Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa genjeshtar i pacipe

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Sa genjeshtar i pacipe

Të gjithëve na ka shpëtuar një gjë (ose kemi harruar ta theksojmë): Sali Berishës, ndonëse nuk ka përtuar asnjëherë t‘u japë pa ndonjë arsye etiketën "mafioz, trafikant, kusar etj, etj" të gjithë kundërshtarëve të tij politikë, nuk i bën goja t‘i përdorë këto epitete në adresë të atyre që kanë shkaktuar një nga tragjeditë më të mëdha jonatyrore në historinë e shqiptarëve. Është fjala, pra, për tragjedinë e Gërdecit, e cila - kjo është e qartë tanimë - është provokuar nga babëzia e njerëzve me pushtet, në aleancë me sipërmarrës privatë, njësoj të babëzitur. Janë me dhjetra faktet, provat, dëshmitë e të vërtetat dokumentare, që na bëjnë me dije se sipërmarrja e Gërdecit shënon aferën e pistë më spektakolare të njohur ndonjëherë në këtë vend, e megjithatë, kryeministri shqiptar nuk ka derdhur, qoftë dhe në një rast të vetëm, zemërimin e pasionin e tij prej kryqtari anti-mafia kundër atyre që, në shkelje të të gjitha rregullave e ligjeve, ngritën një sipërmarrje vrastare, vetëm 10 kilometra larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.

Nuk ka thënë, pra, qoftë dhe një fjalë të zemëruar kundër Delijorgjit, Pinarit (ky i dyti nuk është vetëm pjesë e kësaj afere, që dënoi me vdekje dhjetra shqiptarë, por është dhe i vetmi shqiptar gjatë njëzet viteve të fundit, që ka përgojuar në biseda konfidenciale me të tjerë qasjen mafioze të kryeministrit e të familjes së tij). Nuk ka bërë gjithashtu asnjë gjest zemërimi kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, i cili është fajtor - në mos tjetër, ex officio - në gjithë atë që ndodhi; përkundrazi, nuk ka lënë rast pa e lëvduar e pa i dërguar sinjale mirëkuptimi, duke e ngrohur atë me (duke e garantuar/për) mbështetjen e vet e, duke na bindur ne të tjerëve mbi komplicitetin kryeministër-ministër në këtë punë mafiozësh.

Ka ndodhur edhe një gjë tjetër në këtë histori, e cila na ka shpëtuar: Sali Berisha, i cili nuk është u është shmangur ballafaqimeve televizive në raste të ngjashme, këtë herë është fshehur e nuk ka pranuar të dalë në një debat televiziv me gazetarë apo me kundërshtarë politikë. Madje, nuk ka pranuar të dalë as i vetëm përballë një gazetari, qoftë ky i fundit dhe gazetar dashamirës. Në vend të kësaj, zgjodhi të dalë në një talk-show të kanalit televiziv ndërkombëtar ‘BBC World‘ përballë një gazetareje, e cila, duke jetuar më së shumti me merakun e interesin e audience-ës së vet joshqiptare, vijoi të fokusohej kot më kot edhe tek e kaluara e tij prej komunisti (temë e mërzitshme kjo për veshët tanë) e jo aq sa duhet tek e tashmja e tij prej autokrati mafioz. E megjithatë, shqiptarët patën mundësi ta shohin kryeministrin e vendit të tyre në një pozitë të vështirë. Përveç kësaj, patën mundësinë ta shihnin edhe njëherë në rolin e një gënjeshtari të pacipë e të një dënglaxhiu paranojak.

"Unë jam njeri i misioneve", tha ky njeri përballë gazetares londineze, a thua se sapo kish dalë nga një takim konfidencial me Zotin vetë. Ka guximin ta thotë këtë gjë një njeri, i cili, ndërsa nuk e ka hequr nga goja fjalën "liri", nuk ka ngurruar të burgosë udhëheqësin e opozitës, të pastrojë partinë e tij prej të gjithë zërave kundër e ta komandojë atë me dorë të hekurt, të pengojë opozitën për të protestuar nëpër sheshe, të rrahë gazetarë e deputetë ditën me diell, të organizojë masakrën elektorale të vitit 1997, të provokojë krizën e frikshme të vitit 1997, të organizojë sulmet me armë ndaj institucioneve të shtetit, e kështu me radhë. Ja pra, kjo është rrena e parë e madhe. Në fakt, më shumë se sa rrenë, ishte një haluçinacion.

"Përfaqësuesit e organizatës ‘Transparency International‘ më kanë thënë në zyrën time se ishin të impresionuar me luftën ndaj korrupsionit", tha më tej Sali Berisha, gjatë intervistës në ‘Hard Talk‘. Vini re: të njëjtët njerëz, të cilët e kanë nxjerrë Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara në botë, na paskan shkuar në zyrën e tij, dhe na i paskan thënë se kanë mbetur të shushatur prej sukseseve në luftën e qeverisë ndaj korrupsionit!!! Janë të marrë e të shkalluar përfaqësuesit e organizatës ‘Transparency International‘? Jo, është gënjeshtar Sali Berisha. Njerëzit e shtypit nuk do të bënin keq të lidheshin me këtë organizatë, në mënyrë që ne të marrim vesh se kryeministri shqiptar gënjen pa pikë turpi.

"Dua të qartësoj se Gërdeci nuk ishte një bazë ushtarake", tha midis të tjerash Berisha. E tha tri herë këtë gjë, ndërkohë që askush nuk e pyeti në atë studio e ndërkohë që askush nuk e ka thënë se Gërdeci ka qenë një bazë ushtarake. Kjo nuk ka pikë rëndësie, por Berisha kishte vendosur të kapej tek kjo degë. Pse? Nuk duket se ka ndonjë arsye të veçantë. Thjesht ka dashur të theksojë një "të vërtetë" pa pikë vlere, me synimin për t‘iu shmangur thelbit të diskutimit, ashtu siç bën edhe kur deklaron kot më kot se "ne u bëmë dëshmitarë të operacionit më të suksesshëm e më energjik të shpëtimit". Por gazetarja e BBC-së nuk ra në këtë kurth. Ajo këmbënguli tek përgjegjësia e qeverisë në tragjedinë e Gërdecit, derisa e shtrëngoi Berishën të thosh: "Ishte një vendim i ministrisë, unë nuk dija gjë, unë nuk e dija që baxhanaku im punonte atje, unë nuk e njihja baxhanakun, dhe se baxhanaku ishte një punëtor për bukën e gojës". Që të gjitha këto janë gënjeshtra me bisht dhe e vërteta tanimë ka dalë në shesh. Lidhur me Gërdecin - dossier-i i Andi Bushatit në "Zonën e ndaluar" e tregon qartë këtë - kanë patur dijeni që të gjithë, pasi vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë, pasi informacioni ka rënë vazhdimisht në duart e Presidentit, Kryeministrit, ministrit, pasi dëshmitarët e shumtë thonë se baxhanaku i Berishës nuk ishte punëtor i thjeshtë, por një alamet supervisor-i.

Dhe në fund, Sali Berisha e mbyll intervistën me një mashtrim krejt të pacipë: "Unë isha njeriu që vendosa për mbylljen e firmave rentiere para vitit 1997". O Zot! Si është e mundur që ky njeri të këpusë, pa iu dridhur zëri e pa iu dredhur qerpiku, një broçkull të tillë? A nuk i vjen zor këtij njeriu kur mendon se të gjithë shqiptarët janë duke e dëgjuar gënjeshtrën e tij të lëshuar në BBC World? A nuk i vjen zor këtij njeriu kur mendon se po e dëgjojnë edhe ca shqiptarë të tjerë, të cilët e njohin në detaje historinë e firmave piramidale e, të cilët e dinë shumë mirë se arkitekti i këtyre firmave ka qënë ai dhe vetëm ai?

Mesa duket, nuk i vjen zor. Dhe ky nuk është një lajm i ri për ne. Lajmi i ri është një tjetër: Sali Berisha nuk është thjesht një bolshevik autokrat, por është dhe një grykës e mafioz. Duhet shpresuar që këtë lajm ta kenë marrë vesh edhe ata shqiptarë që kanë parë tek ai deri më sot njeriun e marrosur pas pushtetit, por nuk kanë dashur të shohin apo të besojnë se asnjëherë pushteti nuk lakmohet thjesht për pushtet, dhe se - siç ka thënë historiani britanik Acton - pushteti absolut korrupton absolutisht.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama