Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Demokracia Shqiptare eshte ngritur mbi korrupsion

Shkruar nga: Zamira Cavo  
Botuar më: 10 vite më parë

Zamira Cavo
Demokracia Shqiptare eshte ngritur mbi korrupsion

Çdo shqiptar e ka të qartë që korrupsioni e ka fituar betejën me qytetarin, pavarësisht propagandës politike që bëhet për të kundërtën. Shqipëria, jo vetëm që llogaritet në vendet e para me korrupsion të lartë, në shkallë botërore, por nëse vazhdohet me këto politika, Shqipëria shumë shpejt do të shndërrohet në parajsën e korrupsionit politik në Europë! Dhe nuk është thjesht çështje perceptimi. Megjithatë, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se korrupsioni nuk është produkt “made in Albania”. Një studim i Bankës Botërore analizoi 200 raste korruptive në botë dhe zbuloi se 70% e tyre me një kapital prej 56 miliardë dollarësh ishin kompani “guaska” që vepronin në Amerikë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Korrupsioni madje, nuk është as fenomen i kohës. Edhe në parajsën më të bukur tokësore e demokratike, do të gjendet me siguri një gjarpër, i cili është i gatshëm të korruptojë një individ që mund të korruptohet. Ndaj, në botën e qytetëruar, lufta kundër korrupsionit është në themel të politikave të qeverive demokratike. Të gjithë e dimë se ky kancer i shoqërive ka arritur të rrëzojë perandori dhe jo më një shtet të vogël e të dobët si vendi ynë. Ndaj problemi i korrupsionit është jetik për Shqipërinë. Por le të ndalemi më konkretisht në disa momente;

Së pari: Korrupsioni në Shqipëri fillon nga lart. Pra është pjesë e pandashme e qeverisjes sonë. Bilanci i pasurive të politikanëve është jashtëzakonisht “mbresëlënës”. Zor se mund të gjendet ndonjë zyrtar i lartë, i cili të mos bëjë një jetë, përtej luksit të njohur si standard nga bota. Sot ka politikanë të lartë që jo thjesht përfliten, por që realisht, pra dukshëm, kanë vila e makina luksoze për vete e fëmijët dhe shpenzojnë dukshëm shuma marramendëse. Pra shkurt mund të themi se, politika shqiptare në këtë periudhë të gjatë tranzicioni është shndërruar pa mëdyshje në një “fabrikë të madhe korrupsioni”, aq sa vetë politika mund të konsiderohet biznesi më fitimprurës. Dhe ky tipar i korrupsionit është një tipar karakteristik i demokracisë shqiptare. Nuk gjej dot shembuj të tjerë në demokracitë botërore, kur një individ e fillon karrierën e tij si politikan i lartë, që nuk ka asnjë pasuri të trashëguar dhe vetëm pas disa vitesh, konsiderohet një njeri me pasuri milionëshe, i aftë për t’u krahasuar me miliarderët e Ballkanit. Dhe, sikur të ishte vetëm një individ, sigurisht nuk do të merresha me të. Por u shndërrua në një model që përfshiu jo vetëm politikanët e lartë, por edhe ëndrrat e të rinjve për t’u marrë me politikë. Sot, një i ri që kërkonte të punësohej në shtet më tha: jam gati të paguaj deri në 5 mijë euro, për ta fituar atë vend pune. Duket çudi, por përgjigjja vjen natyrshëm: i fitoj brenda vitit ato para.

Së dyti: Demokracia jonë është ngritur mbi korrupsionin. Kjo do të thotë se edhe vota jonë është shitur e blerë në ankande korruptive. Kjo do të thotë se qeverisja jonë është ngritur mbi një administratë korruptive, sepse mënyra me të cilën rekrutohet është korruptive. Drejtësia sillet vetë si një megakorrupsioniste, duke korruptuar edhe avokatin. Korrupsioni vërtitet kështu në një rreth vicioz, nga i cili duket vështirë për të dalë.

Kur them që demokracia shqiptare është ngritur mbi korrupsion kam parasysh modelin e pandëshkueshmërisë që vjen si rezultat i kësaj “forme” demokracie. Institucionet e kapura, sigurisht që nuk kanë mundësi reale të drejtojnë luftën kundër korrupsionit apo të korruptuarve. Nëse bën korrupsion kryeministri, mos prit që të mos bëjë korrupsion edhe portieri. Parlamenti ynë dhe pse nën “detyrimin” e standardeve europiane të luftës kundër korrupsionit, arrin dhe miraton disa ligje, sërish ato nuk arrijnë as të përcillen si të tilla në opinionin publik, pa le më të kërkohet zbatimi i tyre.

Së treti: Korrupsioni në një vend si i yni ka shumë mundësi të pjellë terrorizëm. Duket paradoksale, por ka një të vërtetë që duhet mbajtur parasysh: Korrupsioni nxit e thellon varfërinë, nxit e thellon papunësinë e pabarazinë. Te ne, ku papunësia dhe varfëria janë vërtet në shifra të larta, është e prekshme mundësia e korruptimit të të rinjve të pashpresë e të pabukë nga grupe mafioze e terroriste. A e vutë re se të gjithë ata të rinj të dërguar në Siri ishin të varfër e të pashpresë? Sa të rinj të tillë mund të bëhen viktima të një grupi terrorist, i cili fillimisht ofron pak bukë e pak para, e më vonë edhe pak luks, për të të shndërruar në armën e tij vdekjeprurëse? Shembujt tashmë janë të shumtë dhe nëse vazhdohet kështu, shumë shpejt Shqipëria do të shihet si “delja” e zezë e terrorizmit në Europë.

Për të gjitha sa thashë më sipër, lufta kundër korrupsionit është për shqiptarët sfida më e madhe e kohës. Personalisht, edhe pse mund të besoj në sinqeritetin e qeverisë aktuale për një rilindje edhe në luftën kundër korrupsionit, nuk kam bindjen që kjo do të ndodhë. Për sa kohë që nuk ka ndëshkueshmëri, për sa kohë që një politikan akuzohet publikisht për pasurinë e tij marramendëse dhe vazhdon të ngjisë i sigurt shkallët drejt majës së shtetit, për sa kohë që në krye të institucioneve të rëndësishme vihen vajza (më shumë këto) e djem të rinj e pa asnjë ditë përvoje pune, vështirë që të fillohet e jo më të fitohet një luftë e tillë. Më tej, për sa kohë që sistemi i drejtësisë do të vazhdojë të punojë për vetveten dhe jo për misionin, sigurisht që nuk ka luftë kundër korrupsionit.

Por si i bëhet? Sigurisht që bota e ka zgjidhur në njëfarë mënyrë dhe i ka ngushtuar shumë mundësitë për korrupsion. Pra lufta kundër korrupsionit është e mundur. Këto mundësi i jep demokracia e vërtetë. Një sistem demokratik që të funksionojë ka nevojë për të gjithë ne. Ka nevojë për të kuptuar se nga korrupsioni dëmtohemi të gjithë. Elementi i parë është transparenca. Kjo nuk do të thotë që nëse një politikan i lartë akuzohet publikisht për korrupsion, apo për shpenzime të mëdha, mjafton “transparenca” e tij. Pra mjafton që ai të na mbushë mendjen se jemi ne që e kemi pasur gabim dhe e kemi perceptuar gabim… Nuk mjafton as edhe një vendim gjyqësor i pamoralshëm. Në këtë rast duhet të jemi ne, të gjithë së bashku, që të kërkojmë burimin e pasurive të politikanëve. Kjo është transparenca. Asnjë institucion, qoftë ai i deklarimit dhe kontrollit të pasurive, nuk vihet në lëvizje nëse opinioni ynë publik nuk kupton se sa forcë ka për ta bërë drejtësinë të funksionojë. Kështu ndodh në një vend të vërtetë demokratik.

Është e nevojshme të krijojmë një frymë të re kundër korrupsionit, një frymë të re që synon në zgjimin e ndërgjegjes demokratike. Ndaj unë u bashkohem zërave të kolegëve që kohët e fundit i kanë kushtuar gjithë vëmendjen e tyre këtij fenomeni vdekjeprurës për të ardhmen.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama