Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Teza e burrneshave lesbike eshte nje gjepur e madhe

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 10 vite më parë

Mustafa Nano
Teza e burrneshave lesbike eshte nje gjepur e madhe

Për burrneshat tona ka kohë që shkruhet. E prapëseprapë, ato përbëjnë një dukuri që ndjell interes e vëmendje. Të huajt që vijnë për të vizituar Shqipërinë, sidomos ata që vijnë për herë të parë, kanë në mendje qysh pa u nisur planin, apo mundësinë, për të zhbiriluar në botën tepër ekzotike të burrneshave. Dukuri tjetër ekzotike, ose thënë ndryshe dukuri e qëmotshme që i ka mbijetuar modernitetit, apo që e sfidon këtë të fundit, është Kanuni. Dhe brenda Kanunit është zakoni i gjakmarrjes.

 

Ka shumë të huaj që e lënë veten të tërhiqen prej idesë së scoop-it, e për këtë arsye në vëzhgimet e tyre gjenden nënvizime të përcipta. E kur duan që të thellohen bien në një grackë tjetër: i interpretojnë këto dukuri të qëmotshme me ndihmën e një aparati konceptual modern. Fjala vjen, thërresin në ndihmë Sigmund Freud-in për të shpjeguar gjakmarrjen, apo – këtu kemi të bëjmë me një diskutim të ditës, tek i cili do ndalem – kërkojnë motivime homofilike në zgjedhjen e disa grave të Veriut tonë për të bërë një jetë burrneshe.

 

Shtypi i djeshëm raportonte, madje gjerësisht, mbi publikimin e librit të antropologes angleze, Antonia Young, në të cilin ish rimarrë tema e burrneshave. Meqë ra fjala, po dje përurohej edhe një libër i politologut bullgar të njohur në të gjithë Europën, Ivan Crastev-it. Nuk pashë asnjë gazetë që të fliste për këtë ngjarje (atje ish edhe Kryeministri Rama, por do ish më mirë të mos ish, ngaqë gjithë kohën, nën vëzhgimin e kamerave televizive e të syve të të pranishmëve, edhe të syve të autorit që ish duke folur, merrte e niste sms nga celulari i vet; duhet të jetë Kryeministri i vetëm në botë që merret vazhdimisht me celularin, teksa është thirrur, e ka pranuar, të jetë në një veprimtari publike).

 

E përmenda ngjarjen e librit të Crastev-it për të shprehur habinë që askush nuk u mor me të, e jo për të zhvleftësuar librin e autores angleze mbi një argument të njohur e të stërnjohur. Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz që mendojnë se një teme të rrahur nuk ke se ç’t’i rrahësh më. Përkundrazi, mendoj se mbi një argument, a dukuri, edhe pse mund të jenë shumë të rrahur, madje pikërisht ngaqë mund të jenë të tillë, mund të shkruhet në mënyrë po aq interesante sa edhe për një argument, mbi të cilin nuk është folur kurrë. Një autor i mirë, nëse ka pasionin, ngacmimin e motivimin e duhur, mund të gjejë mënyrën për ta parë çështjen e shumëdiskutuar nga një kënd i ri.

 

Nuk e përjashtoj (s’kam se si) që libri ‘Gratë që u bënë burra’ të përbëjë një mënyrë të re shikimi të dukurisë së burrneshave, por ndonjë gazetë e djeshme e kërkonte me pahir këtë optikë të re te një motivim prej lesbikeje i këtyre grave që zgjedhin “të bëhen” burra. Dhe linte të kuptohej se kjo gjë ish një nga mesazhet e librit. Sikur të ish kështu, nuk do të kishim të bënim me ndonjë risi. Kjo lidhje është bërë më shumë se nga një autor në të shkuarën. Mirëpo, kjo gjë s’është hiç e vërtetë. Në libër, siç dukej nga pjesa që kish publikuar ‘Panorama’, flitej për lidhjen burrneshë-lesbike jo për të mbrojtur tezën se burrneshat në thelb kanë qenë e janë lesbike, por për ta përgënjeshtruar e për ta parë si një sendërgji e aq këtë tezë.

 

Do doja të ndalesha pak në këtë pikë. Nuk ka pse të përjashtohet apriori që ndonjëra prej burrneshave të ketë pasur motivime të tilla, me fjalë të tjera nuk ka pse të përjashtohet që ndonjëra syresh të ketë provuar qysh herët një tërheqje nga seksi femër, dhe e ka parë transformimin në burrneshë si një mënyrë për t’i hapur rrugë sadopak kësaj prirjeje të saj kongjenitale (ndonëse, pikërisht për shkak të kësaj zgjedhjeje, kjo rrugë edhe mund t’u mbyllej) në një mjedis ku lesbizmi hynte ndër gjërat e mynxyrshme. Dhe kjo ndodhte në një kohë kur tërheqja e burrave prej burrave shihej si një gjë normale; të paktën kështu ka qenë deri në fund të shekullit XIX; Johann Georg von Hahn, e shumë përpara tij Evlyia Çelebiu, dëshmojnë se homoseksualiteti ka qenë një praktikë banale mes shqiptarëve; Hahn-i e mbështet këtë pretendim edhe mbi një folklor me motive të shumta homofilike që ka ekzistuar këtyre anëve. Dhe folklori është një nga pak gjërat e kësaj bote që nuk lind në havá.

 

Por edhe sikur të ketë pasur raste të tilla të burrneshave-lesbike, ato së pari është e sigurt se kanë qenë të rralla, dhe së dyti është po kaq e sigurt se nuk janë të provuara. Nuk ekziston asnjë dëshmi që ta pohojë këtë gjë. E prandaj është e kotë që të ecësh kësaj ane. Shpjegimi i dukurisë së burrneshave është shumë i thjeshtë, dhe është një shpjegim që është bërë nga shumë vetë, mes të cilëve edhe shumë shqiptarë. Madje, duhet thënë se gjërat më të mençura lidhur me këtë temë janë shkruar nga shqiptarët. Fjala vjen, libri fiction me titull ‘Sworn Virgins’ (Burrneshat) i Elvira Dones-it thotë shumë më tepër sesa shumë libra të huaj; dhe i bën dukurisë një trajtim shumë më delikat.

 

Sa për mua, unë personalisht nuk besoj se ka qoftë dhe ndonjë përjashtim që përforcon rregullin në këtë diskutim. E kam të vështirë të përfytyroj që një femër në një botë të izoluar patriarkale, thellësisht patriarkale, absolutisht patriarkale, siç ka qenë ajo e Shqipërisë së Veriut, të ftillohej e të fitonte vetëdijën e tërheqjes seksuale prej gjinisë së vet. Në rrethana të tilla, lesbiket “nuk e marrin vesh kurrë” që janë lesbike. Është një dispozicion i tyre që, për shkak të trysnisë që ekziston prej kodeve morale “publike” (dhe në shoqëri të mbyllura morali individual puqet me hir, me pahir i tëri me moralin publik), ato e shtypin aq shumë brenda vetes, sa nuk u shkon në mendje që e kanë, a e bartin.

 

Kjo ndodh edhe me burrat homoseksualë, të cilët, për shkak të faktit që lindin e jetojnë në një shoqëri homofobike e ushqehen gjithë kohën me një kulturë po homofobike, vdesin pa e ditur se janë homoseksualë. E nëse arrijnë ta identifikojnë këtë orientim seksual brenda vetes, pësojnë një tronditje, një krizë, përpiqen të mos e lënë të zhvillohet, më së pari duke mos ia pranuar vetes, e një nga mënyrat për ta bërë këtë është të lëshosh klithma kundër homoseksualëve. Me këtë duhet të ketë lidhje edhe një harbim e histeri në botën online kundër gay-ve. Është një tentativë çyshtjeje, është një përpjekje për t’mos ia njohur vetes një atribut personal që shoqëria e refuzon, a e nëm. Dhe kjo gjë ndodh sot, kur gay-të kanë hapësira për të mbrojtur të drejtën e tyre për të qenë të barabartë me të tjerët, ndërsa në malësitë e Veriut të Shqipërisë as që mund të përfytyrohej që një femër të ftillohej se ish lesbike, t’ia pranonte vetes, e pas kësaj të kërkonte rrugë të shprehjes së këtij tipari “allasoj”. Dhe një nga rrugët na paskësh qenë të bëhej burrneshë. Kjo është një mufkë. Jo më kot, një nga burrneshat, teksa pyetet si me lezet nëse i mungon marrëdhënia seksuale në zgjedhjen që ka bërë, përgjigjet në mënyrë kuptimplote po me një pyetje (këtë e dëshmon gazetari Tom Parfitt, i cituar nga Antonia Young): “E për çka duhet me m’mungue marrëdhënia seksuale, kur unë tash e kam familjen kaq të madhe?” Nuk mund të duash një gjë, të cilën ose s’e ke pasur kurrë në mendje, ose e ke hequr për fare nga mendja.

 

Thashë pak më sipër që shpjegimi i dukurisë së burrneshave është shumë i thjeshtë. Dhe në një farë mënyre e lashë të kuptohet këtë shpjegim. Në themel të kësaj dukurie fillimisht mund të ketë qenë edhe një llogari, a interes, i natyrës materiale. Ka pasur rrethana ku vetëm duke u bërë burrneshë, është bërë e mundur të mbahet në trashëgim prona e pasuria e prindërve. Por më pas, dukuria në fjalë ka lidhje mbi të gjitha me kulturën, me zakonet, me moralin, me ethosin, e me ambientin, ku vajzat-burrnesha janë rritur. Në një botë ku ishte si një mallkim të ishe femër, ku femra veç mundime kish nga lindja deri në vdekje, ku në një libër me emrin Kanun, që për malësorët ish më i shenjtë se librat e shenjtë (është goditës fakti që të gjithë librat e shenjtë, apo gjoja të shenjtë, me gruan e kanë pasur “inatin”), bëheshin pohime të tilla, si “gruaja a’në detyrë me i ndjejë nën sundim burrit”, ose “grueja shqiptare farë trashëgimit s’ka tek prindja; kanuja e xen gruen si një tepricë në shtëpi”, ose “me rrah burri gruen, nuk bie në faj kah kanuja, e as prindja s’mund ta kërkojnë të rrahmen”, ose “grueja asht shakull për me mbajt”, etj, etj, në një botë të tillë pra dëshira për të qenë burrë ka ekzistuar në rropullitë e çdo gruaje. E çudi nuk është që ka pasur burrnesha. Çudi është që nuk ka pasur shumë më tepër.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama