Mallkuar qofshi!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 3 vite më parë

Blendi Fevziu
Mallkuar qofshi!

Maria ishte vetëm 17 vjeçe. Mosha kur adoleshentët besojnë shumë te mirësia. Kur thurin ëndrra dhe mendojnë se ato mund të përmbushen thjesht.  Edhe Maria ka pasur ëndrrat e veta. Me siguri ua ka rrëfyer shoqeve apo prindërve. Ka dashur një jetë të qetë dhe të gëzuar, siç do ta dëshironte çdo 17-vjeçare në çdo cep të globit. Ka dashur të vishet bukur dhe të shkollohet. Ka dashur të ketë miq dhe të ecë në jetë. Ka pasur me siguri shumë e shumë të tjera, që ne s’i dimë. Sepse asnjë nga ne nuk e njihte atë… Por ajo s’ka më ëndrra. Iu ndërprenë në mes ndërsa kish dalë të ndihmonte gjyshin e saj buzë një are. Një ditë që mund të kish qenë një ditë e gëzuar, si e çdo mbese me gjyshin dhe që u bë një ditë tragjike. Dita e fundit e saj.

Maria s’është më. Sytë e saj të qeshur janë fikur nga një plumb që ajo pa dyshim s’e ka menduar kurrë. Janë fikur duke fikur diçka nga kënaqësia e kësaj jete te secili nga ne. Sepse çdo ikje e pafajshme nga kjo botë e bën atë edhe më të keqe, edhe më të papranueshme.

“E kanë vrarë me Kanun”, shkruan një gazetë! Mallkuar qoftë ai kanun primitiv, i denjë për një popull mesjetar, injorant, pa perspektivë! Mallkuar qoftë ai kod që i thurin ende himne! Një botë primitive, e harruar në shekullin XXI që i bën njerëzit me mes të Europës të vuajnë ende si në kohën e Lek Dukagjinit!

“Kanë shkelur Kanunin duke vrarë një femër dhe një fëmijë”, shkruan një tjetër gazetë! Dy herë më shumë mallkuar qoftë! Mallkuar për Kanunin dhe mallkuar ata banditë që qëllojnë mbi një vajzë ende të parritur, mbi një fëmijë që nuk ka asnjë faj! Që s’ka bërë asgjë të keqe në jetë. Thua s’kanë fëmijë, thua s’janë prindër, ose s’kanë pasur vetë prindër, për ta kuptuar që duke i marrë jetën pa faj një adoleshenteje kanë hapur një plagë që koha s’e shëron kurrë.

“Do të dënohen sipas ligjit”, thotë një drejtues i lartë politik. Një njeri që duhet të merret direkt me drejtësinë dhe që e ka bërë atë një batak nëpër kallamishtet e të cilit çapiten vrasës dhe trafikantë. Që përfitojnë nga çdo lloj lehtësie dhe kalojnë nga burgimi i përjetshëm në katër vite burg apo lirohen krejt. Hidhini një sy Gjykatës Kushtetuese, garantes së zbatimit të Kushtetutës në këtë vend. Po merret me dosje vrasësish e trafikantësh, duke i kthyer për rigjykim dhe duke hapur një precedent që mund t’i kushtojë vendit gjatë.

Mallkuar qoftë së fundi ai gjykatës që do të japë dënimin e butë për ata vrasës, siç ndodh rëndom! Mallkuar qoftë nëse është prind dhe ka fëmijë! Sepse Maria mund të ishte vajza apo mbesa e tij. Sepse ajo ishte një vajzë 17-vjeçare që iku në moshën e ëndrrave pa plotësuar asnjë të tillë për veten e saj në jetë.

Dhe së fundi, mjaft më me angazhime që pjellin situata si këto. Shqipëria duhet t’i rikthehet dënimit me vdekje. Duhet ta shndërrojë atë në një standard. Vështirë që në një vend tjetër të Europës të vrasin një vajzë sepse një i afërm i saj, që mbase ajo s’e ka takuar kurrë në jetë, ka vrarë dikë. Vrasësi ndëshkohet, por vajza ç’faj ka në gjithë këtë histori? Dënimi me vdekje mund të jetë primitiv në një vend relativisht të zhvilluar, por ai është zgjidhje dhe jo zgjedhje në një vend me kode primitive dhe me zakone banditeske si këto.

Ç’na duhet angazhimi këtu apo atje, në Këshill Europe apo s’di ku, kur një vajzë 17-vjeçare mbyll sytë buzë një are, me ëndrrat prerë në mes dhe një tjetër fëmijë 9-vjeçar e vrasin brenda në një makinë fare, fare pa faj? Dy fëmijë më shumë dhe jetë të tjera të shpëtuara vlejnë më tepër se një angazhim. Dhe jam po kaq i sigurt që një negocim i vërtetë dhe argumentues mund ta lejojë një gjë të tillë. Sepse në këtë rast, dënimi me vdekje nuk është për të marrë një jetë, por për të shpëtuar më shumë jetë. Jetë që mund të ndërpriten në mes. Ajo e Maries, vajzës 17-vjeçare që na sheh nga fotografitë e gazetave me sytë e saj të mëdhenj. Sy që s’do të hapen më kurrë…

Jep nj mendim mbi kt tem:

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi