Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

LSI

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 11 vite më parë

Artan Hoxha
LSI

AKTUALITET

Përgjatë më shumë se dy muajve pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, mjedisi politik, pa as edhe një ndërprerje qoftë edhe disaditore, mbetet i tejmbarsur me rivalitetin PS-PD në rolet e ndryshuara – PS së shpejti në qeverisje e PD së shpejti në opozitë – rivalitet që arrin afër nivelit të konfliktit, fatmirësisht deri tani veçse verbal. Qëndrimet e veprimet politike dhe pasqyrimi mediatik i tyre krijojnë iluzionin se politika shqiptare është dypolare. Në fakt, LSI mund të konsiderohet fituesja e vërtetë e këtyre zgjedhjeve. Me një peshë elektorale prej më shumë se 10% të shpërndarë harmonikisht në të gjithë vendin e me orientim të përzier majtas-djathtas si dhe me një peshë parlamentare prej të paktën 16 deputetësh, LSI është sot një faktor politik shumëfish më i rëndësishëm e që përcakton qartësisht natyrën tripolare të politikës.


Megjithatë, LSI po sillet mëse modeste e po shfaqet fare pak në këta dy muaj; o sa për të kundërshtuar ndonjë term të thënë a të nënkuptuar mbi mjetet e rezultatit të saj elektoral; o sa për t’i dhënë licencën Edi Ramës të vazhdojë të flasë për “Rilindjen” por pa hequr vetë dorë nga slogani “Të ecim më shpejt”, i papërputhshëm me “Rilindjen”; o duke mbajtur ndonjë qëndrim për një a dy çështje nga moria e çështjeve për të cilat ndeshen përditshëm PS dhe PD. Një LSI si “veshka në mes të dhjamit” para dhe gjatë fushatës elektorale vazhdon edhe pas zgjedhjeve.

DERI NE ZGJEDHJET 2005


Faktori Meta, duke kuptuar një rrymë politike, u shfaq që para zgjedhjeve 1996. Pas një tulatjeje të shkurtër nën peshën e mitit Nano, faktori Meta brenda PS rimori forcë derisa arriti thuajse të dominonte PS dhe të majtën në tërësi në vitet 2000-2001, kur Ilir Meta ishte Kryeministër. Dominimi i plotë i PS nuk u arrit pasi Fatos Nano me mbështetësit e tij nga një anë dhe Sali Berisha me demokratët e tij nga ana tjetër, secili për hesap të vet, e bënë të pamundur vazhdimin e qeverisjes nga Ilir Meta, i cili dha dorëheqjen në janar 2002.


Ndërsa de jure mbeti dypolare, de facto politika u bë tripolare, ku asnjëri nga polet nuk mund të fitonte betejën ndaj njërit pol pa mirëkuptim me polin tjetër. Dyshja Nano-Berisha diktoi dorëheqjen e Ilir Metës; Pandeli Majko u bë Kryeministër për së dyti si produkt i mirëkuptimit të përkohshëm Nano-Meta. Shkarkimi i prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi dhe emërimi i Dhori Sollakut në vend të tij ishte produkt i mirëkuptimit Meta-Berisha kundër Fatos Nanos. Pas disa provash të skemës dy kundër një, më në fund, të tria polet u mirëkuptuan për një sërë çështjesh si: zgjedhja konsensuale e Presidentit Alfred Moisiu, rikthimi i Fatos Nanos Kryeministër dhe Ilir Metës zv.kryeministër e ministër i Jashtëm, përzgjedhja e ministrave mes figurave mbështetëse të të dy liderëve të majtë, zëvendësimi i drejtorit të SHISH e deri te riekuilibrimi politik, maxhorancë-opozitë, të institucioneve kyçe të shtetit si KQZ, KLSH, ILDKP e ndonjë tjetër.


Mirëkuptimi mezi zgjati afro një vit, derisa në verën 2003 të tria polet u rindanë. Sali Berisha riforcoi aksionin opozitar, Ilir Meta la qeverinë dhe krijoi LSI, Fatos Nano rimori kontrollin mbi PS-në e rrudhur. Konflikti tripolar u mbart deri në zgjedhje, nga të cilat, ndonëse LSI mori afro 9% të votave dhe kontribuoi në humbjen e PS, mbeti edhe vetë në opozitë pasi aleanca e demokratëve fitoi 74 mandate. “Mega-Dushku” i aplikuar gjerësisht nga PS dhe PD e që u dha artificialisht plot vota e mandate partive të vogla aleate, i hoqi mundësinë LSI të bëhej kontrolluese e numrit prej 71 deputetësh.


DERI NE ZGJEDHJET 2009


Përgjatë një viti pas zgjedhjeve 2005, LSI, ndonëse në opozitë, ishte më afër qeverisë. Nga një anë LSI ndërmori nisma ligjore në bashkëpunim me qeverinë, siç ishte ajo për ligjin e reduktimit të imuniteteve e që kërkonte 84 vota në Kuvend, e nga ana tjetër Ilir Meta nuk ia përtonte të shpotiste Edi Ramën dhe tezën e tij “një anëtar-një votë” me shprehjen “një pallat – një votë”.
Gjithsesi, në verën 2006, për shkakun e një anëtari në KQZ, relacionet PD-LSI u prishën dhe LSI u bashkua me PS e, së bashku garuan në zgjedhjet vendore, bashkim ky që Edi Ramës i ridha Bashkinë Tiranë, ndërsa Ilir Meta mori mbi 10% të votave në shkallë vendi.


Mirëkuptimi Meta-Rama vazhdoi pak më shumë se një vit, nxitur edhe nga nevoja për të frenuar rishfaqjen e faktorit Nano, mirëkuptim që u prish shpejt pas zgjedhjes së Presidentit, duke ia lënë vendin mirëkuptimit thuajse njëvjeçar, përgjatë gjithë vitit 2008, të dyshes Rama-Berisha, për ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, të cilat u vlerësuan dhe/ose u perceptuan, nga vëzhgues të paanshëm, se, ndër të tjera, kishin si qëllim, në mos eliminimin, të paktën kufizimin ekstrem të rolit të LSI, qëllim ky, në radhë të parë e kryesisht, i Edi Ramës dhe socialistëve të tij.
Ndryshe nga treshja Nano-Berisha-Meta, e cila e pati të paktën një vit mirëkuptim, ajo Rama-Berisha-Meta përjetoi vetëm momente të mirëkuptimit a aleancës dyshe kundër të tretit me përkëmbim pozicionesh por, në fund, përsëri të tria polet shkuan të ndara, secili për hesap të vet, në zgjedhjet 2009, në të cilat, ndonëse LSI si peshë elektorale u reduktua në më pak se 5% dhe veç me 4 deputetë, gjithsesi arriti të behej faktori i plotësimit të numrit 71, pasi aleanca demokrate mori veçse 70 mandate, por njëherazi LSI ishte një faktor relativisht modest për balancimin e qeverisjes dhe politikës në tërësi.


DERI NE ZGJEDHJET 2013


Në dy vitet e para të këtij mandati, agresiviteti i Edi Ramës dhe mbështetësve të tij, thuajse i njëjtë e, në ca momente edhe më i egër ndaj Ilir Metës dhe LSI sesa ndaj Sali Berishës dhe PD, e ngjizi fort lidhjen e brishtë PD-LSI, ngjizje që dha rezultate pozitive në zgjedhjet vendore 2011.


Ndryshimi i kursit nga Edi Rama në vjeshtën 2011, nga ekstremist dhe agresiv në më normal në tërësi e më miqësor ndaj Ilir Metës dhe LSI në veçanti, krijoi mundësi për mirëkuptime fluide, por këto as dhanë efekte pozitive të qenësishme dhe as shmangën dështimet, siç ishte ai për zgjedhjen e Presidentit konsensual apo mosmiratimi i tri ligjeve me pasojë humbjen e shansit të radhës për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.


Kushtet e reja shërbyen vetëm për t’i hapur rrugë aleancës zgjedhore PS-LSI pak më pak se tre muaj para ditës së zgjedhjeve. Ndryshe nga dy pararendëset ku LSI kishte garuar në mes dhe nën presionin e fortë të PS dhe PD, LSI garoi në këto zgjedhje nga një anë në aleancë me PS e pashpresë për të fituar e vetme, gjendje kjo që u reflektuan edhe në përcaktimet e Edi Ramës për LSI si partner strategjik e pa përgjegjësi në keqqeverisjen 4-vjeçare e nga ana tjetër, pas një bashkëqeverisjeje 4-vjeçare me PD, LSI as u sulmua nga PD e as sulmoi PD, ndërsa u la të nënkuptohej se mund të kishte edhe aleancë paszgjedhore në varësi të rezultateve.


Në kushtet e reja, mjaft favorizuese, LSI shënoi atë rezultat që vështirë se i kishte shkuar ndokujt ndër mend, përjashtuar Ilir Metën që e paralajmëroi, deri diku, me deklaratat e tij. Paradokset u bënë realitet: edhe ai i 83 mijë zemrave të majta të tradhtuara në vitin 2009, të cilave iu shtuan edhe 100 mijë të tjera më 2013-n, edhe ai që ndërsa pjesa e madhe e qeverisë humbi zgjedhjet, pjesa e vogël e saj i fitoi ato veç me 3 muaj në gjysmë opozitë.


NGA SHTATORI 2013 E ME TEJ


Tashmë, de jure dhe de facto, politika shqiptare është qartësisht tripolare. Poli i tretë, LSI, lindi në zgjedhjet 2013, mbijetoi në zgjedhjet 2009 dhe triumfoi në zgjedhjet 2013. Thënia shpresëdhënëse e Edi Ramës në tetorin 2011 “e treta, e vërteta” duket se paskësh qenë urim për Ilir Meten dhe LSI e tij.


Në mandatin e ri, ndryshe nga dy pararendësit, Ilir Meta dhe LSI, me fuqi të shumëfishuara, kanë në të majtë Edi Ramën dhe PS – as fitues dhe as humbës – por me ambicie të fitojnë a të imponojnë përmes pushtetit atë që nuk e morën dot me votë e, në të djathtë PD – me kryetarin e ri Lulzim Basha dhe me liderin historik Sali Berisha tërësisht i angazhuar – një PD me ambicien e fortë që, pas humbjes së thellë, të rifitojë shpejt kuotat historike të mbështetjes së publikut.


Situata e favorshme e “veshkës në mes të dhjamit” mund të vazhdojë, por jo pafundësisht. Bipolarizimi vështirë se do të pranojë tripolarizimin. Poli i tretë, LSI, nuk kërcënohet vetëm nga mirëkuptimi PS-PD siç ndodhi më 2008-n, por edhe nga konflikti i zhvilluar veçse mes PS dhe PD që i bën hije çdo çështjeje e çdo faktori tjetër politik, siç edhe ndodhi përgjatë vitit 2010.
Ndaj, poli i tretë mbijeton dhe forcohet jo përmes plogështisë, as vetëm përmes menaxhimit pragmatist të pragmatizmit të një pjese të shoqërisë, as duke i ndenjur mënjanë konfliktit permanent PS-PD sipas parimit “kur zihen dy veta fiton një i tretë” e as përmes planeve afatgjata Rama-Meta, siç përflitet lart e poshtë, por përmes faktorizimit dhe ushtrimit të përgjegjësive të veta si një pol i këtillë, një pol i fuqishëm i qendrës që parandalon e ndëshkon, me mjete politike, ekstremizmin – qoftë i shfaqur si aksion banal partiak a kokash të nxehta e qoftë i shfaqur si ide a reformë qeverisëse – një pol që nxit normalitetin politik, mirëkuptimin e gjerë për çështjet kyçe e njëherazi ecjen më shpejt të vendit në katër vitet e ardhshme. Prirem të besoj se Ilir Meta, me përvojën më shumë se 22-vjeçare dhe LSI tashmë 10-vjeçare, e dinë këtë, e nëse kjo hipotezë është e vërtetë, atëherë profili modest i Ilir Metës dhe LSI gjatë dy muajve të fundit është veçse pamja e jashtme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama