Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Anti-thaçizmi nuk mjafton për LDK

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Armand Shkullaku
Anti-thaçizmi nuk mjafton për LDK

Humbja e LDK në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe rezultati rrënues në Kaçanik pas dështimit në Ferizaj,  duhet ta kthjellojnë Isa Mustafën se fryma e Rugovës nuk është fryma e shenjtë që do t’i ndihmojë përjetësisht partisë së tij pa bërë asgjë. Rezultati prej 5.51 përqindësh që kandidati i LDK mori të dielën e kaluar në votimin e jashtëzakonshëm për kryetar të Kaçanikut, është më i dobëti që kjo parti ka regjistruar ndonjëherë në këtë komunë. Partia e Mustafës ka mbledhur gjithsej 600 vota, gati katër herë më pak se në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe akoma më pak krahasuar me zgjedhjet vendore në 2007-n e 2009-n. Mbetja, ose më keq akoma, rënia e LDK në të tilla shifra po krijon perceptimin e një fataliteti se kjo parti nuk është e thënë të ringrihet pas traumave post-rugoviane. Ajo jo vetëm nuk po mundet të mposhtë PDK, por po humbet terren edhe në raport me partitë e tjera opozitare. Flaka që ndezi zgjedhja e Isa Mustafës në krye të LDK një vit e gjysmë më parë është zbehur pa mbërritur ende tek elektorati opozitar.

Në demokracitë e pakonsoliduara, opozita pa dyshim që hyn në gara elektorale në kushte të pabarabarta me partitë në pushtet. Këto të fundit përdorin e keqpërdorin mjetet e mundësitë financiare për interesa elektorale, shfrytëzojnë punësimin, paratë e pronat publike, shantazhojnë e premtojnë dhe këto fenomene kanë ndikim të madh te qytetarët, veçanërisht në zona ku shteti shihet si e vetmja mundësi për të përballuar mjerimin ekonomik. Por, nga ana tjetër, sa më shumë abuzon pushteti në këtë drejtim, aq më shumë rritet edhe pakënaqësia popullore.

 Pikërisht këtë pakënaqësi LDK nuk arrin ose nuk di ta kanalizojë në favor të saj. Isa Mustafa ka mbetur tek anti-thaçizmi si e vetmja armë opozitare me të cilën shpreson ta fitojë betejën me PDK. Është e vërtetë se përballë politikës së butakut Fatmir Sejdiu, qëndrimi konsekuent i Mustafës kundër qeverisë “Thaçi”, ku bënte pjesë edhe LDK, ndezi dhe krijoi një moment mjaft të mirë entuziazmi që kjo parti mendohej se e kish humbur. Por gjithçka mbeti aty. Pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010 anti-thaçizmi nuk është më i mjaftueshëm për ta shndërruar LDK në forcë të parë politike, duhet shumë më tepër. Entuziazmi i fenomenit “Mustafa” po ftohet dhe rezultatet në Ferizaj e Kaçanik, ndonëse nuk janë test i vërtetë për zgjedhjet e ardhshme, ndikojnë shumë në moralin e lëdëkëistëve. Aty mund të ngulitet bindja fatale se LDK nuk bëhet dot parti fituese, se nuk konkurron dot PDK dhe dalja në vend të tretë apo të katërt nuk do të përbëjë më ndonjë çudi të madhe.

Partia e ish-presidentit Rugova ka nevojë të rigjejë energji të reja, të jetë më aktive, të hapet dhe të ngjallë besim te njerëzit se edhe përballë agresivitetit të pushtetit ajo është në gjendje të triumfojë. LDK duhet t’i motivojë të gjithë ata që janë për ta ndryshuar realitetin politik, dhe jo t’i lërë indiferentë, siç ndodhi në Kaçanik. Për ta bërë këtë, Isa Mustafa duhet të kuptojë se denoncimi i qeverisë nuk është gjithçka, dhe jo gjithçka duhet të sillet rreth Hashim Thaçit. Tani është një fazë tjetër kur nga LDK kërkohet të ketë një identitet të qartë politik, ku forca e liderit shihet në ndryshimet, freskinë, hapjen dhe rritjen e partisë, ku energjia e tij transmetohet në çdo degë dhe anëtar në bazë. Këtu LDK ka mbetur.

Pavarësisht deklaratave për reforma statutore e strukturore, në kampin e Mustafës nuk reflektohet ndonjë ndryshim thelbësor. Në Parlament, në gara elektorale, në aktive partie, në media e në opinion janë po ato personazhe monotone, që estetikisht do ta largonin çdo të ri që mendon se mund të bëjë karrierë në atë forcë politike. Përballë fluksit të figurave të reja qoftë në PDK, qoftë në Vetëvendosje, LDK ngjan akoma dhe më e mërzitshme. Vetë Isa Mustafa, pas vrullit që e solli në krye të partisë, tani duket sikur nuk ka ndonjë dëshirë e nxitim të madh për të ardhur në pushtet. Qëndrimet e tij evazive e jo shumë të forta në lidhje me shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2014 (ndryshe nga marrëveshja e arritur një vit më parë) apo dhe atyre presidenciale, të panatyrshme për një opozitë, ndikojnë jo pak në çmobilizimin e votuesve.

Ato përcjellin një lloj ftohjeje tek elektorati, por edhe tek opinioni publik ku mbështetja për Isa Mustafën ka një rënie të dukshme krahasuar me periudhën e protagonizmit të tij politik. LDK ka ngecur në një pozicion pasiv, pa mundur të shtrihet në gjitha shtresat e shoqërisë. Mungon në universitete, te të rinjtë, shoqëria civile, në media etj., duke u mbledhur brenda guaskës së vet e duke pritur që Ibrahim Rugova të bëjë ndonjë mrekulli nga bota e përtejme apo që Hashim Thaçi ta dorëzojë vetë pushtetin. Isa Mustafa duhet të bëjë zgjimin e madh ose të pranojë pamundësinë e vet për të vënë në punë ingranazhet e ndryshkura të LDK. Kjo parti ka nevojë në radhë të parë të pranojë realitetin e pastaj të bëjë llogaritë për zgjedhjet e ardhshme. Përndryshe do të niset për të fituar e do të përfundojë si në Kaçanik.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama