën?! Ndërsa shiu vazhdon të lëshojë rrëketë e tij historia bëhet edhe më e qartë. Hallexhiu, i qullur deri në palcë dhe me portret të gdhendur nga hallet, ka vërtet një telash të madh pronësie, porse ministria ku ndodhemi nga halli i përbashkët s’ka asnjë lidhje me atë punë. Fshatari i ngratë ka orë e orë që pret në hyrje të asaj ministrie me shpresën e kotë se do ta ndihë një nëpunës i lartë, merita e të cilit është e pamohueshme, e padiskutueshme, e panegociueshme, madje edhe e pashkatërrueshme: si fshatari ynë i lagur, si nëpunësi i thatë, kanë lindur të dy në të njëjtin fshat.

 

Kjo histori ka ndodhur vërtet, vetëm një ditë më parë, bash e në zemër të kryeqytetit. Një hallexhi, si shumica prej nesh, jo vetëm kishte marrë udhën, jo vetëm kishte shpenzuar nerva, kohë, para, por edhe kishte bindjen e thellë se këto punë, madje jo vetëm këto, por çdo hall i botës zgjidhen nga “fshatari im” të cilit “i kam dhënë votën”. Që kjo mënyrë të menduari është e vjetruar, këtë mund ta themi të gjithë. Që kështu nuk ecet më, nëse duam të shkojmë drejt BE-së, edhe këtë e kupton edhe vetë bufi. Mirëpo ka një arsye të madhe përse kjo mënyrë të jetuari “fshatçe” është ende fort e përhapur.

 

Që në fillim duhet të pranojmë bashkë se fajin nuk e ka fshatari i ngratë dhe i lagur. Ai i ziu ka vetëm një gjë në kokë: të zgjidhë telashin që e ka gjetur dhe të kthehet një orë e më parë te bagëtitë e te mullarët e tij. Të tjerë para tij kanë trokitur në derën e bashkëfshatarit dhe e kanë zgjidhur problemin. Pastaj a nuk i kanë premtuar politikanët në fushata zgjedhjesh se do t’i qëndrojnë në krah, jo vetëm për hallet që do t’i dalin gjatë kësaj dreq jete, por edhe mund të kërkojë ndonjë vend pune për veten, apo për të afërmit e tjerë? Mjaft që ai të shkojë pas bashkëfshatarit, të cilin mund ta thërrasë pa frikë edhe “kusho”, t’ia japë votën pa u menduar gjatë dhe jeta do të bëhet më e lumtur. Por ja që qëllon që jeta të hedh një shkulm të rëndë uji bash e në zemër të korrikut dhe mendimet e lagura të ngatërrohen keq ndër krye. Qëllon që edhe vetë fshatari yt të mos të ta ketë ngenë.

 

Ne sot flasim me të drejtë për reforma të thella, në arsim, drejtësi, rend, territor, administratë. Të gjitha do bëhen, ligjet do kopjohen, do përkthehen, do përshtaten dhe do t’i shtohen morisë së atyre që kemi pasur deri më tash. Mirëpo lind pyetja cilët janë ata që do t’i zbatojnë. Ne? Njerëzit, që presim ta zgjidhim këtë punë me “fshatarin tonë”? Ka një teori që thotë që ligji edukon. Ligji shtrëngon, dënon, pra mëson njerëzit të ecin në një hulli të caktuar. E njëjta teori thotë që, veç detyrimit të ligjit, edhe shembulli i liderëve, i politikanëve, lokalë apo qendrorë qofshin këta, bëhet në një masë të caktuar shembull për ne fshatarët e thjeshtë, që ta dimë më mirë se ku t’i hedhim këmbët. Mirëpo ajo që pamë të enjten në logun e burrave e grave të Shqipërisë, pra në Parlament, ishte një shembull se si krerët tanë – të paktën disa prej tyre – jo vetëm që nuk e kanë mendjen te ligji, por janë gati të agresojnë të tjerët qoftë me fjalë e qoftë me rrip mesi apo me grushte. Tani në këtë rast, çfarë do të bënte një fshatar i thjeshtë si ne? Me siguri që do të mbante anën e bashkëfshatarit të tij, pa pyetur fare se kush ka të drejtë e kush jo, se kush ushtron dhunë e kush jo. Ai do mjaftohej vetëm me fjalinë magjike, krenare, të lashtë sa vetë malet tona: E kam nga fshati atë unë!

 

Eqrem bej Vlora, fisniku brilant, pat shkruar në kujtimet e tij historinë e një ishulli që ishte shfaqur befas në mes të lumit diku në çifligjet e tij pranë Vjosës. Ishulli kishte ekzistuar për do kohë, madje në mes të tij kishin mbirë edhe disa shkurre. Kaq kishte mjaftuar që njerëzia të rrëmbenin armët për të zotëruar ishullin. Zyrtarisht ishulli nuk i takonte askujt. E si mund të ketë pronë në mes të lumit? Mirëpo ja që paraardhësit tanë ishin të bindur për të kundërtën. Pas disa javë luftimesh, me të vrarë e të plagosur, lumi vetë vendosi që ta përpijë ishullin. Befas, ai nuk ishte më, e kishte marrë lumi! Ishin vrarë për “ishullin që nuk është”, njësoj si në romanet me aventura! Kjo ka ngjarë andej nga fillimi i shekullit XX, por nuk është se bëmat tona të mijëvjeçarit të ri bien më poshtë. Dhe kjo i dedikohet asaj formulës magjike, gjithëpërfshirëse: E kam fshatarin tim! Për sa kohë kjo do të funksionojë, për aq kohë ne do jemi në kërkim të “ishullit që nuk është”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama