Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Basha dhe ekipi i ri i PD!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 10 vite më parë

Blendi Fevziu
Basha dhe ekipi i ri i PD!

Lulzim Basha ka lançuar javën që shkoi sfidën më të rëndësishme që nga koha e ardhjes në krye të Partisë Demokratike, atë të zgjedhjes së ekipit të ri drejtues të partisë. Ekipit që do të sfidojë në zgjedhjet lokale të 2015-s dhe në ato të përgjithshme të 2017-s koalicionin e majtë të Edi Ramës dhe Ilir Metës.    

 

Nuk ka asnjë dyshim që zgjedhja e ekipit politik është hapi i parë shumë i rëndësishëm për ndërtimin e një filozofie politike opozitare. Ai është hapi kryesor për të vijëzuar një model të ri politik, që në historinë e PD pa dyshim që do të mbajë emrin “Koha e Bashës”! Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e ekipit të ri do të jetë e lidhur ngushtë me imazhin e kryetarit të ri dhe atë që ai mendon se do të arrijë me këtë ekip. Suksesi apo dështimi i këtyre zgjedhjeve të brendshme është i lidhur ngushtë me suksesin apo dështimin e vetë kryetarit të ri të Partisë Demokratike.    Ndërtimi i një programi qeverisës konkurrues për zgjedhjet e 2017-s do të jetë sfida e dytë e madhe e Bashës dhe ekipit të tij. Që nga zgjedhja e ekipit e deri te ndërtimi i programit, PD duhet të ndërtojë një strategji opozitare të aftë për të rikthyer besimin e humbur të elektoratit dhe për të përgatitur rikthimin në pushtet.    

Në të gjithë këtë zinxhir, përzgjedhja e ekipit të ri politik është tejet e rëndësishme dhe, në një farë mënyre, ai do të influencojë të gjithë hapat e mëtejshëm të partisë më të madhe të opozitës.    

Nëntë muaj i vonuar dhe me shumë kritika mediatike për këtë vonesë, Basha ka ndërmarrë më së fundmi hapin e tij. Ai ka lançuar zgjedhjet, duke i shoqëruar ato me një analizë për humbjen e 23 qershorit dhe me disa masa “ndëshkuese” për këtë. Thelbi i tyre qëndron në faktin që nuk do ketë më kryetarë të strukturave të PD që qëndrojnë mbi dy mandate; nuk do të ketë deputetë që konkurrojnë për këto struktura dhe nuk do të hyjnë në garë ata drejtues aktualë që kanë arritur rezultat të dobët zgjedhor (duke marrë si kriter për këtë rezultatin e zgjedhjeve të 2009)!    

 

Edhe pse vendimi i Bashës ka qenë më pak i kontestuar sesa përflitej përpara shpalljes së tij; edhe pse kontestimi ka ardhur “për forcë zakoni” apo sipas stilit të përhershëm refuzues apo mosbesues të drejtuesve të lartë të PD ndaj çdo prurje të re; gjithsesi, vendimi i tij pa dyshim që ka qenë i drejtë. Por ky vendim i drejtë mund të kthehet fare thjesht në i “pamjaftueshëm”, nëse Basha nuk do të jetë kategorik, i guximshëm dhe i aftë ta zbatojë atë realisht. Ku qëndron thelbi i “kufizimeve”, që PD ka përcaktuar në zgjedhje dhe përse Basha duhet të jetë i vendosur në zbatimin e tyre:    E para, ndalimi i drejtuesve me rezultate të dobëta për të kandiduar sërish i jep fund kulturës së “pandëshkueshmërisë” që ka dominuar për shumë vite në politikë. Humbja e PD ishte e thellë dhe thuajse e njëtrajtshme në gjithë Shqipërinë. Për këtë arsye, Berisha u largua duke marrë mbi vete përgjegjësitë, por përgjegjësia nuk mund të jetë vetëm e tij, por kryesisht e tij. Largimi i tij nuk amniston ata drejtues të partisë në bazë, që duhet të mbajnë përgjegjësi për rezultatin lokal!  

 

E dyta, ndalimi i drejtuesve të strukturave për të kandiduar mbi 2 herë ndihmon mjaft në qarkullimin e elitave brenda PD dhe në krijimin e ekipeve të reja. 23 vjet më parë, në Kuvendin e parë të PD, në shtator 1991, debati më i ndezur ishte ai që kërkonte që edhe kryetari i PD të mos lejohej mbi 2 mandate. Ky qëndrim i mbrojtur nga Aleksandër Meksi dhe një pjesë e madhe e kryesisë dështoi, por sot, PD nuk mund të jetë më pak e emancipuar sesa 23 vite të shkuara. Ky kriter duhej të ishte vendosur që atëherë për të gjithë drejtuesit lokalë. Për drejtuesit qendrorë është sanksionuar tani një model, sipas të cilit, ai që humbet zgjedhjet, largohet.    

 

E treta, pengesa e deputetëve për të qenë njëkohësisht kryetarë strukturash, është pa dyshim një vendim që duhet përshëndetur. Grumbullimi i përgjegjësive në disa duar ka qenë një model dominant në PD. Në vitin 1996, Albert Brojka kishte njëkohësisht afro 6 funksione në PD. Gert Bogdani ka sot 3! Pa asnjë paragjykim në aftësitë e të dyve, do të ishte shumë më demokratike që këto funksione të shpërndaheshin te më shumë njerëz. Kjo krijon një shpërndarje më të mirë të përgjegjësisë, më shumë efikasitet dhe është pa dyshim më demokratike. Grumbullimi i funksioneve është një praktikë e vjetër lindore dhe e papranueshme për parimet e sotme demokratike. Së fundmi, çdo parti punon më mirë, kur më shumë njerëz marrin më tepër përgjegjësi. Dhe në opozitë kjo bëhet edhe më e theksuar.    Së katërti, vendosja e këtyre kritereve krijon më shumë mundësi për prurje të reja, që nuk janë të nevojshme, por të domosdoshme për një parti opozitare. Nuk po zgjatem më në këtë drejtim, sepse kam shkruar shpesh për këtë gjë, por kam bindjen që ndërtimi i një opozite dhe filozofie të re, me protagonist të vjetër, është dështim i garantuar! Pa dyshim që rinovim nuk do të thotë largim i të aftëve, por motivimi i tyre me energjinë, që natyrshëm sjellin gjithë figurat dhe personazhet e rinj në një parti!    

 

Për të gjitha këto arsye, Basha duhet të jetë i vendosur në kriteret e tij dhe të mos tolerojë prej tyre. Edhe pse me vonesë, ai e ka marrë vendimin. Suksesi apo dështimi varet tashmë më shumë se nga kushdo nga ai vetë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama